Drejtuesi i BBC-së, Richard Sharp, më shumë se 20 donatorë konservatorë, një sërë biznesmenësh miliarderë dhe shoferi i Formula 1, Lewis Hamilton, janë ndër ata që kanë deklaruar se zotërojnë prona në Mbretërinë e Bashkuar përmes juridiksioneve offshore, sipas një investgimi të The Guardian.
Këto deklarime janë bërë në regjistrin e ri të qeverisë së Mbretërisë të Bashkuar për entitetet jashtë shtetit, i cili synon të rrisë transparencën dhe të ndihmojë autoritetet tatimore duke treguar pronarët përfundimtarë të pronave britanike që mbahen në vende offshore.
Ai hedh dritë mbi mënyrën se si biznesmenët e pasur, anëtarët e familjeve mbretërore nga vendet e Gulfit dhe shtetet si Kina kanë blerë ligjërisht miliarda paund prona kryesisht në Londër, në pjesën më të madhe të rasteve përmes juridiksioneve të tilla si Ishujt e Virgjër Britanikë dhe Ishujt Channel.
Sharp, i cili është nën presion për një hua të siguruar nga Boris Johnson, është pronari përfitues i një apartamenti prej 4 milionë paundësh në Londër, i cili zotërohet përmes një trusti me qendër në Jersey.
Një zëdhënës i Sharp tha: “Zoti Sharp është një shtetas i Mbretërisë së Bashkuar, me vendbanim në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka qenë gjithmonë i përpiktë për të paguar shumën e plotë të taksave. Banesa në fjalë është shtëpia e nënës së moshuar të Richard.”
“Ashtu si shumë prindër të tjerë, ai ka menduar se si t’i sigurojë fëmijët e vet pas vdekjes së tij. Kjo ujdi nuk ka të bëjë me ndonjë përfitim tatimor personal për të, pasi ai paguan më shumë taksa në Mbretërinë e Bashkuar sipas kësaj marrëveshjeje, por lidhet vetëm me planet e tij për të siguruar fëmijët.”
Hamilton zotëron një pronë prej 16.5 milionë £ në Kensington nëpërmjet Ishujve të Virgjër Britanikë. Zëdhënësi i tij tha se ai nuk përfitonte lehtësira tatimore nga kjo ujdi.
Yoko Ono është konfirmuar si pronare e shtëpisë së parë të bashkëshortit të saj të ndjerë, John Lennon, në Wavertree të Liverpool-it, nëpërmjet një kompanie të inkorporuar në shtetin amerikan të Delaware.
Që nga mesdita e së premtes, regjistri i Companies House renditi 17,754 subjekte jashtë shtetit, me mijëra të tjera që pritet të regjistrohen përpara afatit të 31 janarit. Me 55% të të gjithë pronarëve jashtë shtetit që janë deklaruar deri më sot, regjistri tregon se familjet mbretërore të shteteve të Gulfit, duke përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, zotërojnë prona me vlerë totale rreth 1 miliard paund në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet parajsave fiskale si Jersey dhe Ishujt e Virgjër Britanikë.
Ai gjithashtu tregon se Korporata Kineze e Investimeve, një vegël e qeverisë kineze, zotëron prona në një vlerë prej të paktën 580 milionë paund përmes subjekteve offshore, duke përfshirë qendrat e shpërndarjes që janë jetike për qarkullimin e mallrave në Mbretërinë e Bashkuar, të tilla si ushqimet.
Investimet kineze në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë një burim shqetësimi dhe mendimesh të ndryshme brenda qeverisë, pasi disa deputetë e mirëpresin fluksin e parave që po hyjnë në Britani, ndërsa të tjerë kanë ngritur shqetësime lidhur me sigurinë për rolin e luajtur nga Kina dhe kompanitë kineze në asetet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar.
Donatorët konservatorë në regjistër përfshijnë dy persona, Irvine Laidlaw, i cili dhuroi rreth 3.2 milionë £ kur partia ishte në opozitë, dhe Stanley Fink, ish-menaxheri i financave të partisë, i cili ka dhënë rreth 3.7 milionë £ gjatë 20 viteve. Fink zotëron një pjesë të ndërtesës së hotelit St Pancras Renaissance përmes një mekanizmi me qendër në Guernsey. Ai tha: “Në dijeninë dhe bindjen time, nuk kam pasur asnjë përfitim tatimor nga kjo strukturë”. Ai tha se marrëveshja ishte e strukturuar në mënyrë të tillë që kur iu dha mundësia për të investuar.
Laidlaw ka disa zyra dhe shtëpi banimi që zotërohen nga të paktën nëntë kompani me qendër në Isle of Man. Laidlaw nuk u është përgjigjur kërkesave për koment.
Donatorë të tjerë konservatorë me prona në Mbretërinë e Bashkuar që mbahen offshore janë edhe vëllezërit miliarderë Reuben, zhvillues pronash me 106 mekanizma që shtrihen nga Ishujt e Virgjër Britanikë e deri në Guernsey. Një zëdhënës i Reuben Brothers tha: “Të gjitha entitetet janë subjekte të taksave në Mbretërinë e Bashkuar dhe çdo taksë është paguar në përputhje me HMRC”.
Wafic Saïd, biznesmeni miliarder dhe filantropisti i cili vlerësohet se ka ndihmuar Arabinë Saudite që të blejë armë britanike në vitin 1985 kur u arrit marrëveshja më e madhe për tregtinë e armëve në histori, e njohur si al-Yamamah, renditet si një nga pronarët fundorë të një kompanie në Bermuda që zotëron një ndërtesë komerciale në qytetin e Londrës.
Ai tha: “Ashtu si me shumë investitorë të tjerë të huaj, familja ime mban disa investime në Mbretërinë e Bashkuar përmes kompanive jashtë shtetit. Jam i sigurt se kjo gjë është krejtësisht e ligjshme. Në çdo rast, unë nuk jam rezident në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk jam përfitues i trustit që zotëron këtë pronë.”
The Guardian beson se ka një interes publik për të raportuar lidhur me interesat e bizneseve dhe strukturat e zotërimit të pronave nga njerëzit e pasur, me lidhje politike dhe me influencë të madhe.
Regjistri i ri u lançua vitin e kaluar. Individët kanë afat deri më 31 janar për të deklaruar nëse janë pronarë përfitues të kompanive jashtë shtetit që zotërojnë prona në Mbretërinë e Bashkuar.
Tre të katërtat e kompanive të regjistruara ndodhen në pesë juridiksione: Ishujt e Virgjër Britanikë, Jersey, Isle of Man, Guernsey dhe Luksemburg.
Zotërimi i pronave përmes kompanive offshore është i ligjshëm dhe disa individë mund të kenë shqetësime reale dhe legjitime për privatësinë ose sigurinë, ose arsye të tjera të lidhura me biznesin, që i shtyjnë për të përdorur kompanitë offshore. Ekspertët thonë se kjo mund të bëhet për të reduktuar detyrimet tatimore të një individi si pronar ose blerës i një prone, ose, deri më tani, për të lejuar që një pronë të zotërohet në mënyrë anonime. Disa investitorë të tjerë theksojnë gjithashtu stabilitetin tatimor në juridiksione të tilla si Jersey dhe Guernsey, si një nga arsyet pse kompanitë e tyre janë të regjistruara atje.
“Historikisht, ka pasur disa avantazhe vërtet të mëdha tatimore që vijnë nga zotërimi i pronave në Mbretërinë e Bashkuar përmes kompanive offshore,” tha Robert Palmer, drejtori ekzekutiv i grupit të fushatës Tax Justice UK. “Qeveria ka mbyllur shumë prej këtyre avantazheve, por ka ende mënyra nëpërmjet të cilave ju mund të paguani më pak taksa duke zotëruar prona nëpërmjet kompanive offshore”.
Politikanët kanë ndërmarrë veprime për ta bërë më të shtrenjtë zotërimin e pronave në Mbretërinë e Bashkuar përmes kompanive jashtë shtetit, duke vendosur tarifën e vulës prej 15% dhe një tarifë vjetore prej 3,800 deri në 244,750 paund për pronat më të shtrenjta. Megjithatë, pavarësisht këtyre lëvizjeve, mijëra pronarë të pronave në Mbretërinë e Bashkuar vazhdojnë t’i mbajnë asetet e tyre përmes juridiksioneve offshore.
Qindra rekorde në këtë regjistër nuk zbulojnë pronarët përfitues të shumë kompanive jashtë shtetit, sepse ato janë nën zotërimin e trusteve të fshehta offshore. Pronarët përfundimtarë të këtyre kompanive janë regjistruar dhe janë në dispozicion të HMRC, por jo të publikut të gjerë. Ata që kanë emrat në regjistër kanë përmbushur detyrimet ligjore për të deklaruar pronat e tyre./ The Guardian