Një nga agjentët e parë të brokerimit në Shqipëri ka mbyllur aktivitetin, vetëm pas dy vitesh.
Kultura e ulët e tregtimit, mungesa e njohurive, mospasja e një tregu kapitalesh po e bëjnë këtë biznes jo vetëm pa leverdi për ata që e hapin, por edhe për individët që rrezikojnë të humbin shuma të mëdha dhe janë të pambrojtur
Pasi agjenti i brokerimit Stock.com kishte mbyllur aktivitetin pak muaj më parë, teksa biznesi rezultoi i paqëndrueshëm, ka ardhur vula përfundimtare edhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Javën e kaluar ky institucion ka njoftuar se vendosi heqjen e dy licencave për shoqërinë “Stock International Albania” sh.a. për të vepruar si “Agjent i brokerit të licencuar të letrave me vlerë” dhe “Shoqëri brokerimi për ushtrim veprimtarie tregtimi në tituj”.
Sipas AMF-së, ky vendim i Bordit të AMF-së erdhi pas ushtrimit të inspektimeve në vend pranë kësaj shoqërie dhe mospërmbushjes së detyrimeve të lëna nga vendimi i mëparshëm i Bordit. Nga inspektimet e kryera në vend, që prej mesit të muajit mars 2017, AMF gjeti se shoqëria “Stock International Albania” sh.a., në funksionin e saj si agjent i brokerit të licencuar ka mbyllur zyrën ku zhvillonte aktivitetin, ka larguar stafin, si pasojë e vështirësive financiare të saj, nuk dispononte mjete teknike për të siguruar lidhjet mes klientëve dhe se shoqëria nuk ka raportuar pranë AMF-së pasqyrat financiare të vitit 2016 lidhur me aktivitetin e kryer për periudhën 1 janar-31 mars 2017.
Shoqëria “Stock International Albania” sh.a. nuk i përmbushi detyrimet e saj të lëna nga vendimi i Bordit të AMF-së në muajin maj 2017. Për rrjedhojë, Bordi i AMF-së, në mbledhjen e datës 19 qershor 2017, vendosi heqjen e licencave për shoqërinë “Stock International Albania” sh.a.
Stock International Albania kishte marrë licencë nga AMF më 30 maj 2015 për të vepruar si agjent brokeri në letra me vlerë në emër dhe për llogari të “LeadCapital Markets” Ltd, firmë brokerimi.
Në muajt e parë të këtij viti, përfaqësia e tregtimit online Trade LCM e mbylli brokerin e saj në Shqipëri Stock.com. Vendimi është marrë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili i ka lënë rreth një muaj kohë kompanisë që të shitet ose përfundimisht të mbyllë aktivitetin.
Stock.com tashmë ka mbyllur web-in zyrtar në internet www.stock.com dhe është tërhequr nga ambientet që i shfrytëzonte me qira te “Torre Drini” në Tiranë.
Burimet nga kompania pohuan se janë në tentativë për të shitur degën në Shqipëri të Trade LCM, teksa pohuan se mbyllja finale ende nuk është bërë.
Çfarë do të bëhet me ata që kanë investuar
Duke ofruar produkte krejt të panjohura për shqiptarët me kulturë financiare që lë për të dëshiruar, shoqëritë e brokerimit me leje dhe pa leje me një treg ende të pazyrtarizuar dhe të parregulluar po ofrojnë në merimangën e tyre të marketingut qindra qytetarë, të cilët nuk janë të qartë ku po investojnë kursimet e tyre. Teksa në Shqipëri nuk ka përvojë me bursat, ka pasur raste kur investitorët josheshin me fitime të shpejta e të larta dhe më pas vetëm humbnin. Operatorët e tregut përmendin rastin e një individi që ka humbur 70 mijë euro brenda një nate në një prej këtyre platformave.
Edhe në rastin e stock.com, askush nuk i mbron investitorët. AMF ka njoftuar se “Duke qenë se shoqëria ‘Stock International Albania’ sh.a. në funksionin e saj si agjent i brokerit të licencuar të letrave me vlerë, nuk i kontaktoi investitorët e saj, njoftojmë investitorët se pozicionet dhe llogaritë e tyre janë drejtpërdrejt te kompania “LeadCapital Markets” Ltd. e cila është përgjegjëse për çdo sqarim të investitorëve. http://www.leadcapitalmarkets.com/contact.php”
AMF bën thirrje për kujdes
Platformat online filluan të përhapen me shpejtësi në Shqipëri rreth tre vjet më parë, një pjesë e tyre të palicencuara dhe me aktivitet informal.
Këto subjekte (agjentë) u mundësojnë individëve të tregtojnë në bursë, por shërbejnë thjesht si platforma tregtimi, ndërsa rrezikun e mbart vetë investitori.
AMF thekson edhe një herë se investimi në platformat online është një aktivitet, i cili kërkon një shkallë të lartë të informacionit ekonomik dhe kulturës financiare. Investimi në platforma të tilla mbart me vete, krahas avantazheve të fitimit, edhe rrezikun e humbjes nga këto investime, prandaj investitorët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për to dhe të marrin përgjegjësinë e investimeve. Në faqen zyrtare online, AMF ka të listuar gjithë subjektet e licencuara për të kryer veprimtari në tregtimin e titujve, letrave me vlerë. AMF i fton investitorët potencialë dhe qytetarët të konsultojnë këtë faqe online për të marrë gjithë informacionin e nevojshëm dhe për t’u siguruar për investimin e tyre. AMF po realizon një projekt të mbështetur me Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), i cili do të mbështesë AMF-në në rritjen e kapaciteteve të tij për mbikëqyrjen e tregut të fondeve të investimeve dhe tregut të obligacioneve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.