Varianti britanik i koronavirusit është konfirmuar edhe në vendin tonë, deklaroi Komitetit Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e fundit. Masat kufizuese do të vijojnë të mbeten në fuqi.
“Në vlerësimin e situatës gjatë muajit janar-shkurt në Laboratorin e Virologjisë në ISHP janë analizuar kampione nëpërmjet teknikës molekulare real time PCR. Laboratori ka përdorur kite specifike, ka analizuar dhe studiuar të dhënat me mbështetjen e kolegëve në qendrat laboratorike të referencës ndërkombëtare. Dhe në këtë rast ISHP ka bashkëpunuar me Institutin e Shëndetësisë në Ankara dhe rezultatet e kryera treguan se kampionet janë të infektuara me variantin e ri britanik. Ky mutacion është varianti britanik, që është në qarkullim në 70 vende. Dyshimet e arsyeshme që patën ekspertët e ISHP, që rritën transmetueshmërinë, është e konfirmuar që Shqipëria ka në qarkullim variantin britanik të COVID-19”, deklaroi Ministrja e Shëndetësisë.
“Masat e marra kanë dhënë efekt, por do të mbeten në fuqi ehde për dy javë”, deklaroi kryetarja e Komitetit Mira Rakacolli.
“Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
– Universitetet vijojnë online.
– Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe.”
Në dy javët e fundit ka patur një rënie të mesatares ditore të rasteve me COVID, deklaroi drejtoresha e ISHP Albana Fico.
“Incidenca javor ka pësuar një rënie. Mesatarja e rasteve ditore ka rënë, po ashtu. Rastet aktive kanë pësuar një ulje të lehtë por që duhet të vijojë që të monitorohet. Femra që preken më shumë se meshkujt dhe meshkuj që kanë më tepër fatalitete.
Pavarësisht e numrit të uljeve të rasteve nuk është akoma momenti për tu hedhur përpjetë, masat duhet të vijojnë. Masat e ndërmarra kanë sjellë ndryshime që mund të jenë të vogla, por nëse mbeten të qëndrueshme janë efektive.
Dhimitër Kraja, Alban Ylli dhe Ermira Kola janë të anëtarët e rinj të Komitetit Teknik të Ekspertëve, pas largimit të mjekëve Najada Çomo dhe Tritan Kalo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.