Shëndetësia e komunës së Mitrovicës vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha, ndonëse autoritetet komunale dhe ato të nivelit qendror po bëjnë përpjekje për ta ndryshuar situatën. “Islamic Relief Worldwide-Kosova” përkrah shëndetësinë e komunës së Mitrovicës me 370 mijë dollarë, ndërsa ka vazhduar edhe për 6 muaj projekti i ndihmës mjekësore për personat me regjim shtrati, që ka koston 235 mijë euro, shkruan sot, gazeta Zeri.
Shëndetësia e komunës së Mitrovicës vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha edhe pas premtimeve të Qeverisë së Kosovës, respektivisht të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ka premtuar ndihmën e vetë për plotësimin e kuadrit profesional.
Në të dyja nivelet, edhe në spitalin rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” e edhe në QKMF-në e Mitrovicës dhe qendrën e Mjekësisë Familjare, ndihet mungesë e mjekëve, sidomos ndihet mungesë e specialistëve në spitalin rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”. Punësimi nuk mund të bëhet, siç kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë, për shkak të kufizimeve buxhetore.
Spitali rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” sidomos ka nevojë të madhe për anesteziologë, kirurgë, neonatologë, pediatër, radiologë, urologë, por edhe personel për Ortopedi dhe Infektive.
Mungesë e mjekëve ndihet edhe në qendrat e mjekësisë familjare.
Ka vite që ky institucion shëndetësor përballet me mungesë të mjekëve dhe për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës kishte ndërmarrë një veprim që të dërgojë mjekë specialistë në spitalin rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, por kjo kishte zgjatur vetëm për një kohë, për shkak të shpenzimeve të mëdha, të cilat nuk kishte mundur t’i mbulojë kjo Ministri.
20 mjekë kërkojnë punë
Spitali Rajonal i Mitrovicës funksionon me atë numër të mjekëve që ka aktualisht dhe të cilët pothuajse kanë arritur kohën për të shkuar në pension.
Mitrovica aktualisht ka 20 mjekë që kanë mbaruar studimet, të cilët kërkojnë punë, por asnjë prej tyre nuk mund të punësohet në asnjë institucion shëndetësor në Mitrovicë.
Pos në Spitalin Rajonal, mungesë e madhe e mjekëve ndihet edhe në qendrat e mjekësisë familjare si dhe me punëtorët shëndetësorë në qendrat ambulatore në lokalitetet shqiptare, të cilët paguhen nga buxheti i komunave veriore.
Kryetari i Mitrovicës, Bahtiri, ka vlerësuar se bashkëpunimi midis dy niveleve shëndetësore dhe komunës duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i frytshëm në mënyrë që të gjitha shërbimet shëndetësore që qytetarët i kërkojnë t’iu ofrohen këtu dhe mos të lejohen të bredhin nëpër qendra të tjera mjekësore.
Ndonëse kufizimet buxhetore, sipas MSH-së, nuk lejojnë pranimin e specialistëve dhe të mjekëve të rinj në spitale dhe në QKMF, janë donatorë të ndryshëm ata që po e përkrahin shëndetësinë e Mitrovicës.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtori i organizatës “Islamic Relief Kosova’, Ramadan Berisha, kanë nënshkruar një marrëveshje për një donacion pajisjesh dhe material shpenzues mjekësor për institucionet shëndetësore të komunës së Mitrovicës.
Marrëveshja ka të bëjë kryesisht me përmirësimin e shërbimeve shëndetësore të kujdesit parësor dhe kujdesit dytësor shëndetësor për qytetarët e komunës së Mitrovicës.
Produktet mjekësore sipas drejtorit të “Islamic Relief Kosova”, Ramadan Berisha, janë të dhuruara nga “Globus Relief” (SHPA), projekt ky që implementohet përmes “Islamic Relief Kosova”.
Nga donacioni fitojnë ambulancat
Po ashtu drejtori Berisha ritheksoi se përfituesit e këtij donacioni në vlerë prej 363.758.90 dollarësh do të jenë kryesisht institucionet shëndetësore në komunën e Mitrovicës, përkatësisht 13 ambulancat e komunës, 10 Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë familjare, si dhe spitali rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri më të gjitha repartet.
Në anën tjetër, Komuna e Mitrovicës ua ka nënshkruar kontratat 86 punëtorëve shëndetësorë, që do të vazhdojnë të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe pacientët që ndodhen në regjim shtrati dhe kanë vështirësi në lëvizje, përkatësisht që kanë nevojë për përkujdesje shtëpiake.
Kryetari Agim Bahtiri tha se ky projekt është me rëndësi të veçantë për arsye se ai synon ta shtojë efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët e komunës që nuk mund të marrin shërbime jashtë shtëpive të tyre.
Komuna e Mitrovicës së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrisë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe “Caritas Kosova” kanë vazhduar projektin “Përkujdesja shtëpiake”, që ka filluar para dy vjetësh, me ç’rast 86 teknikë dhe infermierë edhe për 6 muaj do të ofrojnë shërbime për qytetarët në gjendje të vështirë shëndetësore, në shtëpitë dhe banesat e tyre.
Ky projekt ka koston prej 235.000 eurosh, ku Komuna ka kontribuar me 80.000 euro, Ministria e Shëndetësisë me 50.000 euro, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me 75.000 euro dhe “Caritas Kosova” do të kontribuojë me shërbime dhe material shpenzues në vlerë totale prej 30.000 eurosh.
/Zëri/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.