Më ngadalë, më mirë

08/02/2020 10:02 PM 0 komente

A është rritja e ulët ekonomike një tregues suksesi? Po, shprehet Dietrich Vollrath, një profesor ekonomie, në librin e tij më të ri. “Fully Grown” (Pse një ekonomi në stanjacion është një tregues suksesi), libri më i ri nga Dietrich Vollrath. Universiteti i Çikagos; 296 faqe; 27.50 $/ 20 £.

 

Midis viteve 1950 dhe 2000, PBB-ja për person në Amerikë u rrit me një normë mesatare vjetore prej 2.3%. Gjatë periudhës 2000-2018, ajo shënoi një rënie me rreth 1/2. Shpeshherë, ky ngadalësim, i parë edhe në shtete të tjera të pasura, merret si një tregues se politika ekonomike ka dështuar, dhe se politikëbërësit duhet të injektojnë sa më parë të munden stimuj të ndryshëm ose të rikthejnë disi dinamizmin e humbur të kapitalizmit, shkruan The Economist.

Por ndryshe mendon Dietrich Vollrath nga Universiteti i Hjustonit, për të cilin rritja e ulët është arsye për t’u gëzuar. Në librin e tij më të fundit, “Fully Grown”, ai argumenton se rritja e Amerikës është ngadalësuar sepse një pjesë e madhe e ekonomisë ka shkuar më mirë seç mund të parashikohej. Një pjesë e madhe e zhvillimit ekonomik të Amerikës në shekullin XX u arrit nga përmirësimet e “kapitalit njerëzor”, madhësia dhe aftësitë e fuqisë punëtore. Në vitin 1910, vetëm një e dhjeta e amerikanëve përfunduan shkollën e mesme, ndërsa në vitet 1970 katër të pestat e amerikanëve ishin të diplomuar.

Numri i atyre që ndjekin kolegjin në ditët e sotme është akoma edhe më i lartë. Bumi në lindshmërinë e fëmijëve pas viteve 1945 shkaktoi rritje të fuqisë punëtore, ndërsa në vitet 1970 dhe 1980 një pjesë e madhe e grave kishin një punë për të cilën paguheshin mirë. E gjithë kjo i shtoi gati një pikë përqindje rritjes vjetore të PBB-së për frymë nga viti 1950-2000.

Megjithatë, që nga ajo kohë, kapitali njerëzor është tkurrur, duke ulur rritjen me 0.2 pikë përqindje në vit. Ky ka qenë faktori kryesor i ngadalësimit. Sipas z.Vollrath, dy kanë qenë arsyet kryesore se përse kapitali njerëzor filloi të tkurret. Së pari, është rritur numri i njerëzve që po dalin në pension, duke qenë se popullsia po plaket. Së dyti, niveli mesatar i edukimit u ndal së rrituri brenda një kohe shumë të shpejtë. Amerikanët e rinj, që janë pjesë e fuqisë punëtore, janë më të arsimuar se më parë, por një popullsi e plakur do të thotë se ka më pak prej tyre në numër për të zëvendësuar punëtorët e moshuar dhe më pak të arsimuar.

Këto tendenca janë të dyja të lidhura edhe me një tjetër faktor: gratë po zgjedhin të kenë më pak fëmijë. Kjo nga njëra anë reflekton faktin se tani ato janë më të pasura dhe mund të marrin vendime për të pasur më pak fëmijë. I vërtetë është edhe fakti se një numër më i lartë foshnjash do të shoqërohej me një numër më të lartë punëtorësh më të arsimuar.

Por të ankohesh për këtë tkurrje demografike, do të thotë që të interesohesh më shumë për PBB-në sesa për mirëqenien e grave. As kapitali fizik dhe as ai njerëzor nuk e shpjegojnë pjesën tjetër të ngadalësimit të rritjes. Kjo vjen nga ajo që ekonomistët e quajnë “produktivitet total i faktorëve” (TFP). Ngadalësimi i rritjes së TFP-së, shpeshherë shihet si një tregues se përparimi teknologjik mungon.

Sipas z. Vollrath ka edhe një tjetër arsye: aktiviteti ekonomik është zhvendosur drejt industrive të shërbimeve, ku fitimet e produktivitetit janë më të vështira për t’u vënë re. Edhe pse kjo pengon rritjen, gjithsesi është një gjë e mirë. Njerëzit blejnë më shumë shërbime teksa ata bëhen më të pasur. Por cilët janë ata faktorë të tjerë që mendohet se po ndikojnë gjithashtu në ngadalësimin e ekonomisë?

Z. Vollrath nuk është i bindur në dhënien e një përgjigjeje të tillë. Fuqia në rritje e disa firmave mund të ketë zvogëluar investimet, por investimet nuk shpjegojnë shumë nga ngadalësimi i rritjes, dhe madje përqendrimi i korporatave mund të ketë ndikuar gjithashtu në rritjen e produktivitetit. Rregullat strikte të planifikimit i pengojnë njerëzit që të zhvendosen me shtëpi, rrjedhimisht duke i penguar ata që të pranojnë disa punë që mund të jenë më produktive për ta.

Megjithëse kjo ndikon te PBB-ja, ajo nuk mund të shpjegojë një ngadalësim të tillë të zgjatur të rritjes. Ekonomia nuk ka “gjetje përfundimtare” në lidhje me efektin e pabarazisë mbi rritjen. Dhe kështu me radhë. Z. Vollrath i mbështet argumentet e tij edhe në shumë dokumente të rëndësishme ekonomike të publikuara së fundmi. Por baza kryesore e argumenteve të tij bazohet te përmirësimi i mirëqenies së grave.

Por pse studimet e fundit kanë dalë me rezultatet se gratë janë më të pakënaqura gjatë dekadave të fundit të shekullit XX? Oligopolet dhe rregulloret e shumta strikte mund të mos ndikojnë në PBB-në e përgjithshme, por ato mund të përkeqësojnë mirëqenien e amerikanëve duke e bërë ekonominë të padrejtë, ose, e thënë ndryshe duke ndërhyrë në privatësinë e tyre.

Z. Vollrath nuk është se ka zbuluar ndonjë tregues të panjohur deri më tani, sepse si plakja ashtu edhe zhvendosja në industrinë e shërbimeve janë tregues tashmë të njohur për të gjithë ekonomistët e tjerë. Por ndoshta suksesi i tij qëndron në faktin se ai po përpiqet të tregojë shkallën me të cilën këta tregues ndikojnë në ngadalësimin ekonomik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of