Mbulimi i territorit dhe i popullsisë së vendit me rrjet 4G shënoi përmirësime të mëtejshme gjatë vitit të kaluar.
Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të tre operatorët celularë raportuan norma më të larta mbulimi për vitin 2021.
Operatori Vodafone Albania, është operatori që ka mbulimin më të gjerë me këtë teknologji, duke arritur nivelin 95.9% të mbulimit të territorit me rrjet 4G (nga 91.2% në vitin 2020), dhe 98.9% të mbulimit të popullsisë (nga 98.4% që kishin qenë në vitin 2020).
Vijon One Telecommunications, që ka raportuar mbulim të territorit 95.1% (nga 93.7% në vitin 2020) me rrjet 4G dhe 98.5% të popullsisë (nga 98.1% në vitin 2020).
Operatori Albtelecom ka mbulimin më të ulët të territorit me rrjet 4G, me 42% (nga 30% një vit më parë) dhe mbulimi të popullsisë 81% (nga 72% një vit më parë), duke shënuar megjithatë njё përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2020.
Duhet theksuar megjithatë se këto shifra bazohen në raportimet e operatorëve dhe nuk janë të certifikuara nga AKEP për saktësinë e plotë të tyre.
Historikisht, Albtelecom ka pasur nivele ndjeshëm më të ulëta të mbulimit me rrjet 4G në raport me dy operatorët e tjerë. Rezultatet financiare negative që nga nisja e aktiviteti në tregun celular kanë kufizuar mundësitë për investime të këtij operatori dhe ishin një ndër faktorët që përcaktuan nxjerren e kompanisë në shitje.
Në muajin mars të këtij viti, Albtelecom u ble zyrtarisht nga kompania hungareze 4iG, së bashku me operatorin tjetër ONE. Këto operacione do ta ulin numrin e operatorëve celularë nga tre në dy, duke plotësuar njëkohësisht hendekun e mbulimit me rrjet 4G për klientët e Albtelecom Mobile.
Sipas AKEP, përmirësimi i cilësisë së ofrimit të shërbimit të internetit konfirmohet edhe nga raporti i Opensignal (organizëm ndërkombëtar i pavarur) që synon të paraqesë gjendjen reale të rrjeteve celulare në mbarë botën bazuar në ekperiencën e përdorimit të shërbimit nga vetë përdoruesit e rrjeteve.
Ky raport vëren se dy nga operatorët kanë arritur tregues mjaft të mirë për sa i përket mbulimit me rrjet 4G dhe shpejtësisë së këtij shërbimi, duke iu mundësuar përdoruesve lundrim cilësor në rrjetin e internetit celular lidhur me thirrjet zanore nga aplikacionet, shpejtësinë download/upload, cilësi të videove dhe shërbime të tjera dixhitale.
Megjithatë, indikatorët e matur nga Opensignal, në mënyrë të tërthortë, japin një tablo më pak pozitive se shifrat që raportojnë operatorët. Për shembull, përqindja e kohës që një përdorues celular qëndron i lidhur në rrjetin 4G në rastin më të mirë është 87% për Vodafone Albania, 83.2% për ONE dhe 70.9% për Albtelecom.
Për sa i takon shpejtësisë mesatare të shkarkimit të të dhënave në rrjetet 4G, rezultatin më të mirë e ka shënuar Vodafone Albania, me 34.2 Mbps (megabit për sekondë), e ndjekur nga One, me 31.8 Mbps dhe Albtelecom me 13.3 Mbps.
Procesi i mbulimit të popullsisë dhe territorit me rrjete 4G në Shqipëri ka qenë relativisht i ngadaltë dhe vetëm në 2-3 vitet e fundit është arritur një mbulim në masën mbi 90%, të paktën për dy operatorët më të mëdhenj. Edhe për këtë arsye, operatorët celularë mendojnë se rrjetet 4G kanë ende potenciale të pashfrytëzuara, të paktën në shërbimet për përdoruesit individual.
Operatorët nuk e shohin me urgjencë një ngritje të shpejtë të rrjeteve 5G në Shqipëri dhe mendojnë ata besojnë se ekzistojnë ende hapësira për të mbuluar kërkesat e tregut për brezin e gjerë celular të paktën për 2-3 vitet e ardhshme.
Operatorët e kanë parashikuar periudhën 2022-2023 për prova teknike dhe studime marketingu, ndërsa investimet e konsiderueshme në teknologjinë 5G priten kryesisht periudhën 2024-2025. Ata vlerësojnë se procesi do të marrë kohë. 5G, duke qenë një investim intensiv dhe duke ndryshuar teknologjinë aktuale, ka të ngjarë të ketë nevojë për më shumë kohë për t’u vendosur sesa rrjeti 4G./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.