Thirrja e katërt e programit IPARD II do të hapet zyrtarisht në 10 janar dhe do të zgjasë deri më 25 shkurt 2022.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) informoi se aplikimet mund të dorëzohen nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë që kanë veprimtari brenda territorit shqiptar në fushat e prodhimit bujqësor /ose të agro-përpunimit dhe rural që bien brenda masës 7.
Kjo masë e njohur si “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” do të ketë fokus të veçantë tek turizmi rural dhe i natyrës, punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures, prodhimi i energjisë së rinovueshme.
“Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 4.1 milion EURO nga të cilat 75% ose 3.075 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 1.025 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit. Ky buxhet mund të rritet në varësi të vendim-marrjes së institucioneve zbatuese të Programit IPARD II dhe disponueshmërisë së fondeve të dedikuara për Masën 7” bëri të ditur ministria.
Nën Masën 7 sipas dokumentit totali i shpenzimeve të pranueshme për ndihmën e kërkuar do të jetë në kufijtë minimal dhe maksimal ku shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme do të jetë 10 mijë euro ndërsa ajo maksimale 400 mijë euro.
“Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi, por totali i kostove të pranueshme të investimeve për aplikant, për këtë masë nuk duhet ta kalojë vlerën prej 600,000 Euro për të gjithë kohë zgjatjen e periudhës së programit. Përqindja e mbështetjes publike është e barabartë me: 65% të totalit të kostove të pranueshme të investimit” thuhet në njoftimin e ministrisë.
Kriteret e pranueshmërisë të aplikueshme për të gjitha masat
Aplikimi për të përfituar nga program në thirrjen katër ka edhe kriteret specifike të pranueshmërisë. Kështu një kriter është ndërtimi apo përmirësimi i pasurive të paluajtshme, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë.
Një tjetër është blerja e makinerive dhe pajisjeve të reja, përfshirë programe kompjuterike, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë.
I treti është ai që kostot e përgjithshme që lidhen me shpenzimet e investimet (i) dhe (ii), si p.sh. tarifat e konsulencës të tilla si ato për arkitektë, inxhinierë etj, studime fizibiliteti, përgatitja e planit të biznesit, do të jenë të pranushme për tu rimbursuar deri në një tavan prej 12% të kostove të përcaktuara në pikat (i) dhe (ii). Maksimumi i shpenzimeve për përgatitjen e planit të biznesit duhet të jetë 4% i kostove të përmendura në pikat (i) dhe (ii) pa e kaluar vlerën e barabartë me 5,000 Euro.
Së katërti kostot e përgjithshme konsiderohen të pranueshme nëse projekti të cilit i përkasin është përzgjedhur dhe është kontraktuar prej AZHBR. Aplikanti duhet të provojë pronësinë mbi tokën/ ndërtesën ose ndërtesat të lidhura me investimin ose të drejtën e përdorimit me afat të paktën 10 vjet që nga data e dorëzimit të aplikimit. Janë të pranueshme vetëm shpenzimet e bëra pas firmosjes së kontratës së grantit ndërmjet marrësit të mbështetjes dhe AZHBR (me përjashtim të kostove të përgjithshme për shpenzimet e investimit përkatës).
Së pesti projektet e investimeve mbeten të pranueshme për tu financuar nga BE-ja në të ardhmen, me kusht që të mos i nënshtrohen modifikimeve thelbësore brenda pesë vitesh nga pagesa e fundit e AZHBR.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.