Mbi 55% e bizneseve në Kosovë ndaluan plotësisht punën gjatë pandemisë

10/06/2021 3:00 PM 0 komente

Pandemia e Covid-19 ka pasur pasoja të renda sa i përket aktivitetit të përditshëm të bizneseve në Kosovë.

Pas masave kufizuese, 56 për qind e bizneseve kanë deklaruar se kanë ndaluar plotësisht aktivitetin e tyre në maj 2020 deri në mars 2021, ndërsa 13 për qind e bizneseve raportuan se kishin pezulluar plotësisht aktivitetin.

Mbi gjysma e bizneseve në Kosovë kanë ndaluar plotësisht aktivitetet e tyre gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 dhe se mbi 40 për qind e tyre kanë pasur ndikim financiar.

Kështu thuhet në raportin “Vlerësimit i Tretë të Ndikimit Socio-Ekonomik”, prezantuar nga UNDP, UN Women dhe UNFPA.

“Bizneset e Kosovës janë prekur negativisht nga pandemia me ndikim të rëndësishëm në punën e tyre të përditshme. Pas masave kufizuese, 56 për qind e bizneseve kishin ndaluar aktivitetet e tyre plotësisht në maj 2020 përderisa në mars 2021, vetëm 13 për qind e bizneseve raportuan se kishin ndaluar plotësisht aktivitetet e tyre. 41 për qind e bizneseve deklaruan që ndikimi financiar i pandemisë ishte shumë negativ”, thuhet në raport.

Për sa i përket humbjeve të vendeve të punës, në këtë vlerësim tregohet se niveli papunësisë vazhdon të jetë i njëjtë në nivelin e nëntorit të 2020-së.

“Humbjet e vendeve të punës janë akoma në të njëjtin nivel me nëntorin e vitit 2020, ku 11 për qind e të anketuarve raportuan se kishin humbur vendet e tyre të punës, krahasuar me 8 për qind në maj të vitit 2020. Shumica e atyre që kishin humbur punën ende nuk morën mbështetje financiare ose përfitime të papunësisë nga institucionet ose komunat”, tregohet në vlerësim.

Lidhur me pronësinë e bizneseve, UNDP shpjegon se gratë e kanë pasur më vështirë ta përballojnë situatën e pandemisë.

“Kur të krahasohen të dhënat mbi tre raundet e vlerësimit, duket se bizneset në Kosovë janë më të sigurta në aftësitë e tyre përballuese në mars 2021 krahasuar me nëntorin dhe majin e vitit 2020. Sidoqoftë, shumë më pak biznese në pronësi të grave kanë deklaruar se biznesi i tyre mund të përballojë situatën aktuale të pandemisë për më shumë se gjashtë muaj me 21 për qind krahasuar me bizneset në pronësi të burrave me 32 për qind”, shpjegon UNDP.

Në fund, raporti tregon se kundërshtimi ndaj masave kufizuese është rritur gradualisht.

“Kundërshtimi ndaj masave kufizuese është rritur gjithashtu gradualisht që nga maji i vitit 2020 kur 22 për qind kundërshtuan deri diku. Në nëntor 2020, 58 për qind e bizneseve kundërshtuan kufizimet deri në një masë dhe në mars 2021 ishte 61 për qind”, përfundon raporti.

Gastronomia konsiderohet sektori më i dëmtuar nga vendimet e qeverisë për masa izoluese apo kufizuese, që nga paraqitja e rasteve të para më koronavirus në Kosovë, në mars të vitit 2020. Për këtë qëllim, qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, nga Programi për rimëkëmbje ekonomike, në muajin janar të këtij viti ka ndarë 3 milionë euro, shumë kjo që ende nuk ka filluar të shpërndahet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, në territorin e Kosovës janë të regjistruara rreth 20 mijë biznese në sektorin e gastronomisë.

Bizneset në vazhdimësi janë ankuar se Qeveria e Kosovës ka ndihmuar shumë pak biznesin që të kalojë krizën financiare që iu ka shkaktuar pandemia COVID-19 .

Deri më tani Qeveria e Kosovës ka shpërndarë për sektorin privat vetëm 22 milionë euro. Kjo shpërndarje është bërë nga fondi 222 milionë eurosh, fond ky në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of