Më 2021 stoku i borxhit rritet me 405 mln euro, totali shkon në 10.8 miliardë euro

02/11/2020 12:00 PM 0 komente

Pandemia Covid-19 dhe tërmeti e 26 nëntorit kanë ushtruar presion të pazakonte mbi borxhin shtetëror te vendit.

Prej kulmit që pritet të arrijë këtë vit në rreth 81% të PBB-së, stoku i detyrimeve do të rritet më tej vitin që vjen si pasojë e zgjerimit të deficitit buxhetor me 108 miliardë lekë ose 6.5% e PBB-së.

Ministria e Financave në projektligjin e buxhetit të vitit 2021 parashikon që stoku i borxhit të zgjerohet me 49,9 miliardë lekëve ose rreth 405 milionë euro, shumë e cila shërben edhe si kufi maksimal për zgjerimin e stokut.

Shtesa mbi stokun e borxhit është më e ulet se deficitit buxhetor i vitit 2021 për arsye se, gjithashtu do të shlyhen rreth 80 miliardë lekë principal dhe interesa.

Huamarrja totale neto vjetore, përfshirë huamarrjen e brendshme dhe atë të huaj shkon deri në 63 452 milionë lekë, shume e cila do të zvogëlohet prej shlyerjes së kredisë së garantuar me 13 miliardë lekë.

Për rrjedhojë stoku i borxhit publik viti që vjen do të shënojë një rekord të ri historik duke arritur në 1,332,453 milionë lekë, (10,8 miliardë euro) pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit

Nga totali i stokut të borxhit, 1,226,026 milionë lekë i përkasin qeverisjes qendrore, 55,628 milionë lekë janë borxh i garantuar dhe 800 milionë lekë janë borxh i qeverisjes vendore.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve kosto e shërbimit të borxhit do të rritet mbi 52% këtë vit, si pasojë e një rritje të fortë të kësteve të ripagesave të principalit.

Kostot e shërbimit të borxhit këtë vit arri nivelin më të lartë që nga viti 2015 dhe po nxitet kryesisht nga pagesat e principalit. Nga 98.6 miliardë lekë që do të paguhen më 2020, mbi 63 miliardë lekë është principal dhe 35 miliardë janë interesat për borxhin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

Për vitin që vjen kosto e shërbimit e borxhit parashikohet të ulet me 18 për qind në raport me këtë vit duke, shkuar në një total prej 80 miliardë lekësh, ku 39 miliardë lekë pritet të jenë pagesa interesi dhe 40 miliardë lekë nga principali.

Pasi pandemia të ketë kaluar borxhi i lartë publik do të rëndojë mbi prosperitetin e Shqipërisë. Vendi do të jetë i detyruar të çoje një pjesë të madhe të burimeve nga të ardhurat tatimore për të shlyer borxhin.

Shpenzimet për shërbimin e borxhit këtë vit janë sa 23% e të ardhurave tatimore të pritshme të përcaktuara në katin e dytë normativ. Në vitet në vijim 1 e katërta ë burimeve që gjenerohen nga të ardhurat do të shkojnë për shlyerjen e borxhit dhe interesave të tij në vend që të shkojnë për investime dhe zgjerimin e ekonomisë së brendshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of