Nevoja për mbikëqyrje të integruar dhe efektive të grupeve të sigurimit nëpërmjet Kolegjeve Mbikëqyrëse, për shoqëritë shqiptare që kanë investime apo degë në Kosovë, ka sjellë nevojën për rinovim të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Qendrore të Kosovës.
Sot në Tiranë ishte Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i cili së bashku me kreun e AMF, Ervin Mete, nënshkruan dokumentin e ri të bashkëpunimit, që zëvendëson marrëveshjen e mëparshme të vitit 2008.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, z. Mete theksoi se marrëveshja e re e bashkëpunimit i përgjigjet jo vetëm zhvillimeve të kohës, por edhe çështjeve që kanë dalë në pah ndër vite mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Qendrore të Kosovës.
Gjithashtu, sa i përket tregut të sigurimeve palët angazhohen të adresojnë çështje të veçanta të mbikëqyrjes në të dy vendet, si vlefshmëria reciproke e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, detyrimet reciproke mbi praktikat e dëmeve apo trajtimin dhe pagesën e dëmeve – thekson AMF në njoftimin për shtyp.
Në lidhje me tregjet e kapitalit, Shqipëria është në një stad më të avancuar përsa i përket kuadrit ligjor, nëpërmjet ligjeve të miratuara së fundmi, si edhe ka krijuar infrastrukturën e tregut, Bursën dhe Regjistrarin. Autoriteti është i gatshëm të asistojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në këtë drejtim. Gjithashtu, dy rregullatorët do të bashkëpunojnë në funksion të përmirësimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, duke iu përgjigjur evoluimit të vazhdueshëm të tregjeve nën mbikëqyrje.
Nga ana e tij, Guvernatori Mehmeti u ndal te rëndësia e bashkëpunimit reciprok mes dy rregullatorëve në adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, në funksion të mbarëvajtjes dhe zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.