Mbi 250 mln euro investime të huaja ne Kosovë, këto shtete çuan më së shumti para

14/01/2021 2:30 PM 0 komente

Edhe në vitin që e lamë pas investimet e huaja në Kosovë nuk kanë munguar. Deri në muajin shtator vlera e tyre ka shkuar në 250.6 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 216.4 milionë euro në 2019. Shtetet që investuar më së shumti janë; Shqipëria, Gjermania, Hungaria dhe Zvicra.

Investimet e huaja direkte kanë vazhduar të arrijnë në Kosovë edhe gjatë vitit 2020, ndonëse ky vit ishte i rëndë për shkak të pandemisë.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar për Monitor se deri në muajin shtator të vitit të kaluar vlera e investimeve ka arritur në 250.6 milionë euro.

Kjo vlerë e investimeve sipas BQK është pak më e lartë se sa gjatë vitit 2019.

Sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre deri në shtator 2020 arriti në 250.6 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 216.4 milionë euro të regjistruar deri në shtator 2019”.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar se gjatë kësaj periudhe, rritje shënuan kryesisht investimet e huaja direkte në sektorin e shërbimeve financiare, të cilat shënuan vlerën prej 66.2 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 10.9 milionë euro të regjistruar deri në shtator 2019.

“Në anën tjetër, investimet në patundshmëri, të cilat paraqesin kategorinë kryesore të investimeve të huaja direkte në Kosovë, zbritën në 135.8 milionë euro, nga 176.2 milionë euro sa ishin një vit më parë”, kanë thënë në BQK.

Kurse, raporti i fundit i BQK-së mbi “Vlerësimin Tremujor të Zhvillimeve Makroekonomike” në Kosovë, përmend faktin se Llogaritë financiare të bilancit të pagesave në vendin tonë kanë shënuar një vlerë prej -284.1 milionë eurove, që është një rritje e bilancit negativ, në krahasim me vitin 2019, kur kjo llogari kishte vlerën e vetëm -145.1 milionë euro.

Sipas BQK-së, kjo rritje e bilancit negativ në llogaritë financiare vendore ishte kryesisht si rezultat i zvogëlimit të investimeve jashtë Kosovës, e kryesisht atyre portfolio.

Edhe detyrimet në kuadër të llogarisë financiare kanë shënuar një rritje prej 25.4 për qind, thotë po i njëjti raport.

E niveli i rritjes së IHD-ve në vend, sipas BQK-së, i atribuohet edhe faktit se gjatë gjysmës së parë të vitit 2020 kompanitë e huaja që operojnë në Kosovë nuk kanë shpërndarë dividentë për aksionarët e tyre, indikacion ky se kriza mund të ketë goditur edhe IHD-të përkundër rritjes së tyre.

Megjithëkëtë, gjatë dy muajve të fundit këto investime kishin shënuar rënie, përkundër rritjes së lehtë në muajt paraprak.

“Në kuadër të strukturës së IHD-ve, kapitali dhe fondi i investimeve në aksione arriti vlerën prej 128.4 milionë euro dhe shënoi rritje prej 56.5 për qind, ndërsa IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan rritje vjetore prej 26.3 për qind dhe arritën vlerën prej 36.3 milionë euro”, thuhet tutje në këtë raport të BQK-së.

Shqipëria, Gjermania dhe Hungaria investuan më së shumti

Ndërsa sa i përket origjinës së Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë, Shqipëria paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti Investime me një shumë prej 32 milionë eurove vetëm deri në qershor të 2020.

Pas Shqipërisë, vendin e dytë për nga këto investime e zë Gjermania me 29.2 milionë euro, pastaj Hungaria me 25.8 milionë euro, si dhe Zvicra me 25.4 milionë euro.

Gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar në Kosovë një shumë prej mbi 13 milionë eurove gjatë kësaj periudhe.

Investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie nga 400 në 100 milionë euro, sidomos në pesë vitet e fundit. Bilanci i investimeve në vitin 2014 ishte 123.9 milionë euro, që paraqet një rënie të konsiderueshme krahasuar me vlerën prej 250.2 milionë euro në vitin 2013.

Ndërsa, bilanci i IHD-ve në vitin 2015 ishte 287.3 milionë euro, që paraqet një rritje të lartë krahasuar me vlerën prej 123.8 milionë euro në vitin paraprak. Në vitin 2016 Investimet e Huaja Direkte të pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 215.9 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët.

Investimet e huaja në vitin 2017, arritën vlerën prej 287.8 milionë euro, që paraqet një rritje prej 30.8 për qind krahasuar me vitin 2016.

Ndërsa vit i keq për investime është cilësuar viti 2018, me një vlerë prej 121.9 milionë euro dhe shënuan rënie vjetore prej 43.0 për qind.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of