Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (International Organization of Securities Commissions, IOSCO) zhvilloi gjatë periudhës 29 shtator – 3 tetor 2014 në Brazil, Konferencën e 39-të Vjetore. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, është anëtar me të drejta të plota në këtë organizatë dhe ka marrë pjesë në këtë takim.
Temat kryesore ku u fokusua Konferenca e 39-të vjetore e IOSCO-s ishin zbatueshmëria e kuadrit rregullator, qeverisja e korporatave, financimi afatgjatë në dobi të rritjes ekonomike dhe mbrojtja e edukimi i investitorëve si faktorë kryesorë në rritjen e besimit të investitorëve. Konferenca arriti në konkluzionin se rregullatorët po ecin drejt ndërtimit të tregjeve financiare të mirërregulluar me synimin për të ndikuar në rritjen e qëndrueshme afatgjatë të ekonomisë në mbarë globin. Tregjet e letrave me vlerë janë bërë një burim financimi i rëndësishëm për nxitjen e rritjes ekonomike globale.
Kryetari i Bordit të IOSCO-s, Greg Medcraft theksoi ndër të tjera se “… tregjet që ne rregullojmë janë duke u bërë gjithnjë e më shumë burime të rëndësishme financimi për nxitjen e rritjes ekonomike globale. Axhenda jonë e punës vazhdon të jetë e lidhur me ndërtimin e besimit në tregjet globale të kapitalit të cilat janë të drejta, eficente, transparente dhe të lira nga rreziku sistemik.”
Mbledhja e Bordit të IOSCO-s, me përfaqësues nga rregullatorë të letrave me vlerë si nga tregjet e zhvilluara ashtu edhe nga ato në rritje e zhvillim, nxiti disa iniciativa të rëndësishme nga këndvështrimi i rregullatorëve të letrave me vlerë, për të ndihmuar në kthimin e besimit në tregjet e letrave me vlerë, përmes mbrojtjes së investitorëve në këto tregje, adresimit të rreziqeve sistemike, si edhe për të lejuar që tregjet të luajnë rolin e tyre në rritjen ekonomike. Këto iniciativa ndër të tjera përfshijnë: hapat për finalizimin e metodologjisë për identifikimin e institucioneve financiare jo-bankare dhe jo-sigurime, me rëndësi sistemike (NBNI SIFIs) në tregun e ndërmjetësimit dhe të menaxhimit të aseteve; bashkëpunimin me Komitetin e Bazelit për mbikëqyrjen bankare për të mbështetur zhvillimin e tregjeve të qëndrueshme të letrave me vlerë që mbështesin produktet bankare, si një burim i rëndësishëm i financimit të ekonomisë reale; forcimin e cilësisë së auditimit; ecurinë e mëtejshme drejt zhvillimit të regjimeve efektive të zbatueshmërisë; shqyrtimin e mundësisë që tregjet të luajnë rolin e tyre si burim financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe infrastrukturën dhe vazhdimin e punës për të zhvilluar një grup masash rregullatore lidhur me çështjet ndërkufitare.
Gjatë konferencës u diskutua për nismat ndërkufitare që adresojnë rreziqet kibernetike në tregjet financiare dhe përmirësimin e punës në identifikimin e këtyre rreziqeve. Anëtarët e IOSCO-s ranë dakord që të vazhdojë puna në një variant të përmirësuar të Memorandumit Shumëpalësh të Mirëkuptimit (MMoU) për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit i cili do të zëvendësojë gradualisht atë aktual. MMoU aktuale, e cila filloi në vitin 2002 ka qenë e suksesshme në shkëmbimin e informacionit mes rregullatorëve në luftën e transaksioneve jo të ligjshme ndërkufitare. Përmirësimet e MMoU synojnë në rritjen e efektivitetit të shkëmbimit të informacionit në kushtet e përdorimit të teknologjisë dhe zhvillimeve të reja të tregut.
Komiteti i Tregjeve në Rritje dhe Zhvillim, me 90 anëtarë, në takimet e tij përforcoi rëndësinë rritjes së kapaciteteve të përbashkëta rregullatore, duke përfshirë edhe menaxhimin e rrezikut sistemik.
Bordi i IOSCO-s publikoi dy raporte kërkimore që mbështesin politikat e tij për rreziqet e emergjencës dhe financimin afatgjatë ( 1)“Vështrim mbi rreziqet në tregjet e letrave me vlerë, 2014-2015”, i cili fokusohet në identifikimin e rreziqeve potenciale ne tregjet e letrave me vlerë” dhe “zgjidhje mbi financimin afatgjatë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) dhe infrastrukturën”, i cili përshkruan zgjidhje të reja dhe praktike për lehtësimin e rritjes së kapitalit për SME-të dhe infrastrukturën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.