Në kuadër të procesit të Berlinit, po zhvillohet sot në Tiranë Forumi i Ministrave të Ekonomisë me titull, “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE”.
Ministeriali euro-ballkanik i Ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni po mbahet këtë të martë në Tiranë, me pjesëmarrjen e mbi 20 delegacioneve të nivelit të lartë.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama vuri theksin te bashkëpunimi midis vendeve të rajonit për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në sferën ekonomike të Bashkimit Europian.
“Bashkërisht mund të bëjmë më shumë në një treg të përbashkët.
Në një moment përcaktues ka ardhur koha të mendojmë jashtë kornizave, është kjo ajo që po përpiqemi të bëjmë me këtë samit, ajo që po ndjejmë nga të gjitha komunikimet me miqtë tanë.
Dje pata kënaqësinë të zhvilloja një bisedë mjaft shteruese me mikun tonë nga qeveria e Francës, ishte një bisedë që 5 vite më parë do ishte e pamundur të zhvillohej.
Gjërat kanë ndryshuar, shohim me interes se në BE ka një bindje më të fortë dhe janë më syhapur ndaj rëndësisë që Ballkani Perëndimor ka ndaj BE.
Shohim me interes se në BE ka një bindje më të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor ka për Bashkimin Europian.
BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkanin Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian. Ne jemi këtu për të diskutuar rreth temave më thelbësore të këtij procesi, që përfshin forcimin e ekonomive tona, duke u përfshirë në sferën ekonomike të BE”. u shpreh kryeministri.
Sipas kryeministrit, nga heqja e barrierave mes vendeve, kanë përfituar 6000 shoqëri tregtare.
“6000 shoqëri tregtare kanë përfituar nga aktiviteti i nxitjes së tregtisë. Nga të gjitha heqja barrierave jo tarifore, nga ngjarjet e përbashkëta të cilat kanë përfshirë shoqëri tregtare sidomos dhe mbështetje për qasjet e BE-së në raport me Tregun.
Gjithçka që bëjmë së bashku është të përfitojmë në terren dhe të kemi më shumë përfitime për njerëzit që kanë nevojë të lëvizin lirisht për kompanitë që duan të lëvizin mallrat e tyre”.
Ines Mucostepa Presidente e Dhomës së Tregtisë dhe anëtare e Bordit në Ballkanin Perëndimor për BE deklaroi se 6 mijë kompani në Ballkanin Perëndimor janë gati dhe kanë plotësuar kushtet për të investuar në Bashkimin Europian. Mucostepa theksuar se BE duhet të ndihmojë Ballkanin Perëndimor pas pasojave që ka lënë pandemia, kriza energjitike dhe lufta në Ukrainë.
“Pandemia, kriza energjitike, lufta në Ukrainë ka ndikuar në ekonominë rajonale dhe na ka bërë të shikojmë që disa vende i ka lënë jashtë tregut. Ndaj Ballkani Perëndimor duhet ndihmuar, se është i pasur dhe burime natyrore që mundësojnë projkete të reja.
Europianët duhet të kuptojë potencialin e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të krijohet gjithë programi i zhvillimit. Në këtë program, sic e përmendi dhe Kryeministi, më shumë se 6 mijë kompani të Ballkanit Perëndimor kanë plotësuar kushtet dhe janë gati për aksese në tregun europian.
Një mekanizëm i rëndësishëm që Ballkani Perëndimor ka plotësuar është fondi për bashkëpunim rajonal dhe kjo përmirëson cilësinë e arsimit e profesional dhe kjo përgatit rininë për mundësi punësi. Falenderoj Ministrinë e Ekonomisë së Gjermanisë Federale dhe Bankën Europiane. Sic e ka përmendur dhe Presidenti i BE, e ardhmja e Ballkanin perëndimor është në BE.”-tha Mucostepa.
Ministri i tregtisë me jashtë dhe ekonomisë në Francë, Olivier Becht. deklaroi se duhet që plani për rritjen e Europës të bëhet me hapa të shpejtë, Sipas Bacht është e nevojshme të përshpejtohen marrëdhëniet mes Ballkanit P. dhe vendeve të BE-së.
“Kemi nevojë të përshpejtojmë këtë proces. Kërkon më shumë ekonomi dhe integrim për të gjithë rajonin, ndalin dy gjëra që janë të lidhura me njëra tjetrën, kompanitë e mëdha jo gjithmonë kanë burimet për të studiuar tregun. Ne kemi një objektiv, është që të përshpejtojë ndërlidhjet mes Ballkanit P. dhe vendet e BE. Do lehtësojë sektorin privat dhe do përshpejtojë procesin e anëtarësisë në BE”, u shpreh Becht.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u ndërmor në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Samiti i ardhshëm do të organizohet në Tiranë më 16 tetor 2023.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.