Së shpejti, qeveria e Bosnjë-Hercegovinës mund të ndryshojë, ose ndoshta kjo gjë nuk do të ndodhë. Tek e fundit, askush nuk e di.
Tetorin e kaluar, vendi zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme, por që prej asaj kohe, partitë fituese nuk kanë rënë dakord mbi krijimin e një qeverie të re.
Sidoqoftë, qeveria qendrore e Bosnjës ka shumë pak fuqi ndërkohë që vendi ka tre Presidentë. Dhjetëra mijë njerëz emigrojnë çdo vit, pasi kanë humbur çdo shpresë për të ardhmen në këtë vend, shkruan The Economist.
Nga viti 1992 deri më 1995, Bosnja ishte Siria e ditëve të sotme. Rreth 100,000 vetë vdiqën në luftën që u zhvillua ndërmjet tre komuniteteve të vendit, serbëve ortodoksë, kroatëve katolikë dhe myslimanëve (shpeshherë të etiketuar si boshnjakë). Megjithatë, ndryshe nga Siria, autoritetet perëndimore ndërhynë dhe i dhanë fund luftës.
Një marrëveshje paqeje u nënshkrua në një bazë ajrore amerikane në Dejton, Ohajo, dhe 60,000 paqeruajtës u dërguan për të vëzhguar zbatimin e saj.
Por sot, të paktë janë ata që besojnë se marrëveshja komplekse për t’i dhënë fund luftës, tani mund të ndikojë edhe në sjelljen në pushtet të një qeverisje të mirë. Gjithashtu ka edhe një mungesë totale vullneti politik për të reformuar vendin, në një mënyrë që të gjithë të mund të përfitojnë më të mirën.
Qeveria qendrore e Bosnjës ka pak fuqi, por bashkëpunimi me NATO-n është një prej tyre, dhe mosmarrëveshjet në lidhje me këtë janë një prej pengesave kryesore në formimin e një administrate të re. Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, vendi u nda në dy njësi administrative, ku njëra është Republika Srpska, e populluar kryesisht nga serbët, e cila është gjithashtu e ndarë vetë në dy njësi të tjera, sepse një rajon rreth qytetit të Brçkos iu dha autonomia.
Njësia tjetër është federata kroate-boshnjake, e përbërë nga dhjetë kantone. Shumë kroatë duan që kjo federatë të ndahet, sepse duke qenë se boshnjakët myslimanë, të cilët janë më të shumtë në numër, gjithmonë mund t’i mbikëqyrin kroatët. Edhe pse pasojat e luftës ishin të tmerrshme në dëmin që ajo i bëri popullsisë së këtij vendi, sot mund të takosh boshnjakë që mund të punojnë me njëri-tjetrin dhe ndoshta edhe të pinë kafe së bashku.
Ata nuk dëshirojnë të jetojnë bashkë, edhe pse shumica e tyre votojnë kryesisht për partitë nacionaliste, të cilat pastaj krijojnë vende pune.
Milorad Dodik, i cili ka drejtuar për një kohë të gjatë Republikën Srpska, është kryetari aktual i presidencës trepalëshe të vendit. Në Banja Luka, kryeqyteti i Republikës Srpska, ju vështirë se do ta kuptonit se jeni në Bosnjë. Z. Dodik thotë se pjesën më të madhe të kohës udhëton me një pasaportë serbe.
Ai e viziton shpesh Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kërkon pavarësi për njësitë e tij administrative dhe ka investuar në fuqizimin e forcave të tij të policisë. Boshnjakët janë të pakënaqur, sepse nuk kanë arritur të vendosin kontroll në të gjithë Bosnjën, shprehet ai. Kroatët janë të pakënaqur, sepse ata në pjesën më të madhe të kohës janë udhëhequr nga boshnjakët, duke qenë se këta të fundit janë më të shumtë në numër dhe serbët janë po aq të pakënaqur, sepse ata nuk duan të jenë fare në Bosnjë në radhë të parë.
Në mars, ministri i Sigurisë së Bosnjës, pohoi se shërbimi kroat i inteligjencës ishte përpjekur të detyronte boshnjakët që të bënin kontrabandë armësh, në disa prej xhamive të vendit. Ai tha se plani ishte se ata do të zbuloheshin duke hedhur poshtë kështu pohimin e Presidentit kroat se Bosnja ishte vendi ku fshihen dhe strehohen mijëra xhihadistë të kthyer nga Lindja e Mesme. Sipas qeverisë kroate, kjo nuk është aspak e vërtetë.
SDA, partia kryesore boshnjake, lideri i së cilës viziton Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, sa më shpesh të mundet, ka nisur një fushatë për të deklaruar emrin e Republikës Srpska të paligjshëm. Më 18 prill, Parlamenti i Republikës Srpska votoi për të krijuar një forcë të re policore rezervë, një veprim i cili rrezikon të nxisë një garë armësh me federatën.
Në momentin që politikanët boshnjakë mund të vendosin të lënë mënjanë mosmarrëveshjet, atëherë ata edhe mund të punojnë së bashku në mënyrë efektive. Edhe pse situata në Bosnjë ka filluar kohë më parë, ajo po funksionon ende. Megjithatë shenjat nuk janë aspak të mira.
Pavarësisht se ekonomia e saj u rrit me 3.1% vitin e kaluar, po rritet numri i njerëzve që po emigrojnë në vende të tjera në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
“Për 25 vjet unë kam jetuar me shpresën se ky vend do të ndryshonte”, thotë Ilija, një shofer kroat në Sarajevë. Ndërsa sot, e urrej veten për këtë gjë dhe pasi të siguroj të gjithë dokumentet e nevojshme, do të emigroj në Gjermani, tha ai në fund. Përpara luftës, rreth 4 milionë njerëz jetonin në Bosnjë. Tani ndoshta numri i banorëve është rreth 3.3 milionë dhe përveç kësaj, vendi ka një prej normave më të ulëta të lindshmërisë në botë.