Shqipëria ka një kuadër ligjor që nuk është i harmonizuar plotësisht me direktivën e Bashkimit Europian sa i takon menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Në një forum që kishte në bazë Menaxhimin e Integruar të mbetjeve dhe Ekonominë Qarkulluese ambasadori gjerman Peter Zingraf u shpreh se pavarësisht kësaj Shqipëria nuk duhet të synojë arritjen e suksesit të menaxhimit të mbetjeve për shkak të rregullave të Brukselit por për vetveten.
Ai u shpreh se sheh angazhim tek lidershipi dhe palët e përfshira çka ka dhënë rezultat sa i takon mbledhjes së mbetjeve por ajo ku duhet të ketë më shumë vëmendje tashmë është edhe ndarja apo riciklimi si një formë për të ulur kostot e menaxhimit të mbetjeve që nesër mund të kthehen në të mira siç janë ndërtime shkollash apo spitalesh.
“Shqipëria e ka vendosur arritjen e objektivave afatgjatë për sistemin modern të menaxhimit të mbetjeve sipas direktivës së BE dhe legjislacioni aktual nuk është në përputhje tërësisht me direktivën e BE në sektorin përkatës. Këto janë modifikuar që në 2018 në linjë me pikat e ekonomisë qarkulluese. Ju e bëni këtë për Shqipërinë dhe jo për rregullat e Brukselit dhe për të reduktuar koston sepse mbetjet janë të kushtueshme dhe nëse i reduktoni ato dhe i ripërdorni këto materiale do të reduktoni dhe koston e asaj që mund të shpenzoni në fusha si arsimi apo shëndetësia.
Me nisjen e bisedave për hyrjen në BE dhe kuadrin rregullator për sektorin e ekonomisë do të jetë e detyrueshme dhe për rrugën tuaj një strategji për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta e mbështetur nga GIZ dhe Masterplani i mbështetur nga KFË. Janë dy elementët kyç që ju drejtojnë drejt kësaj rruge. Gjermania e vlerëson shumë që sektori i menaxhimit të integruar të mbetjeve është me rëndësi. Menaxhimi i i mbetjeve është përmirësuar gjatë viteve të fundit. Niveli i mbulimit nga 52 për qind ka arritur në 82 për qind. Është një hap shumë i mirë për depozitimin e mbetjeve të ngurta por nuk është mbuluar trajtimi apo riciklimi që sërish do të reduktojë kostot. Tageti i ricikilimit është i ulët dhe nuk është përcaktuar një qëllim kombëtar në planin kombëtar dhe kjo është ajo që duam të arrijmë dhe jemi në krahun tuaj. Me mbështetjen tonë Shqipëria ka ndërtuar vende depozitimi në disa bashki dhe ato mund të shërbejnë si shembuj” tha Zingraf.
Në fjalën e tij në forum kryeministri Rama do të nënvizonte se bashkitë e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit kanë ndryshuar plotësisht pamjen nga malet me mbetje të viteve më parë. Edhe pse nuk i emërtoi specifikisht janë pikërisht këto tre qytete ku janë ndërtuar inceneratorët e shumëdiskutuar. Kryeministri u shpreh se bashkitë duhet të ndryshojnë qasje dhe të ndjekin shembuj pozitivë duke sjellë plane konkrete sa i takon trajtimit dhe riciklimit. “
“Kur nisëm këtë rrugëtim në mandatin e parë në Shqipëri 50 për qind e mbetjeve mbeteshin rrugëve. I merrnin ujërat, digjeshin në fusha shumë pranë zonave të banuara. Banorët e Kombinatit në Tiranë të Elbasanit apo Fierit ku sot situata është absolutisht tjetër besoj e kujtojnë akoma se çfarë ndodhte në zonat e tyre me malet e plehrave që sillnin në çdo dritare ajrin e ndotur dhe toksik. Pa diskutim banorët e Durrësit e kujtojnë kur për fat të keq ka mbetur dhe në mendjen e shumë njerëzve edhe jashtë Shqipërisë, fusha mbushur me vargmale plehrash në Porto Romano e cila sot është kthyer në një nga parqet urbane më të mëdha të Shqipërisë. Kemi ende një sasi të vogël që mbetet e pa grumbulluar që sërish duhet trajtuar si problem i madh. Këtë vit kemi pasur vitin më shembullor turistik sa i takon pastërtisë ku dua të përmend Himarën si histori suksesi. Kjo ndodhi sepse konceptuam ndryshe marrëdhënien me bashkitë dhe u reflektua. Bashkia e Lezhës e ka bërë e para këtë. Pogradeci ka qenë për të ardhur keq për konfliktin e pamjes vizuale dhe për plehrat e mbetura rrugëve. Elbasani jo thjesht për faktin që falë impiantit u hoq gjithë fusha mesjetare e plehrave pak hapa nga qyteti dhe iku dhe reja e zezë. Të gjitha këto bashki nuk janë dot të krahasueshme gjithsesi me Cërrikun dhe Sarandën që janë disa hapa para sa i takon trajtimit dhe riciklimit të mbetjeve për të nxjerre sa më shumë produkt ekonomik nga ri qarkullimi. Cërriku ka ngritur një model për të marrë shembull dhe shpresoj që një nga detyrat e lëna në atë takimin me kryebashkiatët që ishte marrja e shembullit të Cërrikut dhe për ta aplikuar në zonat e tyre ruale të jetë fakt në takimin e radhës” tha Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.