Punojnë, por nuk kanë një kontratë që do ta dëshmonte se ata punojnë. Më shumë se 33 për qind e punonjësve në Kosovë, punojnë pa kontrata. Por, edhe ata që kanë kontrata, shumica prej tyre i kanë të përkohshme. Edhe në Inspektoratin e Punës, ka treguar se kanë hasur në punëtorë pa kontratë pune.
Shumë punëtorë në sektorin privat edhe më tutje vazhdojnë të punojnë pa kontrata pune, ndonëse një veprim i tillë paraqet shkelje ligjore.
Sipas anketës së fuqisë punëtore përpiluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës 33.2 për qind e të rinjve nga mosha 15 deri 24 vjeç punojnë pa kontrata. Përveç kësaj, sipas statistikave të ASK 86 për qind e masës së përgjithshme të të anketuarve kanë kontrata individuale.
“Për sa i përket llojit të kontratës, që kishin të punësuarit e intervistuar, shumica (86.0%) kishin një kontratë individuale, ndërsa pjesa tjetër punonin pa kontratë. Për të rinjtë e moshës (15 deri 24 vjeç), përqindja e atyre që punonin pa kontratë ishte 33.2 %.”.
Agjencia e Statistikave ka treguar se nga personat, që kishin kontratë pune, vetëm 25.5 për qind kishin një kontratë të përhershme për punën e tyre kryesore, ndërsa 74.5 për qind kishin kontrata të përkohshme.
“Shifrat janë të ngjashme për meshkujt dhe femrat. Personat, që kishin kontrata të përkohshme, u pyetën se pse ata kishin këtë lloj kontrate dhe 83.3% e të intervistuarve raportuan se nuk kishte asnjë lloj tjetër kontrate në dispozicion. Kur u pyetën nëse kishin të drejtë, në punën e tyre kryesore, të përfitimit nga një skeme e sigurimeve sociale në punë, të dhënat nga anketa treguan se vetëm 12.1 % e punonjësve e kishin këtë të drejtë”.
Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës, ka treguar se kanë hasur në punëtorë pa kontratë pune.
Ai thotë se në vitin 2018 kanë hasur në më shumë se 700 raste të punëtorëve pa kontratë pune.
“Punësimi joformal mund të themi se ka shënuar rënie dhe tani nuk është në nivelet që ka qenë në vitet e mëparshme, pasi që çdo vit kemi pasur rënie të numrit të rasteve. Në vitin 2018 kemi pasur mbi 700 raste të punëtorëve pa kontrate pune, kurse në vitin 2017 kanë qenë 1.250 punëtorë pa kontratë pune, derisa në vitin 2016 kemi hasur në 3.000 punëtorë pa kontratë pune”.
Ai ka treguar se vetëm në vitin 2018 janë shqiptuar rreth 270 gjoba për biznese, në të cilat gjoba përfshihen edhe mbajtja e punëtorëve pa kontrata pune.
Kontrata e punës është veprim juridik i dyanshëm, i cili rregullon të drejtat të punëdhënësit dhe të punëmarrësit.
Në bazë të kontratës, punëdhënësi është i detyruar që të punësuarin ta paraqesë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucionet tjera, të cilat menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat tjera.
Po ashtu, punëdhënësi është i obliguar për pagesën e kontributeve dhe detyrimeve tjera ligjore.
/Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.