Goditja e pandemisë i rriti ndjeshëm kostot e sektorit bankar, sidomos gjatë muajve të parë, që u shoqëruan me mbyllje dhe kufizime drastike të lëvizjeve.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se veçanërisht në muajt e parë të krizës raporti mes shpenzimeve që nuk lidhen me interesat dhe të ardhurave bruto pësoi rritje të ndjeshme.
Ky raport arriti në mbi 65% për muajt mars dhe prill, ndërsa nisi një rënie graduale gjatë muajve në vazhdim. Për gushtin, ky raport ra poshtë nivelit të 60%, duke iu afruar niveleve të para krizës. Rritja e këtij raporti lidhet me kostot shtesë të lidhura me protokollet kundër Covid-19 dhe shpenzimet e tjera të lidhura me efektet e pandemisë, por edhe me rënien e të ardhurave bruto, për shkak të uljes drastike të të ardhurave nga komisionet e shërbimeve.
Mbyllja solli ulje drastike të veprimeve nga individët dhe bizneset, duke u kufizuar vetëm te pagesat më të domosdoshme. Kufizimet e skajshme për të kryer veprime në mjediset e bankave u balancuan duke ofruar kushte më favorizuese për veprimet bankare në distancë. Me urdhër të Bankës së Shqipërisë, bankat tregtare hoqën përkohësisht komisionet për të gjitha transfertat e brendshme nga kanalet dixhitale. Kjo duket se e ka prekur ndjeshëm bazën e të ardhurave të bankave gjatë periudhës së pandemisë.
Një tjetër tregues që e dëshmon këtë në mënyrë të tërthortë është raporti mes marzhit nga interesi dhe të ardhurave bruto. Pavarësisht shtyrjes së kësteve, bankat i kontabilizuan si të ardhura interesat e kredive, në përputhje me masat e përkohshme lehtësuese që u miratuan nga Banka e Shqipërisë.
Për muajt mars dhe prill, raporti i interesave ndaj të ardhurave bruto arriti në mbi 80%, jo sepse bankat arkëtuan më shumë nga interesat, por kryesisht sepse pësuan rënie në burimet e tjera të të ardhurave. Edhe ky tregues regjistroi rënie të ndjeshme pas muajit qershor dhe në gusht zbriti në nivelin e 76.6%.
Moratoriumi i pagesave të kredive bëri që efekti i krizës në bilancet e sektorit bankar të jetë ende i vështirë për t’u matur plotësisht. Por, ndërkohë, fitimet gjatë 8-mujorit të parë pësuan një rënie me rreth 25% krahasuar me një vit më parë. Duke parë të dhënat, duket se një ndikim të konsiderueshëm në këtë rënie ka pasur pikërisht rritja e kostove dhe rënia e të ardhurave nga komisionet e shërbimeve./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.