Mbështetja gjermane nga arsimi profesional tek turizmi rural punësoi 20 mijë persona

14/05/2021 4:11 PM 0 komente

Programet e mbështetura nga qeveria gjermane në tre vitet e fundit kanë hapur mijëra vende pune. Një vlerësim i bërë publik këtë të premte mbi efektet e programeve tregon se punësimi është ndjerë në disa sektorë.

Keshtu konkretisht sipas ambasadës në tre vitet e fundit, nga 2018 në 2020-ën, asistenca teknike dhe financiare e dhënë nga Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim ka kontribuar në punësimin e rreth 20.000 personave, më shumë se gjysma prej të cilëve në vende të reja pune.

Programet e zbatuara përmes Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) operojnë në fusha të ndryshme si arsimi dhe formimi profesional, zhvillimi i biznesit dhe qasja e tij në financime, turizmi rural dhe bujqësia.
“Masat e promovimit të punësimit janë të fokusuara në ndërmjetësim për punësim në kuadrin e panaireve të punës dhe karrierës, këshillim dhe trajnime afatshkurtra dhe afatgjata. Ne mbështesim edhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, që të rriten dhe në këtë mënyrë të krijojnë vende të reja pune! Rezultatet janë mbresëlënëse: përmes trajnimeve për Start-Up-e dhe granteve të vogla ne kemi ndihmuar në krijimin e 500 vendeve të reja të punës”, tha Ambasadori Gjerman Peter Zingraf gjatë konferencës.

 

Vëmendje e veçantë i është kushtuar formimit profesional të popullatës lokale, përfshirë të rikthyerit, mbështetjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, me shërbime më të mira të zhvillimit të biznesit, trajnime dhe grante. “Ne e dimë që shumë qytetarë shqiptarë mendojnë të emigrojnë – por qëllimi ynë është që të krijojmë perspektiva të reja në vend. Duke mbështetur ekonominë e Shqipërisë, ne ndihmojmë në gjenerimin e vendeve tërheqëse të punës dhe mundësive të zhvillimit në karrierë”, nënvizoi ambasadori Zingraf.

Një numër i madh biznesesh, kryesisht fermerë, kanë patur qasje në financim dhe janë mbështetur si rrjedhojë e garancive të Fondacionit të Garantimit për Kredi Rurale, me një vëllim të përgjithshëm financiar prej më shumë se 35.5 milionë euro hua të disbursuara, mbështetur nga Qeveria Gjermane përmes KfW-së.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of