Nën drejtimin e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri, u mblodh në orët e mbrëmjes Komisioni i Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile.
Në takim u analizua situata e ditëve të fundit, pas reshjeve të dendura të shiut dhe gjendja në hidrocentralet e Kaskadës së lumit Drin.
U raportua se nga të dhënat e orës 19:00, të datës 23 janar 2014, kuota në HEC Fierzë është 273.21 m, kuota në HEC Koman është 173.94 m dhe kuota në HEC Vau Dejës është 75.39 m.
Nga analiza, rezultoi se situata para reshjeve ka qenë në përputhje të plotë me rregulloren por edhe menaxhimi i situatës së këtyre ditëve është bërë në përputhje me këtë rregullore, duke mos patur problem në zonën e Shkodrës dhe nën Shkodrës.
Ministri Gjiknuri porositi që situata të trajtohet me kujdes në vazhdimësi duke koordinuar punën midis strukturave të vet sektorit energjitik, në përputhje me rregulloren përkatëse.
Ministri kërkoi që të koordinohen masat edhe në përputhje me parashikimet atmosferike për ditët në vijim.
Në vlerësimin e z.Gjiknuri duhet edhe një bashkëpunim me pushtetin vendor për të patur një menaxhim sa më të mirë të situatës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.