Agjencia e Statistikave ka publikuar Rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit për vitin 2021. Nga rezultatet e dala nga ky publikim, rezulton se ekonomitë familjare në Kosovë kanë pasur qasje në internet nga shtëpitë, nga çfarëdo pajisjeje, prej 96.1%, ndërsa 2.1% e ekonomive familjare janë deklaruar se nuk kanë pasur qasje në internet nga asnjë lloj pajisjeje.
Mbi 96.1% të ekonomive familjare kanë qasje në internet, ku prej tyre 62.3% janë përmes telefonit.
Kështu thuhet në raportin “Rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, 2021”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
“96.1% e ekonomive familjare kanë qasje në internet, 94% janë shërbyer përmes linjës fikse (rrjeti optik ose kabllor, ADSL, DSL, VDSL, internet kabllor), ndërsa 62.3% përmes linjës telefonike (telefona të mençur, tablet)”, thuhet në raport.
Sipas ASK-së, ka pasur rritje në përdorimin e internetit nga linja telefonike.
“Në krahasim me vitin 2020, vërehet se ka pasur rënie në përqindje të përdorimit të internetit përmes linjës fikse prej 1.1% , por nga ana tjetër ka pasur rritje në përdorimin e internetit nga linja mobile prej 8.3% ”.
Për sa i përket përdorimit të internetit, del se rreth 90% e qytetarëve në Kosovë e kanë përdorur atë çdo ditë ose pothuajse çdo ditë.
“Rreth 87.6% e individëve e kanë përdorur internetin çdo ditë ose pothuajse çdo ditë, ndërsa 80% e tyre përfaqësojnë individët që kanë përdorur internetin disa herë gjatë ditës, krahasuar me vitin 2020 vërejmë se ky tregues ka shënuar një rënie prej 11.4% ”.
Qasja më e madhe e internetit nga shtëpia është nëpërmjet telefonave.
“93.1% e individëve të cilit kanë pasur qasje në internet larg nga shtëpia ose puna gjatë tre muajve të fundit në vitin 2021 janë qasur përmes telefonit apo përmes telefonit të mençur. Individët të cilët kanë pasur qasje në internet përmes kompjuterit përfaqësojnë 32.1% , ndërsa me laptop 28.8% , me tablet 24.6% si dhe përmes pajisjeve të tjera me 44.4% ”, tregon Agjencia e Statistikave.
Referuar të dhënave të fundit të publikuara në raportin vjetor të Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, del se Kosova është e para për sa i përket qasjes në internet.
Sipas Komisionit Europian, qasja në internet në Shqipëri është 85% , në Serbi 80% , Maqedoni e Veriut me 79% , në Mal të Zi me 74% dhe në Bosnjë-Hercegovinë me 72% .
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.