Masat anti-covid nuk do të ndryshojnë pasi situata me pandeminë paraqitet e qëndrueshme. Në mbledhjen e sotme Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se në vend ka një rritje të rasteve aktive, dhe një shtrirje më të gjerë të rasteve, në 51 bashki të vendit.
“Rastet e reja ditore për javën e 38 kanë pësuar rënie, mesatarisht 847 nga 861. Totali i rasteve aktive ka pësuar një rritje. 458 për 100 mijë banorë. Numri i Bashkive të prekura është 51, ka pësuar një rritje, përqindja e rasteve të reja sipas gjinive, 52% femra dhe 48% meshkuj. Mesatarja 14 ditore e të shtruarve është 195. Numri i humbjes së jetës kundrejt infeksionit është 1.6%. Moshat më të prekura 65-74 vjeç, të ndjekur nga 55-64 vjeç. 33% e popullsisë kanë marrë dy doza, po vijojnë vaksinimet në qendrat e vaksinimit dhe akoma jemi në muajin e hapur të vaksinimit masiv, ky muaj bëhet më i rëndësishëm se përkon me hapjen e shkollave”, deklaroi drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico.
Rritet numri i grave shtatzëna të prekura me Covid
“Në dy spitalet COVID ka 230 pacientë, kapaciteti është ende i disponueshme se 30% e mundësive të shtrimit është i lirë ende, të sëmurët vijnë kryesisht nga Tirana, Durrësi, Elbasani, por edhe nga rrethet. Ka të shtruar nga mosha 19-89 vjeç, por mbizotëron 65 vjeçare, ka më shumë raste të grave shtatzëna që vijnë me COVID, që kanë forma të rënda. Pjesa më e madhe e të shtruarve të pavaksinuar. Ka fatalitete nga rastet e vaksinuara, por janë shumë të pakta.”, tha Dhimitër Kraja.
Fëmijët e prekur
“Rritje e incidencës te fëmijët. Kemi një rritje të ritmit të shtrimeve në fëmijë në forma të mesme dhe moderuara. Situata klinike është nën kontroll. Deri tani ka 360 fëmijë të hospitalizuar që nga fillimi i pandemisë, me komplikacione te ndryshme, por që kanë dalë të shëruar. Nuk ka fatalitete”.
Gjirokastra dhe Delvina me mbulesën më të mirë vaksinale
Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në QSUT Silva Bino tha se gjatë kësaj jave ka patur një rritje të numrit të vaksinimeve të kryera, kryesisht me dozat e dyta.
Gjirokastra është bashkia që ka mbulesë më të mirë vaksinale, ku 80% me një dozë, dhe 60% me të dyja dozat.
“Gjatë kësaj jave ka patur një rritje të vaksinimit në lidhje me dozat e dyta dhe ka pasur edhe në përmirësim në mbulesën vaksinale në bashki të ndryshme. Durrësi ka dalë nga zona e kuqe. Bashkia me mbulesën vaksinale më të mirë, 80% me një dozë dhe 60% me dy doza është Bashkia e Gjirokastrës, pasuar nga Delvina, Mirëdita dhe Puka po ashtu. Kemi një përmirësim në mbulesën vaksinale edhe në Bashkinë e Tropojës dhe Kukësit. Ajo çka vihet re është që arsimtarët e shkollave të mesme kanë mbulesë më të mirë vaksinale krahasuar me edukatorët e kopshteve dhe çerdheve dhe Universiteteve.
Shfrytëzimi i vaksinës është një indikator i performancës së kryerjes së vaksinimit dhe është për të gjitha vaksinat mbi 80% dhe tregon që nuk ka vaksina që të ketë skaduar në vendin tonë dhe të mos jetë përdorur. Ne nuk kemi humbje të vaksinës. Kemi akoma nevojë për një rritje të vaksinimit për të arritur në shifrat mbi 95% te të gjitha grupmoshat”, tha ajo.
Masat aktuale në fuqi
-Ora policore nga 24:00-06:00 do të ndryshojë në 23:00-06:00.
-Kushdo që hyn në territorin shqiptar duhet të plotësojë një nga këto tre kushte:
- Të ketë certifikatën e vaksinimit, ku data e vaksinimit të plotë të jetë jo më e vonshme se dy javë
- Test PCR jo më të vjetër se 72 orë;
- Test i shpejt jo më të vjetër se 48 orë. Ose të kenë provë të kalimit Sars-Cov 2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. Nga këto rregulla përjashtohen fëmijët deri në 6 vjeç.
-Shtetasit shqiptarë rezidentë që hyjnë në Shqipëri dhe nuk plotësojnë kushtet e mësipërme, duhet të izolohen për 10 ditë, dhe në fund të karantinës duhet të bëjnë një test anti-covid.
– Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.
– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
– Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.