Në aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” brenda këtij viti kanë kaluar mbi 2 milionë udhëtarë. Ky numër të rritet edhe gjatë ditëve të mbetura të këtij muaji. Vetëm këtë muaj kanë fluturuar 1 mijë e 423 aeroplanë, kurse numri më i madh i udhëtimeve janë nga Zvicra dhe Gjermania.
Gjatë muajit dhjetor, përkatësisht për festat e fundvitit, duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në Kosovë kanë fluturuar 1 mijë e 423 aeroplanë.
“Nga data 1 deri 28 dhjetor kanë fluturuar 1,423 aeroplanë me 180 mijë pasagjerë. Deri në fund të 2021 presim të përmbyllim vitin me 2.1 milionë pasagjerë”, kanë treguar në ANP, duke shtuar se numri i mërgimtarëve që kanë udhëtuar në vend është 180 mijë.
Në aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës presin se numri i udhëtarëve të regjistruar do të rritet vitin e ardhshëm, duke kaluar shifrat 2.5 milionë.
“Për shkak të pandemisë, është një nivel i kënaqshëm i udhëtarëve dhe fluturimeve që nuk është pritur nga ne dhe aeroportet tjera të rajonit. Çdo vit shkon duke u shtuar numri i udhëtarëve, në vitin tjetër në rast se nuk do të ketë kufizime dhe masa të reja apo ndonjë variant të ri të virusit që do të parandalonte fluturimet ne presim të arrijmë një shifër diku rreth 2.5 milionë udhëtarë, një përqindje më e lartë nga ajo me të cilën presim ta përmbyllim këtë vit, e që është 2.1 milionë”.
Në ANP kanë treguar edhe për rregullat tjera që duhet ndjekur qytetarët për të fluturuar, përveç kontrollit së pasaportës e vizës.
“Gjatë kësaj kohe përpos kontrollit të pasaportës, vizës, janë kërkuar edhe teste shtesë, dokumente të vaksinimit. Por ajo që ka shkaktuar një vonesë më të gjatë është plotësimi i formularëve që disa shtete i kanë kërkuar online, i cili pastaj duhet të dërgohet me e-mail”.
Mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se brenda kësaj periudhe janë dërguar 12.6 miliardë euro.
Vlera më e madhe e remitencave është ajo e vitit 2020, ku pavarësisht pandemisë COVID-19 mërgata ka dërguar 1.18 miliard euro.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, nga muaji janar deri në muajin tetor 2021, vlera e remitencave në Kosovë ka arritur në 956 milionë euro, me një rritje prej 20 për qind nga viti i kaluar.
“Viti 2021 shënoi një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë, ku vlera e tyre deri në fund të muajit tetor është 956 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 20 për qind”, ka treguar guvernatori Fehmi Mehmeti gjatë një konference për medie.
Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë më shumë se 850 mijë banorë. Numër i madh i tyre jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.