Makthit të të gjithë shoferëve që duhet të shkonin në jug të Shqipërisë përmes Fierit do t’i vijë fundi së shpejti. Edhe kalimi për në jug përmes Vlorës do të mund të bëhet më shpejt.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton përmbylljen e procedurave konkuruese të përzgjedhjes së kompanive kontraktore që do kryejnë punimet e dy veprave infrastrukturore, Bypass-it të Fierit dhe Bypass-it të Vlorës.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Banka Europiane e Investimeve kanë miratuar si fitues: Për Bypass-in e Fierit kompaninë kuvajtiane “CGC, Combined Group Contracting”; Për Bypass-in e Vlorës, Joint Venture shqiptaro-italiane “Gener 2 & Impresa Ing.E.Mantovani”.
Bypass I Fierit dhe Vlorës ka mbetur pezull prej disa vitesh, për shkak të probleme që lindën me kontraktorin Italian Serenissima, që braktisi punimet, duke ia vënë fajin nënkontraktorëve që kishin marrë pagesën dhe nuk kishin kryer punimet.
Braktisja e punimeve ka lënë pas një “mal” me konflikte gjyqësore me nënktraktorët për detyrime të papaguara.
Qeveria shqiptare, ndërkohë është ende në gjyq me Serenissima, pasi nuk ka arritur të arkëtojë garancinë që kompania e cila la në mes punimet për By-passin e Fierit dhe të Vlorës.
Kompania italiane Serenissima Costruzioni S.p.A ka fituar tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e By-Passit të Fierit duke nënshkruar kontratën me Autoritetin kompetent me 18 Mars 2013. Serenissima Costruzioni S.p.A. që kur fitoi tenderin në Shqipëri vendosi t’ia nënkontraktojë një pjesë të punimeve disa shoqërive. Nënkontraktohet deri me sot rezultojnë tetë. Më herët këtë vit gjykata e ka dhënë të drejtë një prej nënkontraktorëve, kompanisë CAE për të arkëtuar detyrime në vlerën e 16.2 milionë euro ndaj kompanisë italiane Serenissima.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.