Një ndër kërkesat e para, ndër shumë të tjera të Londrës, është propozimi për largimin nga bashkimi doganor i BE-së, por duke mbajtur një “lidhje të ngushtë” me të për një periudhë të kufizuar kohe
Londër – Mbretëria e Bashkuar do të propozojë një bashkim doganor të përkohshëm me BE-në gjatë një “periudhe të përkohshme” pas Brexit. Kjo ishte deklarata e parë e qeverisë britanike përpara publikimit të parë në një serie letrash të reja që përshkruanin pozicionin negociues të Anglisë.
Sipas propozimeve, Britania do të linte bashkimin doganor ekzistues të BE-së, por do të mbajë një “lidhje të ngushtë” për një periudhë të kufizuar kohore, në mënyrë që t’i japë të dyja palëve kohë për të vendosur kontrolle të reja kufitare dhe infrastrukturore. Një bashkim doganor i ri formal me BE-në është një nga opsionet e propozuara në këtë periudhë tranzicioni.
Pas periudhës së përkohshme, Britania kërkon që një nga dy marrëveshjet e reja doganore me BE-në të bëhet e përhershme.
Opsioni i parë do ta vendosë atë në menaxhimin e një kufiri të ri doganor me BE-në, duke thjeshtuar në mënyrë të njëanshme kërkesat për mallrat e BE-së që hyjnë në vend, sa më shumë që të jetë e mundur dhe duke ofruar “lehtësi” kufitare për të zvogëluar dhe për të hequr barrierat tregtare, sipas një njoftimi të bërë së fundmi nga Departamenti për Daljen nga Bashkimi Europian i Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas opsionit të dytë, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja do të negociojnë një “partneritet të ri doganor”, duke harmonizuar qasjen e tyre ndaj doganave, një opsion ky që do të mohonte nevojën për një kufi doganor. Nën të dyja opsionet, Mbretëria e Bashkuar do të ishte jashtë çdo bashkimi doganor dhe do të mund të përqendrohet te marrëveshjet e veta të tregtisë së lirë.
Propozimi i parë zyrtar pritet të publikohet para tetorit të këtij viti, kur Këshilli Europian do të vendosë nëse bisedimet mbi marrëveshjen e largimit kanë bërë përparim të mjaftueshëm për të vazhduar në fazën tjetër, tranzicionin dhe marrëdhëniet e ardhshme. Këto janë propozime jokoherente dhe aspak të përshtatshme, të hartuara për të mbuluar parregullsitë e shumta dhe mbi të gjitha për të shkaktuar një përçarje të vazhdueshme brenda kabinetit, u shpreh Keir Starmer, Sekretari i Brexit.