Mblidhet Komiteti, karantinë dyjavore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia; Vitet 1&2 kthehen në shkolla

19/04/2021 2:06 PM 0 komente

Duke filluar nga dita e nesërme për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia do të futen në karantinë për 14 ditë. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 3 maj.

Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se kjo masë është për shkak se ne vendet e rajonit shihet një shtim i rasteve të reja, si dhe për shkak të lëvizjes së shtuar të pritshme, nga pashkët ortodokse.

Nga ana tjetër për shkollat e mesme, vitet e para dhe të dyta rikthehet mësimi i alternuar, pra edhe kthimi në klasë dhe online.

“Afrimi i ditës së Pashkëve gjithmonë është shoqëruar me lëvizje të qytetarëve nga vendet fqinje, që mund të vendosin vendin në një situatë të rënduar epidemiologjike. Si dhe duke pasur parasysh dhe situatën tonë lokale, ku vendin e parë për numër rastesh të reja e zë Gjirokastra, pasuar nga Korça, mendojmë që duke filluar nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë dy javore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, deri në datën 3 maj. Do ta rivlerësojmë, në varësi të dinamikës së situatës, do ta vlerësojmë përsëri pas dy javësh. Komiteti vlerëson se nxënësit e viteve të para dhe të dyta të shkollave të mesme, të cilët kanë qenë në mësim online, si rezultat i përmirësimit të situatës epidemiologjike në vend mund të fillojnë edhe mësimin në klasë, të futen në skenarin e kombinuar”, tha Rakacolli.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Drejtoresha e Insitutit të Shëndetit Publik Prof. Albana Fico, deklaroi se ka një ulje të incidencës dy javore.

“Mesatarja javore e rasteve pozitive nga 172 në 138, incidenca javore ka shkuar në 108 nga 187. Mesatarja ditore të diagnostifikuar pozitiv ka zbritur nga 265 në 172. Numri total i rasteve aktive në Shqipëri është 25 mijë e 668. Numri i bashkive ka zbritur nga 36 në 33, mbetet raporti meshkuj femra 48% me 52% në raport me infeksionin ndërkohë që është e ndryshuar me humbjet e jetës. Komponent i rëndësishëm mbetet edhe numri i shtrimeve në spitale ku deri dje ka qenë 174 në spitalin Covid 1 dhe 2 dhe tre spitale rajonale, vlen për të theksuar që spitali Covid 3 dhe 4 nuk kanë pacient për momentin por janë në gatishmëri të plotë. Ulja e numrit të shtrimeve shkon edhe me uljen e personave në gjendje më të rëndë të cilët janë në terapi intensive gjithashtu edhe numri i të intubuarve, tha Fico.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of