Huamarrja me kushte të buta po zë një peshë gjithnjë e më të ulët në borxhin e jashtëm të qeverisë shqiptare.
Statistikat e Ministrisë së Financave tregojnë se në mesin e këtij viti, borxhi me terma preferenciale apo koncesional përbënte më pak se 40% të stokut të borxhit të jashtëm, ndërsa pesë vjet më parë ky borxh zinte më shumë se 50% të totalit.
Borxhi koncesional në mesin e këtij viti kishte vlerën e 1.9 miliardë eurove. Krahasuar me pesë vjet më parë, korxhi koncesional është rritur me vetëm 2%, ndërsa borxhi i jashtëm i siguruar me kushte të zakonshme tregtare është rritur me 55%.
Ndryshimi në strukturën e borxhit ka ardhur sidomos pasi qeveria shqiptare nisi të aplikonte dalje periodike në tregjet ndërkombëtare për të siguruar hua nëpërmjet emetimit të eurobondeve. Kjo huamarrje zëvendësoi borxhin që në pjesën më të madhe nga vendet partnere, institucionet ndërkombëtare apo bankat e zhvillimit, me kushte preferenciale. Që prej vitit 2018, borxhi me terma tregtarë po dominon në mënyrë të qëndrueshme strukturën e borxhit të jashtëm të qeverisë shqiptare.
Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, në mesin e këtij viti Shqipëria kishte një stok të borxhi të jashtëm në vlerën e rreth 4.8 miliardë eurove. Në pesë vitet e fundit, stoku i borxhi të jashtëm është rritur me rreth 30% dhe ndikimin kryesor e kanë dhënë emetimet e eurobondeve. Kjo ka sjellë ndryshme edhe në strukturën të analizuar sipas llojit të huadhënësve. Në mesin e këtij viti huadhënësit privatë (në pjesën më të madhe nënshkruesit e eurobondit) mbanin pothuajse 30% të borxhit të jashtëm, nga 23% që zotëronin një vit më parë.
Huadhënësit publikë dhe institucionalë vazhdojnë të mbajnë ende rreth 70% të borxhit të jashtëm. Borxhi shumëpalësh dominon me një shumë totale prej afro 2.7 miliardë eurosh ose 56% të totalit. Huadhënësit kryesorë në këtë grup janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Islamike për Zhvillim dhe BERZH. Pjesa e mbetur është borxh përmes marrëveshjeve dypalëshe, kryesisht nga qeveritë e vendeve të huaja. Kreditorët kryesorë janë Italia dhe Gjermania, me 65% të borxhit total dypalësh prej 722 milionë eurosh.
Për 6-mujorin 2021 qeveria shqiptare pagoi 6.5 miliardë lekë interesa për borxhin e jashtëm, në rritje me 55% krahasuar me një vit më parë. Për periudhën 2016-2020, janë paguar mesatarisht 11.6 miliardë lekë interesa borxhi në vit, në rritje, në rritje me 40% krahasuar me periudhën 2011-2015. Në terma realë, pagesat për interesa borxhi në pesëvjeçarin e fundit kanë arritur në rreth 0.75% të PBB-së në vit, nga 0.6% që kishin qenë në pesëvjeçarin paraardhës. Rritja e stokut të borxhit, por edhe zhvendosja më e madhe e tij drejt termave të tregut kanë ndikuar në një rritje të shpenzimeve për interesa borxhi, sidomos pas vitit 2018./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.