Në dy javët e fundit është shënuar piku më i lartë i infektimeve në dy vite pandemi. Pavarësisht kësaj nuk do të ketë ndryshim të masave. Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli bëri thirrje për vaksinim dhe zbatimin e masave në fuqi.
“Janë rritur infektimet në dy javët e fundit për pasojë të variantit Delta dhe Omicron dhe mosrespektimit të grumbullimeve gjatë festave të fundviti. Fatmirësisht kemi qëndrueshmëri në shtrimet në spitale, nuk është reflektuar rritje e shtrimeve. Gjatë kësaj periudhë është shënuar piku më i lartë në dy vite pandemi”, tha shefja e ISHP-së, Eugena Tomini.
‘Do të vijojnë të mbeten të njëjtat masa në fuqi. Apelojmë që të respektohen të gjitha masat dhe të qytetarët të vaksinohen. Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00, vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve”, tha Rakacolli.
38 për qind e popullatës është vaksinuar plotësisht, bëri me dije shefja e departamentit të epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino.
“Vaksinimi është sfida më e madhe në lidhje me pandeminë. këtë javë është shtuar ritmi i vaksinimeve në të gjithë vendin. Kemi pasur shifra të lartë këtë javë, sidomos me dozën e parë, ka një rritje dyfish. Në popullatën target kemi vaksinim 52.7% me një dozë, 47.3% me 2 doza, 7.7% me 3 doza. Sa i përket popullatës në përgjithësi kemi 42.4% me një dozë dhe me të dyja dozat përreth 38%”, tha ajo.
Rakacolli: Nga gushti 2021, janë pezulluar 265 lokale; Qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm
“Nga gushti 2021 janë kryer 16,600 inspektime, janë marrë mbi 1700 masa administrative, nga të cilat 265 të tilla kanë qenë edhe për pezullimin e aktivitetit. Moszbatimi i masave nuk lidhet vetëm nga mos kontrolli, sepse kontrolli bëhet dhe aktiviteti vijon njëlloj, kjo varet me ndërgjegjësimin e qytetarëve. Duhet të ketë një reagim publik, dhe që kjo të funksionojë duhet të jetë një kulturë e përgjithshme”.
Masat anti-Covid që janë në fuqi:
-Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.
-Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
- Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
- Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
- Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
- Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
- Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
-Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
-Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
-Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
-Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.