Mbeten bosh 20 për qind e pozicioneve të larta që zgjidhen nga Kuvendi

03/02/2020 11:55 AM 0 komente

Përplasjet me presidentin për KLSH bllokojnë dy vjet zgjedhjen e kryetarit të ri. Ja dhe pozicionet e tjera që kanë mbetur pa drejtues ose titullar të lartë..

 

Rreth 20 për qind e bordeve dhe titullarëve të institucioneve kushtetuese dhe enteve rregullatore të pavarura janë vakante. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka kërkuar një informacion mbi bazën ligjore dhe procedurat për plotësimin e vakancave.

Në konferencën e kryetarëve deputeti opozitës parlamentare Myslym Murrizi është shprehur se “nga 105 individë të zgjedhur nga Kuvendi nga institucionet kushtetuese. Sot që flasim 20 individëve u ka mbaruar mandati prej kohësh, pra 20 % e këtyre institucioneve kushtetuese janë bosh, 2 prej të cilëve i ka Presidenti i Republikës”.

Kryeparlamentari Ruçi ka reaguar në lidhje me çështjen duke “kërkuar një memo çfarë rekomandoni ju për të bërë këto që ngriti zoti Murrizi, që 20% e vendeve të institucioneve të krijuara me ligj janë bosh. Nuk është vërtetë. Nuk i ka të gjitha presidenti. Vërtet i ka KLSH-ja, të dy, por nuk ka 20%. Po, ata të dy ka ai, por 18 të tjerët janë këtu. Kështu që duhet ta mbyllim çështjen”.

Ndërsa ngërçi më i madh mbetet zgjedhja e Kryetarit të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka mbetur peng i përlasjeve mes propozuesit që është Presidenti dhe Kuvendit që duhet ta votojë, mazhoranca socialiste. Bujar Leskaj u tërhoq nga pozicioni para dy vitesh pas mbarimit të mandatit por u rikthye në detyrë disa muaj më vonë pasi Kuvendi i refuzoi Presidentit tre propozime për zëvëndësin e tij.

Deputeti Murrizi ka propozuar “t’i çohet shkresë Presidentit edhe për KLSH-në, edhe për Eduard Ypin, që ka 6 muaj që i ka mbaruar mandati tek Autoriteti i Konkurrencës”. Sipas Murrizit, “Shoh që nga Saimir Kumbaro, të gjithë KRTRRSH-së dhe KDRTRSH-së me Pashk Përvathin, Artan Peqinin, Xhemal Maton, Albana Sulçen, Elidon Halitin, Xhelil Aliun, Vladimir Groshin, Gentjan Salën, Gledis Gjepalin, Pirro Mishën, Zylyftar Bregun, Eduard Ypi, Bujar Leskajn, u ka mbaruar mandati. Pse duhet t’i lëmë? Çfarë institucionesh kushtetuese janë këto kur 1/5-ta e tyre është bosh? Ju i keni votat, bini në konsensus, çojini letër atij. Besoj e mbaruat periudhën e zemëratës. Ulsi, a u pajtuat me Metën? Ose pajtohuni tamam dhe thoni t’i sjellë, ose futini “objekt hetimor” se shkelje kushtetuese është ajo që ka lënë vendin 2 vjet pa kryetar KLSH-je”.

Përveç KLSH, situata me drejtues pa mandate është e njëjtë te Autoriteti Mediave Audiovizuale dhe Këshillit Drejtues të RTVSH ku ka pëfunduar mandatin e kryetarit dhe antarëve dhe Kuvendi megjithëse ka hapur garën nuk ka arritur të zgjedhë drejtuesit e rinj.

Po ashtu Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare mbetet prej më shumë se një viti pa anëtarin e Bordit që mbante detyrën e zv.drejtorit pas përplasjes së ministres së Financave dhe Ekonomisë me ish-ministrin Ahmetaj ku secili kishte depozituar të preferuarën e tij për votim por Kuvendi s’ka votuar asnjërën prej kandidaturave. Po për këtë institucion, mandati i drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv që është dhe anëtar Bordi ka përfunduar në fund të muajit dhjetor dhe qeveria ka hapur procedurat për zgjedhjen e drejtorit të ri.

Edhe Banka e Shqipërisë mbetet me një vakancë në Këshillin Mbikëqyrës pasi u ndërpre me shkarkim mandati i z. Malaj dhe duhet që qeveria të propozojë një tjetër përfaqësues të saj në Këshill dhe më pas të votohet nga Kuvendi.

Edhe INSTAT pas lëvizjes së ish-drejtoreshës Ibrahimi drejt DP të Tatimeve mbetet pa drejtor të përgjithshëm megjithëse Kryeministria ka zhvilluar dy procedura për tërheqjen e kandidaturave por ende nuk ka selektuar drejtuesin e ri.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of