Minatorët e Trepçës janë futur sërish në grevë, për shkak të mungesës së pagave.
Ky është një problem i vazhdueshëm muajt e fundit për minatorët e Trepçës ku qeveria është dashur që të ndërhyjë disa herë me ndarje të mjeteve për sigurimin e rrogave për minatorët.
E gjatë ditës së sotme mbi 700 minatorë në minierën e Stan Tërgut dhe në Artanë kanë hyrë në grevë të përgjithshme.
Shkak për këtë grevë janë mos marrja e pagave për muajt janar dhe shkurt.
Lajmin e ka konfirmuar u.d kryeshefi “Trepçës”, Enes Muzaqi.
“Minatorët kanë hy në grevë për shkak të vonesës së pagave sepse nuk kanë dal subvencionet nga Ministria e Ekonomisë, janë subvencione që çdo vit ndahen pagat për janar dhe shkurt nga subvencionet për paga nga buxheti i Republikës. Ne kemi dërgua kërkesën më datë 16, këto vonesa nuk kanë ndodhur në të kaluarën”, ka thënë ai.
Greva nga minatorët ka pasur disa herë në javët e fundit, ndërsa sindikata e punëtorëve në vazhdimësi paralajmëron grevë të përgjithshme nëse nuk iu realizohen kërkesat për paga.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.