Mbi 1 milion e 972 mijë e 466 qytetarë me të drejtë vote sot patën mundësinë që të votojnë për subjektin e tyre të preferuar dhe pesë kandidatët për deputetë në përbërjen e ardhshme të Parlamentit të Kosovës. Pasi janë mbyllur qendrat e votimit, rezultate të ndryshme kanë filluar ta publikohen, kurse ato zyrtare nuk kanë dalë ende. Partitë garuese e kanë shpallur fituese secila vetën. Në garë për kryeministër të Kosovës kanë qenë Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Fatmir Limaj.
Qytetarët me të drejtë vote të Republikës së Kosovës e kanë shprehur vullnetin e tyre qytetar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas Exit Poll-it të parë të publikuar e të cilën e ka realizuar Klan Kosova, që nuk paraqet rezultatet zyrtare, partitë politike në vend, në këto zgjedhje, janë renditur kështu:
1: LDK dhe Vetëvendosje me 30 për qind.
2: PDK me 22.28 për qind.
3: AAK-PSD me 10.58 për qind.
4: Nisma – AKR me 4.41 për qind.
Të tjera: 2.20 për qind.
Kurse, një Exit Poll tjetër të cilën e ka realizuar RTV Dukagjini kanë dalë ndryshe rezultatet.
Sipas rezultateve të këtij Exit Poll-i fitues është Lëvizja Vetëvendosje, mandej është radhitur LDK-ja, e pasuar nga PDK-ja, e pas saj është koalicioni AAK-PSD dhe në fund Nisma-AKR-PD.
Sipas këtij Exit Poll, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 26 për qind.
Kurse, Lidhja Demokratike ka marrë gjithsej 24.4 për qind.
E Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 22.1 për qind.
Koalicioni AAK dhe PSD ka marrë 13.6 për qind.
Derisa NISMA-AKR-PD janë renditur të fundit me 15.56 për qind.
Rezultatet ka nisur t’i publikojë edhe Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).
Kur janë numëruar 31.8 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të prijë në renditjen e partive me 25.34 për qind.
Vendin e dytë e ka marrë Lëvizja Vetëvendosje me 23.06 për qind të votave, ndërsa PDK-ja ka dalë e treta me 22.57 për qind.
AAK-PSD kanë 13.21 për qind, ndërsa me trendin aktual Nisma pritet të kalojë pragun, pasi deri tashmë ka 5.37 për qind të votave Në total kanë votuar më shumë se 850 mijë qytetarë.
Klikoni këtu për rezultatet online.
Pas rezultateve që kanë dalë nga Exit Polet, thujse të gjitha partitë në garë e kanë shpallur fitues veten. E para që ka dalë në media ka qenë PDK-ja, duke thënë se ata janë fituese dhe se rezultatete përfundimtare do ta tregojnë këtë.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit.
Nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, ka thënë se sipas rezultateve të kësaj partie nga ekipet në qendrat e votimit, ka një dallim ndaj VV-së si parti e dytë, por duke mos theksuar sa.
Kurse, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje ka thënë se sipas rezultateve të partisë së tij, kjo parti është e para në nivel vendi.
“Të dhënat tona tregojnë që jemi të parët, që Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet dhe unë uroj qytetarët edhe një herë Jemi të kënaqur si Vetëvendosje. Me këtë rast shprehim urimin edhe për vendin e dytë që e ka marrë LDK-ja, me të cilën mendojmë se do të bëjmë qeveri”, ka thënë ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.
Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Më pas, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.