Ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, me kushtet të cilat i ka vendosur Partia Demokratike e Kosovës. Kushtet e propozuara nga PDK-ja: Pakoja për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSH-së për lëndën e parë dhe rimbursimi i mjeteve për 10% nga Trusti për ata që kanë deri në 10 mijë euro.
Komisioni për Buxhet dhe Transfere me 6 vota për dhe 3 kundër, ka votuar raportin me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.
E votimi i këtij raporti i ka paraprirë miratimit të 4 amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deputeti i PDK-së Bedri Hamza, ka propozuar të katër amendamentet.
Amendamenti i parë është që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit, e të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro të kompensohen në formë rimburësimi, duke filluar nga viti 2023.
Amendamenti i dytë ka të bëjë me lëndën e parë që prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Kosovës. Sipas këtij amendamenti, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, duhet të lirohet nga TVSH-ja.
Amendamenti i tretë thotë se të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilat kanë qenë të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, të mbështetën financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.
Amendamenti i katërt thotë se duhet të paguhen nga ana e buxhetit të Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor – dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhë jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.
Kryeministri Avdullah Hoti javën që lamë pas premtoi se këtë javë do të kalojë ky Projektligj.
“Unë sot po jap edhe premtim publik që Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike do ta kaloj javën tjetër dhe do të mbyllet kjo çështje, ku do të definohen të gjitha çështjet, edhe mjetet që do të marrin qytetarët nga kursimet e tyre, edhe një listë e ndryshimeve ligjore, përfshi mundësinë për t’i shtyrë obligimet tatimore, për t’i heqë ndëshkimet e nevojshme, për të rishikuar TVSh-në në lëndë të parë të prodhimit vendor e cila duhet të adresohet”, ka thënë Hoti gjatë një deklarimi publik.
Hoti ka thënë se po punohet edhe për përgatitjen e pakos së re fiskale gjatë muajit dhjetor dhe se në mbledhjen e parë të janarit do të miratohet kjo pako.
Ndryshe, në mbledhjen e fundit të Komisioni për Buxhet dhe Transfere, PDK kishte shprehur gatishmëri që të ulet me partitë në pushtet dhe të diskutojnë që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të kalojë, e kërkesë të vetme e ka që të përfshihen amendamentet e tyre. Ndryshe, ky Projektligj në mungesë të kuorumit kishte dështuar të miratohet nga ky Komision.
Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.