Ekonomia e qarqeve të vendit po shkon drejt përkeqësimit dhe uljes së ritmeve të rritjes, për shkak të shpopullimit dhe pakësimit të burimeve ekonomike. Ekonomia e qarkut më të varfër në vend, Kukësit, ka rënë edhe me 7% në 10 vitet e fundit. Përtej sfidave, modeli “Korça” ia vlen të kopjohet. Profili i ri ekonomik i rajoneve. Kryebashkiakët e Kukësit dhe Korçës skanojnë sfidat e qeverisjes rajonale në aspektin ekonomik dhe të perspektivës
Blerina Hoxha
Jo rastësisht, shtetet europiane i kanë të zhvilluara rajonet e Veriut. Ato janë të pasura me burime natyrore, kryesisht miniera, të cilat kanë zhvilluar industrinë e rëndë dhe punën me vlerë të shtuar, duke krijuar diferenca të mëdha në nivelin e jetesës me rajonet e jugut që kanë burim kryesor bujqësinë.
Edhe Shqipëria, i ka të përqendruara burimet natyrore në Veri, prodhimi i energjisë, minierat e kromit dhe bakrit. Ndryshe nga Europa, veriu i Shqipërisë është rajoni më i varfër, por edhe ndër rajonet me të varfra të Europës. Ndërsa ekonomia e Shqipërisë nga viti 2009 deri në 2016 është rritur me 19.4%, Veriu i Veriut është rritur vetëm 17%. Rritja do të ishte më e ulët nëse në këtë rajon nuk do të ishte e përfshirë edhe Bashkia e Durrësit.
Ekonomia e Qarkut të Kukësit për të njëjtën periudhë është përkeqësuar, ka rënë me -7.4%. Veriu i cili ka në përbërje të tij Qarqet e Kukësit, Dibrës, Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit kontribuon me 23.7% të ekonomisë kombëtare. Ky është nivel më i ulët se të dy rajonet e qendrës dhe të Jugut ku secila kontribuon me 47.4 dhe 28.9% në totalin e Prodhimit të Brendshëm Kombëtar. Për shkak të kësaj situate, qarqet e Veriut po përballen me humbje masive të popullsisë të cilat e çojnë ekonominë e tyre në një rreth vicioz rënie.
Vetëm në vitin 2015, rreth 3000 familje, ose rreth 6000 persona janë larguar nga Bashkia e Kukësit. Keqtrajtimi me fonde nga qeveria qendrore, mosrespektimi i ligjit për ndarjen e rentës dhe fitimit nga kompanitë që shfrytëzojnë burimet natyrore janë disa nga arsyet e përkeqësimit të ekonomisë, tha kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu. Edhe vënia e tarifës në Rrugën e Kombit për mallrat dhe njerëzit do të ndikojë negativisht te perspektiva.
Gjatë periudhës së tranzicionit, Shqipëria po përjeton zhvillim jo të barabartë. Burimet ekonomike dhe të të ardhurave janë përqendruar në qendër të vendit, kurse rajonet mbeten të ekspozuara ndaj fenomenit të emigracionit dhe mungesës së planeve zhvillimore të qëndrueshme. Por, ka disa shembuj inkurajues se si qeverisja lokale mund të ndryshojë perspektivën ekonomike të rajonit. Korça është shembulli i shndërrimit vitet e fundit në një qendër graviteti për turizmin e brendshëm.
Vite më parë, Bashkia e Korçës vendosi t’i japë përparësi sektorit të turizmit, duke përmirësuar fillimisht infrastrukturën dhe më pas, duke marketuar zonën si një destinacion turistik. Sot, Korça ka rritjen më të qëndrueshme ekonomike dhe normën e papunësisë më të ulët në raport me qarqet e tjera.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, pohoi se, për të nxitur zhvillimin turizmit, “pas investimeve në infrastrukturë krijuam një paketë eventesh dhe festash të mëdha, të cilat jo vetëm nxitën, traditat e spikatura të Korçës dhe produktet lokale, por i sollën qytetit gëzimin dhe gjallërinë e munguar për shumë vite”. “Festat dhe marketimi i gjerë i tyre u bënë magneti i parë për vizitorët që mbushën hotelet jo vetëm të Korçës, por edhe të fshatrave e qyteteve fqinje në ditët e Festës së Birrës, Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve apo Panairit të Fundvitit. Krijuam e vijojmë të kemi një paketë të plotë të ngjarjeve kombëtare, mbarëkombëtare e ndërkombëtare me karakter kulturor”, tha Filo. LEXO TE PLOTE INTERVISTEN http://www.monitor.al/filo-nje-copez-europe-ne-shqiperi/
Rajonet e varfra rrënohen më tej
Shqipëria është ndoshta një ndër vendet e vetme në Europë që nuk ka një model të qartë zhvillimi kombëtar. Në këtë situatë, strategjitë e zhvillimit rajonal janë të fragmentuara dhe për zbatimin e tyre as që bëhet fjalë. Edhe zonat ku ka nisur spontanisht zhvillimi i turizmit, si rasti i Valbonës, po minohen nga planet e qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve. Planet nuk po kursejnë as zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, duke e shkatërruar edhe atë pak perspektivë për zhvillimin e rajoneve të varfra, kryesisht në Veri.
Zoti Shehu, kryetari i Bashkisë së Kukësit, pohon se, pushteti qendror, jo vetëm që nuk po mbështet me politika zhvillimi, por nuk po zbaton detyrimet ligjore që rrjedhin nga ligjet në fuqi. Shehu tha se, në territorin e Bashkisë së Kukësit kanë marrë leje nga strukturat përkatëse të qeverisë rreth 34 kompani minerare në shfrytëzimin e mineraleve krom, bakër, hekur-nikel, nikel-silikat, kuarc dhe boksite. Sipërfaqja e dhënë në shfrytëzim të këtyre kompanive minerare është 2,678 hektarë dhe mendohet se ka një rezervë minerali rreth 74 milionë tonë.
Në territorin e Bashkisë së Kukësit ushtrojnë aktivitetin 17 kompani hidroenergjetike që shfrytëzojnë pothuajse të gjithë rrjedhën e lumenjve të vegjël të bashkisë, por ndarja e rentës minerare është thuajse zero. “Përveç rentës, bizneset koncesionare që ushtrojnë aktivitet në bashkinë tonë duhet të paguajnë FI-në, detyrim që vijon të mos paguhet” – shtoi ai.LEXO TE PLOTE INTERVISTEN http://www.monitor.al/shehu-kukesi-po-zbrazet-nga-emigracioni-nuk-merr-pjesen-qe-i-takon-nga-burimet-natyrore-2/
Në të njëjtën situatë janë edhe bashkitë e tjera në vend, pasuritë e të cilave shfrytëzohen pa lënë asnjë detyrim në zonë.
Bazuar në ligjin për taksat kombëtare, renta minerare njihet në buxhetin e shtetit dhe shteti ia transferon një pjesë të rentës minerare pushtetit vendor (5% të rentës së paguar), përkatësisht njësisë së qeverisjes vendore prodhuese që gjeneron rentën.
Sfida e rajoneve, largimi i popullsisë
Në tri dekadat e fundit, disa qarqe të vendit, sidomos ato periferike, kanë humbur më shumë se gjysmën e popullsisë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga viti 1989 deri në vitin 2018, Qarku i Gjirokastrës ka pësuar tkurrjen më të madhe të popullsisë me rreth 60%. Më tej Qarku i Kukësit, me rreth 53%, ai i Dibrës dhe Beratit, me 46 dhe 43%.
Në qarqet e tjera, humbjet kanë qenë rreth 20-30%. Vetëm Qarku i Tiranës është thuajse dyfishuar pasi popullsia është rritur me rreh 98%, kurse Qarku i Durrësit 32%. Kryetari i Bashkisë së Kukësit pohon se tkurrja e popullsisë, që vijon me ritme të larta edhe sot, po shndërrohet në faktorin kryesor që pengon zhvillimin. Largimi po mbyll njësitë e shërbimit, shkollat dhe qendrat shëndetësore. Mbyllja e shkollave do të nxisë largimet – shton ai.
Largimi i popullsisë është shqetësim edhe për modelin më të mirë të qeverisjes lokale, Korçën. Zoti Filo tha se, një ndër sfidat e bashkisë është largimi i popullsisë për shkak të mundësive të kufizuara në punësim, si dhe kostove më të larta të jetesës në Korçë (dimri i gjatë dhe i kushtueshëm).
Shehu i Bashkisë së Kukësit, pohoi se largimi i popullsisë ka ulur forcën e punës e për rrjedhojë, shifrat e papunësisë në Qarkun e Kukësit janë ulur artificialisht, pasi njerëzit janë larguar, kryesisht të rinjtë.
Modeli “Korça” ia vlen të kopjohet
Në ditë festash si Krishtlindjet dhe Viti i Ri, Festa e Birrës në gusht apo panairet e vjeshtës, është e vështirë të bësh një rezervim në Korçë. Hotelet janë të rezervuara që një vit më parë. Si Korça, edhe qytete të tjera me traditë në kulinari, kulturë dhe histori si Shkodra, Berati apo Gjirokastra, kanë potenciale për zhvillimin e turizmit, Korça ka punuar vite me radhë, për të rritur turizmin.
Bashkia e Korçës është ndoshta njësia e vetme lokale, e cila ka një strategji të qartë zhvillimi rajonal bazuar në turizëm. Zhvillimi i Korçës, si destinacioni më popullor për turizmin e brendshëm në çdo stinë, është tërësisht meritë e qeverisjes lokale.
Bashkia e këtij qyteti ishte e para në vend ku zhvilloi brenda saj një strukturë dedikuar turizmit, e cila u mendua në detaje. Kryetari i Bashkisë së Korçës pohoi se deri para 10 vjetësh, turistët vinin deri në Pogradec, edhe pse Korça kishte kulturë dhe traditë. Në këtë kohë u vendos që turizmi të ishte përparësi në zhvillimin e qytetit, duke nisur fillimisht me përmirësimin e infrastrukturës. U siguria furnizimi 24 orë me ujë i qytetit dhe nisi ristrukturimi i rrugicave me kalldrëm në qytet.
“Për të nxitur zhvillimin e turizmit, fillimisht krijuam një paketë eventesh dhe festash të mëdha, të cilat jo vetëm promovuan traditat e spikatura të Korçës dhe produktet lokale, por i sollën qytetit gëzimin dhe gjallërinë e munguar për vite me radhë. Festat dhe marketimi i gjerë i tyre u bënë magneti i parë për vizitorë që mbushnin hotelet jo vetëm të Korçës, por edhe të fshatrave e qyteteve fqinje në ditët e Festës së Birrës, Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve apo Panairit të Fundvitit”, – tha Filo.
Shifrat flasin sot për një rritje dinamike të numrit të vizitorëve dhe bizneseve të shërbimit në funksion të turizmit. Vetëm në vitin e fundit, Korcëës i janë shtuar rreth 35 hotele dhe njësi akomodimi, gjë që tregon se turizmi është, veç të tjerave, një drejtim i duhur i zhvillimit ekonomik të Korçës. Rehabilitimi i Voskopojës është modeli se si fshatrat duhet të zhvillohen duke përmirësuar infrastrukturën e duke promovuar vlerat më të mira të traditës që mbartin. Sot, numri i shtretërve të Voskopojës është i barabartë me numrin e shtretërve të Beratit e ky fakt flet shumë. Është hartuar një paketë e plotë projektesh të lidhura me turizmin që përfshin qytetin Korçës dhe fshatrat, për perspektivën e këtij drejtimi shumë të rëndësishëm zhvillimi.
Punësimi, sfida e përhershme
Teksa papunësia i është kthyer rënies vitet e fundit, në disa qarqe treguesi shfaq diversitet të lartë. Në qytetin e Dibrës dhe Korçës, forca e punës po shteron. Në Qarkun e Vlorës, papunësia është gati dyfishi i mesatares kombëtare, kurse në Tiranë, papunësia është 4.2 pikë përqindje më e lartë se mesatarja kombëtare.
Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në qarqet e Korçës dhe Dibrës ishte respektivisht, 5.1 dhe 5.3% në tremujorin e dytë, me rënie të theksuar si nga tremujori i parë dhe nga viti i kaluar. Zhvillimet në punësim në të dy qarqet duket se e kanë përforëcuar perceptimin se popullsia e këtyre vendeve është e lidhur pas punës. Këto dy qarqe kanë pasuar edhe rritjen e PBB-së mbi mesataren e vendit pas krizës ekonomike 2008.
Si në Korçë (54.4% e të punësuarve) edhe në Dibër (me 59.5% të të punësuarve) punëdhënësi më i madh është sektori i bujqësisë. Në të kundërt, në Vlorë, Lezhë, Tiranë dhe Durrës, papunësia është më e lartë se mesatarja e Republikës. Në Vlorë, papunësia në tremujorin e dytë ishte 23.3% ose 11.1 pikë përqindje më e lartë se treguesi në rang vendi. Në qytetet e Vlorës dhe Durrësit, sektori i shërbimeve, kryesisht turizmi, ofron rreth 50% të punësimit. Duke qenë se puna në këtë sektor është sezonale, papunësia në tremujorë të caktuar është më e lartë se në qarqe të tjera të vendit.
Tirana vuan edhe nga papunësia e lartë, edhe pse rreth 60% e aktiviteteve ekonomike janë të përqendruara në këtë qark. Papunësia në kryeqytet shënoi 16.6% në tremujorin e dytë të këtij viti. Tirana dhe Lezha ishin të vetmet qarqe në rang vendi ku papunësia u rrit në tremujorin e dytë, në të gjitha qarqet e tjera, treguesi shënoi ulje.
Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 7,1% në industri, 3,4% në sektorin e shërbimeve dhe 1,2% në bujqësi. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2018, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart shënoi rritje prej 0,1%. Punësimi shënoi rritje në sektorin e shërbimeve me 0,3% dhe në sektorin e industrisë me 0,1%, ndërsa sektori bujqësor mbetet në të njëjtin nivel.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.