Elon Musk dëshiron të rindërtojë “sheshin publik”. Inxhinieri më i njohur në botë i jep vetes një problem tjetër madhështor për të zgjidhur, shkruan The Economist
Deklaratat e forta për të ardhmen e njerëzimit zakonisht nuk shfaqen në diskutimet rreth blerjeve me levë financiare. Por Elon Musk nuk është kufizuar ndonjëherë nga traditat.
I pyetur për planet e tij për të blerë rrjetin social Twitter, të cilat u miratuan nga bordi i kompanisë më 25 prill, ai shpalosi menjëherë idenë e madhe. “Unë jam i bindur se të kesh një platformë publike të besueshme dhe gjithëpërfshirëse, është jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen e qytetërimit. Nuk më intereson aspak ekonomia”.
Krahasuar me rivalët e tij — Facebook, Instagram dhe TikTok — Twitter është një kompani e vogël. Por kjo marrëveshje ka rëndësi. Një arsye është se madhësia e Twitter nuk reflekton tamam rëndësinë e kësaj platforme. Si një strehë e politikanëve, ekspertëve dhe shkencëtarëve, Twitter ndikon në përcaktimin e motit politik. Ai është një “shesh publik” dixhital, siç tha zoti Musk.
Një tjetër arsye është se zoti Musk e fitoi reputacionin dhe pasurinë, duke përmbysur industri të tëra. Këtë herë, ai do të ballafaqohet me një sërë nyjesh me interes të madh për qeveritë anembanë botës: si duhet të trajtohet fjala e lirë në internet. Zoti Musk dëshiron të heqë kufizimet, në vend që të vendosë kufizime të reja. Operatorët e rrjeteve të tjera të mëdha sociale do ta ndjekin me interes këtë eksperiment.
Elon Musk, i njohur për makinat elektrike dhe raketat e ripërdorshme, duket se ka një interes të pazakontë për mediat sociale, duke marrë parasysh fushën e tij. Por në fakt, blerja e Twitter i përshtatet qasjes së tij ndaj biznesit. Si inxhinier, zotit Musk i pëlqen të përdorë teknologji me performancë të dobët dhe t’i përmirësojë ato.
Tesla flaku tutje librin e rregulloreve të industrisë së makinave duke zëvendësuar benzinën me energji elektrike, duke hequr dorë nga tregtarët dhe duke i trajtuar makinat si kompjuterë.
SpaceX vërtetoi se një kompani startup e uritur, e lëvizshme dhe e pazakontë, mund t’i tejkalojë gjigantët e hapësirës ajrore, të kujdesshëm dhe të dhënë pas kontratave bujare qeveritare. Si Twitter dhe SpaceX, u shpërfillën fillimisht nga kompanitë gjigante, derisa një ditë, kjo ndryshoi.
Synimet
Zoti Musk është i përkushtuar pas idesë së “të mirës sociale”. Qëllimi i kompanisë Tesla është të shtyjë botën më shpejt drejt një ekonomie pa karbon (prandaj edhe tani, prodhuesit e tjerë të makinave po prodhojnë automjete elektrike).
Ambicia e SpaceX është kaq madhështore, saqë shumica e kanë të vështirë ta besojnë: ajo dëshiron që të krijojë një prani njerëzore në Mars, si një politikë sigurimi për njerëzimin, në rast se do të ndodhte një katastrofë në Tokë.
Supozojmë se zoti Musk është me të vërtetë i gatshëm të shpenzojë me miliarda dollarë për të siguruar “të ardhmen e qytetërimit njerëzor”. Pyetja është nëse vizioni i tij i fjalës së lirë në Twitter është vërtet i arsyeshëm.
Twitter i përshtatet modelit të kompanive Tesla dhe SpaceX, duke i ofruar zotit Musk një sistem tjetër të ndërlikuar inxhinierik. Mediat sociale vendosin algoritme, për të nxjerrë në pah përmbajtjet online “angazhuese”, duke përdorur një sërë rregullash që përpiqen të zbusin efektet anësore më të këqija. Ky është një model biznesi plot mospërputhje dhe kompromise të pashqyrtuara dhe tepër i rrezikuar ndaj përçarjeve.
Fakti që Elon Musk është një miliarder, nuk duhet ta skualifikojë atë nga zotërimi i një firme të rëndësishme mediatike. Ai tashmë ka paraqitur disa ide të kujdesshme dhe të arsyeshme për Twitter. Zhurma që rezultoi nga lajmi i blerjes, tregon se sa joliberal është bërë opinioni në internet. Musk dëshiron më pak ndalime të përhershme online dhe më shumë pezullime të përkohshme. Përdoruesit duhet të dëshmojnë se nuk janë robotë.
Ai gjithashtu mendon se ingranazhet e algoritmit të rekomandimeve në Twitter, që vendosin se cilat postime shikon një përdorues, duhet të jenë publike. Studiuesit mund ta shqyrtojnë këtë algoritëm dhe programues të tjerë mund ta rregullojnë atë.
Krijimi i një versioni algoritmi, që është më pak i prirur për të nxitur përmbajtjen “angazhuese” (që në praktikë, shpesh nënkupton postime që janë tepër polemike dhe shkaktojnë zemërim), mund të “ulë temperaturën” në të gjithë platformën, duke e bërë detyrën e moderimit më të lehtë dhe ndoshta mund të çojë në një debat më të qytetëruar.
Ose ndoshta Twitter mund të bëhet një platformë e hapur, ku përdorues të ndryshëm mund të zgjedhin një nga shumë algoritmet e larmishme, sipas shijes së tyre. Moderimi i përmbajtjes është produkt i çrregullt i trysnive politike dhe sociale.
Zoti Musk nuk do të ketë një dorë krejt të lirë. Australia, Britania, BE-ja dhe India, kanë punuar në rregullimin e teknologjisë. Thierry Breton, zyrtar i lartë i BE-së, vuri në dukje se “këtu nuk do të zbatohen rregullat e zotit Musk”. Investitorët e tjerë të Musk janë nervozë. Sa më shumë kohë që ai i kushton Twitter-it, aq më pak kohë do të ketë për sipërmarrjet e tjera. Aksionet e kompanisë Tesla ranë me 12%, pas lajmit për marrëveshjen me Twitter.
Personaliteti i zotit Musk përbën një rrezik të madh. Ai është i zgjuar, ambicioz dhe shumë punëtor. Por gjithashtu ka prirje papjekurie dhe hakmarrëse, tipare që i shfaqi në mënyrë të shëmtuar në vitin 2018, kur akuzoi, pa asnjë provë, një ekspert britanik që shpëtonte njerëz në shpella, se ishte një “pedofil”.
Lajthitje të tilla mund të rrisin popullaritetin në Twitter, por kur je pronar i kompanisë, këto të meta do të vënë në pikëpyetje nëse je në gjendje t’i bësh ballë tundimit për të shfrytëzuar pozicionin tënd të ri për fiksime dhe hakmarrje personale.
Zogu dhe lisi
The Economist pajtohet me bindjet e zotit Musk për lirinë e fjalës. Askush nuk e ka monopolin mbi mençurinë. Ekspertët ndonjëherë e kanë gabim dhe ndonjëherë kanë të drejtë. Edhe në epokën e internetit, përgjigjja më e mirë ndaj një argumenti të keq, është një përgjigje më e mirë.
Moderimi në shumë platforma është bërë tepër i ashpër dhe është zbatuar në mënyrë arbitrare. Nëse talenti i zotit Musk për tronditjen e industrive mund të ndihmojë në zgjidhjen e nyjes së fjalës së lirë në internet, nga kjo do të përfitojnë të gjithë.
Por The Economist mbështet edhe një tjetër parim liberal: që institucionet duhet të jenë më të mëdha se personi që i drejton ato. Zoti Musk mund të vendosë rregulla të reja, por duhet të jetë e qartë se ai nuk luan asnjë rol në zbatimin e tyre. Nëse ai vërtet dëshiron t’i bindë përdoruesit se do të jetë një mbrojtës i paanshëm i “sheshit publik dixhital”, atëherë mund të zbatojë reformat dhe më pas të ngrijë llogarinë e tij në Twitter./ Përktheu: Lira Muça
Rëndësia e Twitter
Krahasuar me rivalët e tij — Facebook, Instagram dhe TikTok — Twitter është një kompani e vogël. Por kjo marrëveshje ka rëndësi. Një arsye është se madhësia e Twitter nuk reflekton tamam rëndësinë e kësaj platforme. Si një strehë e politikanëve, ekspertëve dhe shkencëtarëve, Twitter ndikon në përcaktimin e motit politik. Ai është një “shesh publik” dixhital, siç tha zoti Musk.
Elon Musk lë “pezull” marrëveshjen me Twitter prej 44 miliardë dollarësh
Komente