Nga Laura Çela
Tregu i shitblerjeve të apartamenteve në bregdet po sheh një “dritë” të re jeshile në horizont. Frenimi i shitjeve në dy vitet e fundit e ka rrudhur shumë tregun e shitblerjes së apartamenteve në bregdet, por interesi nga blerësit përtej kufijve duket se po ruan balancë pozitive.
Agjentët imobiliarë i kanë kthyer tashmë sytë nga Kosova, që është një treg i ri potencial për pasuritë e patundshme në Shqipëri.
Përfaqësues të disa agjencive në qytetet kryesore bregdetare të vendit, Durrës dhe Vlorë, konfirmojë për “Monitor” se blerjet e shtetasve kosovarë, por edhe interesi i tyre për apartamente në bregdetin tonë, është rritur.
Arsyeja kryesore që ka rritur interesin për këtë zonë bregdetare është rruga Durrës-Kukës, që ka shkurtuar ndjeshëm distancën ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke lehtësuar ardhjen e më shumë pushuesve kosovarë drejt vendit tonë.
Interesi për apartamente nga kosovarët është konfirmuar edhe nga kryetari i Odës Ekonomike në Prishtinë, Safet Gërxhalliu.
“Pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, interesimi i kosovarëve për blerjen e apartamenteve në Shqipëri është në rritje. Vetëm në vitin 2011 janë blerë banesa dhe apartamente në vlerë prej afër 30 milionë eurosh”, ka deklaruar z. Gërxhalliu në një takim me përfaqësues të biznesit në Shqipëri.
Për ndërtuesin Behar Male, i cili ka ngritur dhe shitur një kompleks prej rreth 300 apartamentesh në zonën e Golemit, në Durrës, shifra mund të jetë edhe më e madhe, duke pasur parasysh nivelin e shitjeve.
“Kam shitur shumë apartamente te shtetas kosovarë, qoftë tek ata që jetojnë në Kosovë, qoftë tek ata që jetojnë në vende të ndryshme në Europë . Pesha e tyre është e ende e vogël në tregun imobiliar shqiptar, por edhe rritje pozitive”, thotë Male.
Ku blejnë
Një nga zonat më të preferuara nga kosovarët është Durrësi, nga Shkëmbi i Kavajës dhe duke u shtrirë deri në Golem.
Në këtë zonë, vitet e fundit është ngritur një numër i madh pallatesh të reja shumëkatëshe dhe kjo ka ndikuar që edhe oferta të jetë e lartë.
“Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi klientë kosovarë që blejnë në Durrës, kryesisht nën zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe ka shtim të kërkesave të tyre”, thotë Elsa Zoto, drejtuese e agjencisë imobiliare “Koral” në Durrës.
Apartamentet e shitura janë kryesisht 1+1 dhe çmimi luhatet 30-35 mijë euro, një shifër “e pranueshme” për një shtëpi të dytë pushimi.
E njëjta shifër vlen edhe për bregdetin e Vlorës, ku vihet re shtim i interesimit nga kosovarët, por edhe maqedonasit.
Akil Danushi, drejtues i agjencisë imobiliare në Vlorë, “Century 21Danushi” thotë se rruga e re Durrës-Kukës e ka favorizuar Vlorën për të tërhequr klientë përtej kufijve, të cilët mund të mbërrijnë nga Kosova për më pak se 5 orë në bregdetin e Vlorës.
Fakti që në këtë qytet ndërtimet kanë qenë më të organizuara, duke mos cenuar bregdetin, është faktor pozitiv që tërheq turistët për të blerë shtëpi pushimi për periudhën e verës.
“Vihet re kërkesë në rritje dhe presim që gjatë 2012-s, shitjet tek të huajt të jenë më të larta se një vit më parë”, thotë z. Danushi.
Hapja e rrugës ka nxitur agjencitë shqiptare imobiliare që të zgjerojnë tregun drejt Kosovës, duke kërkuar tashmë klientë edhe atje. Në një periudhë të tillë krize, për shumë ndërtues dhe agjentë, tregu kosovar i cili është ende më dinamik se ekonomitë në rajon, është një mundësi e mirë për të mbajtur lart shitjet.
Drejtues të disa agjencive imobiliare në bregdet kanë konfirmuar për “Monitor” se një muaj më parë kanë marrë pjesë në Panairin e Patundshmërisë në Prishtinë, me qëllim tërheqjen e blerësve nga kjo zonë. Në panair kompanitë patën mundësi që të prezantonin tregun e pasurive të patundshme në Shqipëri te klientët kosovarë dhe maqedonas.
“Kemi vënë re interes të madh nga kosovarët për të blerë apartamente këtu, pë r shkak të infrastrukturë s së rregulluar dhe çmimeve të favorshme që ofrohen”, thotë Marita Lile, broker në “Century21Friends” në qytetin e Durrësit.
Prej vitesh, Durrësi është shndërruar në një destinacion primar për pushuesit kosovarë dhe falë afrimit përmes rrugës së re, fluksi i tyre ka qenë më i madh dhe më i zgjatur në kohë.
“Është e vërtetë që rruga është avantazh shumë i madh, por është edhe ana tjetër e medaljes: duke pasur mundësinë që të vijnë në Durrës me makinë për 1 orë e 30 minuta, mjaft kosovarë nuk e shohin të arsyeshme të blejnë apartamente këtu, sepse mund të kthehen brenda ditës në shtëpi”, thotë znj. Lile.
Çmimet bien
Një tjetër fakt që po josh shtetasit kosovarë dhe ata maqedonas drejt apartamenteve në bregdetin shqiptar është rënia e çmimeve.
Të dhënat e fundit nga agjencitë konfirmojnë rënie të çmimeve përgjatë gjithë bregdetit, por kryesisht në Durrës, me rreth 20%.
Nëse më parë, në vijën e parë të detit, çmimet e apartamenteve ishin 900 euro/m², sot mund të blesh për një çmim edhe prej 750 euro/m².
Reduktim çmimesh ka edhe në vijën e dytë, të tretë apo të katërt në bregdet, duke ulur me 100-150 euro/m². Sot, në plazhin e Durrësit mund të blesh një apartament me një çmim minimal prej 350-400 euro/m².
Shkaku kryesor që ka sjellë rënien e çmimeve është oferta tepër e lartë e apartamenteve në këtë zonë dhe ulja e shitjeve, për shkak të krizës. Me gjithë kërkesat nga kosovarët apo maqedonasit për blerje apartamentesh, pesha e tyre në treg është ende e ulët për të ndikuar në tregun total të shitblerjeve të pasurive të patundshme.
Ndërkohë, në zonën e bregdetit të Vlorës, është vënë re rënie e kërkesës, por kjo nuk është reflektuar në çmime. Më së shumti, siç po ndodh edhe në Tiranë, në këtë qytet po shiten kryesisht apartamentet me okazion, që janë me çmime më të ulëta se tregu. Struktura e blerësve në qytetin e Vlorës është dominuar nga emigrantët tradicionalë perëndimorë dhe imigrantët (nga pjesa e brendshme e vendit dhe kryesisht nga qytete si Tepelena, Berati, Fieri e deri nga Korça), e më pas vijojnë ata që duan një zgjerim sipërfaqeje banimi.
Me gjithë rënien e kërkesës, çmimet e apartamenteve nuk po ulen. Në zonën e Kalasë arrijnë deri në 1400 euro/m² dhe 550-800 euro/m² për pjesën tjetër të bregdetit, duke përfshirë edhe Orikumin.
Emigrantët rrisin kërkesën për qira
Një fenomen interesant që po ndodh në qytetet bregdetare të vendit është shtimi i kërkesave për qira. Këto qytete, me një numër të madh emigrantësh në Greqi apo Itali, po përballen çdo ditë e më shumë me kthimin e tyre, gjë që ka ndikuar edhe rritjen e kërkesave për apartamente me qira.
Agjentët imobiliarë të kontaktuar nga “Monitor” kanë konfirmuar se gjatë këtij viti janë shtuar individët që kërkojnë apartamente me qira, kryesisht emigrantë të kthyer në Shqipëri.
“Numri i atyre që kërkojnë shtëpi me qira është rritur shumë. Thuajse të gjithë janë emigrantë të kthyer apo çifte të reja që kërkojnë të bashkëjetojnë”, thotë Elsa Zoto e agjencisë “Koral” në Durrës.
Çmimet e qirave në qytetin e Durrësit, duke përfshirë edhe zonën e plazhit, luhaten nga 15,000 lekë – 300 euro në muaj, në varësi të vendndodhjes, madhësisë dhe cilësisë së apartamentit.
Shumë prej tyre kanë preferuar që të blejnë një dyqan për të siguruar njëkohësisht edhe punësimin dhe ndërkohë apartamentin ta marrin me qira. Ky fenomen po vihet re edhe në Vlorë, ku ka rritje të kërkesës për qira nga emigrantët e kthyer.
Pasi kanë kaluar periudha të vështira për shkak të krizës në vendet ku kanë jetuar dhe punuar prej vitesh, ata vendosin të kthehen në vendin e tyre duke çelur biznese të ndryshme. Emigrantët investojnë kryesisht në biznese familjare.
Një shkak i fortë që po ndikon në rritjen e kërkesave për qira është edhe stepja e kreditimit nga bankat. Sipas të dhënave nga agjencitë vendase, thuajse 80% e kërkesave për blerje shtëpish janë përmes kredive hipotekore dhe pjesa më e madhe e klientëve i drejtohen bankave që t’i ndihmojë me hua. Në kushtet kur klientët e kanë të vështirë që të marrin një kredi gjatë kësaj periudhe dhe nuk janë të pakta rastet kur ato janë “mohuar” nga bankat, kërkesa për qira po rritet.
“Nga kontaktet dhe transaksionet që bëjmë, po vëmë re vështirësim të kreditimit, që po ndikon në uljen e kërkesës, megjithëse dëshira për të blerë një shtëpi të re mbetet e pandryshueshme te shqiptarët”, thonë agjentët.
Kërkesa edhe nga të huaj
Përveç kosovarëve dhe shqiptarëve të Maqedonisë, në plazh, interesi është rritur edhe nga shqiptarët e diasporës që jetojnë në vende europiane.
Klientët që kanë kontaktuar agjencitë imobiliare shqiptare kanë kërkuar edhe prenotimin me qira të apartamenteve për t’i shfrytëzuar gjatë pushimeve verore.
Sipas Akil Danushit, në Vlorë po vihet re një rigjallërim i kërkesave për blerje apartamentesh, kryesisht nga Italia, Franca, Belgjika, SHBA.
“Kemi pasur interes për apartamente dhe blerje trojesh dhe janë interesuar edhe rusë. Pritet që me miratimin e planit urbanistik të bregdetit, ku do të kemi edhe një panoramë të qartë mbi zhvillimin e zonës, të kemi edhe më shumë kërkesa”, thotë z. Danushi.
Fakti që çmimet janë të ulëta dhe kanë tendencë rënëse kanë joshur edhe të huajt që e preferojnë bregdetin shqiptar.
Të huajt në Shqipëri kanë interes kryesisht në blerje tokash, apartamente rezidenciale, si dhe qendra tregtare.
“Kjo është një situatë vëzhguese për të gjithë investitorët, por gjithsesi vijon të ketë interes në zhvillim vilash dhe zona industriale. Është e vërtetë që ka rënie të blerjeve, por këto vihen re më shumë tek ata të huaj që janë nga shtete të prekura më shumë nga kriza”, thonë agjentët.
Në blerjen e apartamenteve parashikohet të ketë interes, sepse komuniteti i të huajve që jetojnë në Shqipëri sa vjen e rritet, kjo edhe si pasojë e hapave që po bëhen drejt Bashkimit Europian. Në treg pritet të ketë përfitime edhe nga futja në vend e fondeve të BE-së, që do të vijnë nëse vendi ecën përpara në marrëdhëniet me këtë institucion.
Ndërkohë, vihet re edhe interesi i qëndrueshëm në blerjen e trojeve, por gjithsesi problemet me titujt e pronësisë mbajnë larg ende mjaft të huaj.
“Rastet kur ka blerje apo investime të të huajve në zona industriale apo turistike janë kur ka bashkëpunim me një kompani shqiptare. Kjo ndodh sepse janë pikërisht vendasit që mbulojnë burokracitë në vend dhe janë një garanci, pasi njohin mirë vendin dhe problematikat e tij”, thonë agjentët.
Një faktor kryesor që ka penguar të huajt të vijojnë me blerjet është mungesa e financimeve nga bankave. Në të gjitha vendet e zhvilluara, por edhe në Shqipëri, bankat kanë hezituar që të japin kredi.
“Kjo vlen edhe për kreditë, por edhe shitjet e pasurive të patundshme, sidomos në vende të caktuara të rajonit, si Mali i Zi apo Kroacia”,-thonë agjentët e pasurive të patundshme.
Gjatë 2008-s, vendi njohu mbërritjen për herë të parë të mjaft investitorëve të huaj që më parë e konsideronin Shqipërinë si një vend jo të sigurt për të vendosur kapitalet dhe ndoshta nuk kishin dëgjuar të flitej për të.
Të huajt shfaqen më shumë të interesuar në ngritjen e zonave rezidenciale dhe në tregun e shitblerjes së trojeve, por edhe të apartamenteve. Zona më e lakmuar mbeti bregdeti, kryesisht ai jugor dhe disa zona ende të virgjëra në Durrës, ndërkohë që nuk mungoi interesi edhe për troje industriale.
Njëherësh me rritjen e interesit nga të huajt, çmimet e pasurive të patundshme u rritën deri në 20%, sipas të dhënave nga agjentët imobiliarë, por ato u ndalën që pas muajit shtator. Shkaku i stopimit të rritjes ishte “frika” që mbërtheu blerësit, si dhe bankat nga kriza ndërkombëtare financiare, që solli mungesë të ndjeshme të likuiditeteve në treg.
Bizneset kosovare të orientohen drejt bregdetit shqiptar
Presidenti i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, ka apeluar te komuniteti i biznesit kosovar, të cilët kanë përvojë europiane në menaxhimin e hoteleve, restoranteve dhe agjencive turistike, që të jenë të orientuar drejt Shqipërisë për të gjetur mundësinë e marrjes së hoteleve në Shqipëri për menaxhim dhe shfrytëzim.
“Shumë hotele në Shqipëri janë të pashfrytëzuara nga mungesa e aftësive menaxheriale, të cilat shumë kosovarë i posedojnë, por nuk kanë kapital për të ndërtuar kapacitete të tilla hoteliere”, u shpreh Zhilla në takimin me kryetarin e Odës Ekonomike të Prishtinës, Safet Gërxhalliu.
E gjitha kjo do të ndikojë edhe në ngritjen e shfrytëzimit të mundësive dhe kapaciteteve hoteliere në Shqipëri përmes sistemit know-how dhe kuptohet do të arrihen efekte të dyanshme pozitive.
Të dyja palët u pajtuan se vërtet duhet të përparojë dialogimi me tematikë ekonomike midis tyre dhe duhet të eliminohen të gjitha barrierat që e pengojnë këtë proces dhe të kthehet besueshmëria në mes të dy komuniteteve për projekte dhe investime të përbashkëta në të ardhmen, sepse nga ky ngërç i krijuar për momentin mund të përfitojnë shtetet e rajonit dhe më gjerë e jo Kosova dhe Shqipëria.
Sipas Gërxhalliut, Shqipëria dhe Kosova duhen parë si tregje komplementare dhe jo konkurruese.
“Kjo na obligon që partneriteti ekonomik të jetë në fokus, pasi pa bashkëpunim ekonomik dhe shfrytëzim maksimal të të gjitha potencialeve komperative, Rruga e Kombit dhe investimet në infrastrukturë nuk do të kenë efektin e pritur”, tha Gërxhalliu.
ÇMIMET
40-200 euro/m² është çmimi i trojeve në bregdet
DURRËS
Ishte Është
500-900 euro/m² 350-750 euro/m²
800-1200 euro/m² është çmimi i apartamenteve në fshatrat turistike
VLORË
Ishte Është
650-1400 euro/m² 550-1400 euro/m²
SARANDË
Ishte Është
500-800 euro/m² 400-800 euro/m²
BURIMI: Agjencitë Imobiliare
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.