Qeveria e Kosovës ka miratuar disa vendime për masat që do të ndërmerren në funksion të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID-19. Në kuadër të këtyre masave është paraparë të pezullohet veprimtaria e çerdheve publike e private. Ky veprim ka nxituar reagime të shumta në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbyllje të çerdheve.
Rukiqi ka thënë që Qeveria duhet t’i përkrahë me mjete financiare kopshtet private dhe t’i paguaj prindërit që qëndrojnë në shtëpi për t’u përkujdesur për fëmijët.
“Për të gjitha veprimtaritë që po mbyllen, përfshirë kopshtet, të sigurohet edhe përkrahja financiare nga Qeveria. Nëse është vendosur të mbyllen kopshtet, atëherë paralelisht Qeveria duhet te merr vendime për: përkrahje të kopshteve private me mjete financiare (paga, qira, etj.); mbulim të pagës për prindërit që duhet të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët”.
Ai ka thënë se këtë gjendje të rëndë nuk mund ta përballojë askush.
Në këtë gjendje të rëndë financiare, asnjë biznes nuk mund ta përballoj pagesën e dikujt që nuk mund të jetë në vendin e punës; dhe rregullimin ligjor të punës nga shtëpia. Kjo po bëhet e domosdoshme, me normalitetin e ri pandemik dhe post-pandemik”, ka shkruar Rukiqi.
Edhe Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për pezullimin e punës si masë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Kryetarja e këtij asociacioni, Gëzime Çollaku, ka thënë se ky vendim u është dukur i ngutshëm.
“Nga 1 qershori, me rillfimin e punës janë marrë të gjitha masat parandaluese kundër përhapjes së virusit. Të gjitha i kemi ndërmarrë konform rregullave të IKSHPK-së. Përveç dezinfektimit të rregullt është bërë edhe dezinfektim disa brenda herë në ditë. Nëse ju lejohet qendrave tregtare të punojnë dhe kafiterive, atëherë pse çerdheve t’u pezullohet puna kur fëmijët më së paku janë bartës të virusit? E dimë se kufiri është i hapur, atëherë pse çerdhet të mbyllen kur njerëzit shkojnë në plazhet e Shqipërisë?”.
Kurse, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të plasojë aktivitetet ditore në platformën “Edukimi në Distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në Fëmijërinë e Hershme për moshën 0-6 vjeç” deri në fund të muajit korrik, të cilat lehtë mund të realizohen në kushte shtëpie.
“MASh do të vazhdojë të plasojë aktivitetet ditore në platformën “Edukimi në Distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në Fëmijërinë e Hershme për moshën 0-6 vjeç” deri në fund të muajit korrik, të cilat lehtë mund të realizohen në kushte shtëpie. Me ndihmën e prindërve dhe edukatorëve, për fëmijët, kjo periudhë e vështirë do të bëhet më e lehtë dhe më cilësore. Në vazhdimësi, ne do t’iu njoftojmë për vendime të reja përmes Drejtorive Komunale të Arsimit si dhe përmes Platformës “Edukimi në Distancë”. Duke ju dëshiruar shëndet, MASh bën thirrje t’i përmbaheni masave të përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës në parandalimin e Covid-19”.
Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka treguar se ka vendos t’i mbyll çerdhet private dhe publike për një kohë të pacaktuar.
“Në vazhdim të masave tjera të luftimit dhe parandalimit të COVID-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarin e çerdheve publike dhe private (me kusht që njëri prind të lirohet nga puna për kujdes ndaj fëmijëve që janë nën moshën 10 vjeçare) aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.