Vitin që vjen, qeveria e Shqipërisë do të nisë të shlyejë huanë prej 120 milionë eurosh që e mori nga Banka Botërore në vitin 2014 për përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale të Shqipërisë nëpërmjet fuqizimit të menaxhimit të financave publike në trajtimin e detyrimeve të prapambetura.
Banka Botërore ka dhëne vlerësim të shkëlqyer për projektin (shih https://projects.worldbank.org/en/projects-operations/project-detail/P147226), por tani kur qeveria shqiptare do të nisë të shlyerjen e huasë që u mor për të forcuar kontrollin mbi fondet publike, duket se situata me administrimin buxhetor doli jashtë kontrollit.
Miliona euro të harxhuara për ligje dhe strategji nuk i kanë shërbyer për mirë forcimit të kontrollit mbi buxhetin e shtetit sidomos në drejtim të moskrijimit të detyrimeve të prapambetura.
Ministria e Financave raportoi më herët gjatë këtij muaji në Kuadrin e ri Makroekonomik se, borxhi jashtë llogarive fiskale ka arritur 70 miliardë lekë. Ndërsa Drejtoria e Harmonizimit Financiar në Ministrinë e Financave ndezi alarmin e kuq për krijimin e detyrimeve të prapambetura, duke e konsideruar situatën e krijuar alarmante dhe me rrezik të lartë.
Lexo edhe këtë: Qeveria jep alarmin për borxhin e fshehur
Me këto zhvillime, Shqipëria rrezikon të humbasë besimin e donatorëve për një ndërhyrje të re.
Në vitin 2013, qeveria në ikje la pas 72 milionë euro fatura të pashlyera të paevidentuara në borxhin publik, të cilat ishin krijuar ndër vite nga kontratat e papaguara për punë e shërbime, nga faturat e vendimeve të gjykatave, mosrimbursimi në kohë i TVSh-së etj.
Donatorët, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar investuan miliona euro asistencë teknike për të forcuar kapacitetet e menaxhimit, në drejtim të moskrijimit të borxheve të fshehura. Ende pa përfunduar shlyerja e valës së parë, nisi krijimi i detyrimeve të reja.
Që nga viti 2014 deri në vitin 2020, borxhet jashtë llogarive fiskale, zëri që përfaqëson detyrimet e prapambetura, arritën në 70 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nivel thuajse i njëjtë me atë të vitit 2013. Stoku i detyrimeve të fshehura u zgjerua me 27% brenda vitit, për shkak se tashmë janë kontabilizuar edhe rreth 100 milionë euro të fituara kundër Shqipërisë nga biznesmeni Francesco Becchetti, në gjykatat ndërkombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.