Mbeturinat elektronike shënojnë rekord në 2019

27/07/2020 6:10 PM 0 komente

Situata është e rëndë, mbi të gjitha në Europë dhe e destinuar të përkeqësohet – edhe sepse bëhet fjalë për materiale të dëmshme për mjedisin dhe të rrezikshme për shëndetin e njerëzve…

 

Kondicionerë, televizorë, kompjuterë. Por edhe kufje, celularë, ventilatorë apo printerë. Të gjitha këto klasifikohen si e-waste, ose mbeturina elektronike. Lajmi – i keq – është se në të gjithë botën, në vitin 2019, janë prodhuar 53,6 milionë tonë, një shifër rekord, e cila përkthehet në 7,3 kg për banor, me qytetarët europianë, që kapin shifrën 16,2 kg. Bëhet fjalë për një problem në rritje, shpesh i mospërfillur, nëse merret në konsideratë një rritje me 21% në pesë vitet e fundit.

Shifrat janë publikuar në edicionin e tretë të raportit Global E-Waste Monitor të Universitetit Onu dhe International Solid Waste Association. Kërkuesit theksojnë se kjo shifër është e destinuar të rritet në 74 milionë tonë brenda vitit 2030. Mbi të gjitha është shqetësuese shkalla e rritjes, nëse ndërthuret me faktorë të tjerë: në fakt, e-waste po rriten tre herë më shpejt sesa popullsia botërore dhe 13% më shpejt se PBB botërore e regjistruar në periudhën 2015 – 2020 – shpjegon Antonis Mavropoulos, president i International Solid Waste Association (ISWA).

Paradoksi i vërtetë qëndron se, nëse këto produkte do të rikuperoheshin, në vend që të hidheshin, do të vlenin 57 miliardë dollarë. Raporti nënvizon se në vitin e fundit është ricikluar vetëm 17,4%. Nuk duhet harruar se është e vërtetë që mbeturinat elektronike përbëhen, mbi të gjitha, nga materiale si plastika dhe silici, por përmbajnë edhe sasi të mëdha bakri, ari, argjendti dhe metale të tjera të çmuara.

Përveç rikuperimit të tyre, asgjësimi është i dëmshëm, veçanërisht për mjedisin, për çlirimin e dioksidit të karbonit dhe toksik për shëndetin e gjithë qytetarëve, pasi përmbajnë elemente si merkuri, që mund të dëmtojë trurin dhe sistemin nervor.

Autorët e studimit vlerësojnë se, në vendet me të ardhura të larta (p.sh. në Shtetet e Bashkuara), 8% e mbeturinave elektronike hidhet në koshat e zakonshëm, duke përfunduar kështu në inceneratorë. Kjo shpjegon pjesërisht edhe se pse 50 tonë merkur vlerësohet se vjen nga monitorë të vjetër, qarqe e llapma fluoreshente.

 

Situata në Europë

Europa shënon dy rekorde të kundërta – nga një anë, kontinenti i vjetër renditet i pari për sasinë e mbeturinave elektronike të prodhuara. Në anën tjetër është kontinenti me efikasitetin më të madh në procedurat për mbledhjen dhe riciklimin e mbeturinave elektronike. Nga studimi del se, lëndët e para që përfshihen në mbeturinat e 39 vendeve të analizuara të Europës Kontinentale do të vlenin rreth 13 miliardë dollarë. Jo vetëm, raporti flet për një çlirim të mundshëm të dioksidit të karbonit në 12,7 tonë.

Në lidhje me sistemet e menaxhimit të mbeturinave elektronike, në raport lexohet se vendet e Bashkimit Europian, janë të “mirëzhvilluara”, duke ndjekur rregulloret e BE-së të vitit 2003. Për këtë arsye, sipas të dhënave të vitit 2017, “statistikat tregojnë që 59% e mbeturinave elektronike gjenerohen në Europën e Veriut dhe 54% e mbeturinave elektronike në Europën Perëndimore është dokumentuar se riciklohen zyrtarisht”.

 

Si t’i përgjigjemi

“Numri i vendeve që kanë adoptuar një politikë, legjislacion apo një rregullore kombëtare për mbeturinat elektronike është rritur nga 61 në 78, nga viti 2014 në vitin 2019. Megjithatë, në shumë rajone, progresi rregullator është i ngadaltë, zbatimi është i ulët, si dhe grumbullimi dhe administrimi i duhur i mbeturinave elektronike është i dobët” – shkruajnë studiuesit.

Në veçanti, për studiuesit, aktivitetet e vetme të mbledhjes sot nuk janë më të mjaftueshme, edhe nëse vijojnë nëpërmjet shitësve me pakicë apo shërbimit të grumbullimit. Për këtë arsye, të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre, duke ndjekur udhëzimet lokale, duke respektuar rregullat e rekomandimet dhe duke nxitur riciklimin.

Burimi: Wired

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of