Gratë në Shqipëri përbëjnë afro 55 për qind të forcës së punës në bujqësi, duke marrë një rol të rëndësishëm në këtë sektor. Çdo vit ka shifra në rritje të grave aplikuese dhe fituese të granteve në bujqësi, qoftë nga Skema Kombëtare, ashtu dhe nga Programi IPARD, deklaroi ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi.
“Shumë prej produkteve tradicionale shqiptare, ato që ne i quajmë “Produkte te Origjinës”, prodhohen kryesisht nga gratë. Në këtë kuadër e shoh shumë të rëndësishëm “Projektin për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore” (PLGP) dhe më konkretisht programin e “Zinxhirit të vlerës për prodhimin e jufkave” dhe “Zinxhiri i vlerës për bimët aromatike dhe mjekësore”, që absolutisht mbështesin fuqizimin ekonomik të grave në zinxhirin ekonomik të vlerave me bazë gjinore sipas bashkive përkatëse”, tha ministri Çuçi.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka marrë angazhimin e plotë për të përmirësuar standardet e kërkuara nga sektori, si dhe nevojat e trajnimeve profesionale të grave në disa sektorë të bujqësisë, si atë të prodhimit të fruta perimeve, agro-përpunimit, kultivimit të ullishtave, vreshtave, bimëve medicinale etj, shtoi ministri.
“Me rëndësi në këtë proces është edhe ngritja e kapaciteteve të stafit të qeverisjes vendore, që është përgjegjës direkt për mbështetjen e grave në sipërmarrjet rurale. MBZHR si një partner i rëndësishëm i USAID ndër vite, mbështet këtë projekt i cili është një vlerë e shtuar në përpjekjen tonë të vazhdueshme për krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e zinxhirit të vlerës përmes kontributit të gruas në sipërmarrjet bujqësore”, u shpreh ministri Çuçi.
Deklaratat u bënë në koferencën “Shpalosja e Potencialit: Analiza e Ndjeshmërisë Gjinore në Zinxhirin e Vlerës për të Zhvilluar Politika dhe Programe Ekonomike dhe Zhvillimore më të Mira”, organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me Projektin e USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP). Kjo konferencë u mbajt në kuadër të aktiviteteve për Fuqizimin Ekonomik të Grave, Paqes dhe Sigurisë.
Të pranishëm në konferencë ishin edhe, Znj. Mikaela Meredith, Drejtore e USAID/Shqipëri, dhe Znj. Eglantina Gjermeni, Deputete, Kryetare e Aleancës së Grave Deputete.
Znj. Grania Mackie, eksperte ndërkombëtare për analizën e zinxhirit të vlerave me ndjeshmëri gjinore (GSVCA) prezantoi praktikat më të mira për identifikimin e mundësive për zhvillimin ekonomik dhe ndikimin e veçantë që GSVCA ka tek fuqizimi ekonomik i grave nëpërmjet shqyrtimit dhe vlerësimit të kontributit të tyre dhe rritjes ekonomike.
Z. Erald Lamja, PLGP Ekspert i Zhvillimit Ekonomik Vendor dhe i Komunikimit, menaxher i komponentit GSVCA pranë projektit të USAID/PLGP, prezantoi një rast studimor nga puna e Projektit PLGP për GSVCA dhe si ndikon fuqizimi ekonomik i grave në përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.