Kriza ka ulur ndjeshëm konsumin e lëngjeve të frutave në vend, duke goditur importet. Prodhimi vendas ka shënuar rritje shumë të moderuar duke mos zëvendësuar dot “vendin e lënë bosh” nga importuesit.
Operatorët: Gjatë 2013-2014, tregu në rënie të ndjeshme
Nga Laura Çela
Kriza ekonomike po ul gjithnjë e më shumë konsumin e lëngjeve të frutave në treg. Gjatë vitit 2012-2013, tregu i lëngjeve arriti edhe nivelin më të ulët të viteve të fundit.
Shkaku kryesor për ‘rrudhjen’ e tregut është rënia e pandalshme e importeve, që gjithnjë e më shumë po konkurrohen nga prodhimi vendas. Në kushtet e rënies së reduktimit të konsumit, shqiptarët janë orientuar gjithnjë e më shumë drejt produkteve të lira, duke hequr dorë në këtë rast nga lëngjet e importit.
Shqiptarët llogaritet të konsumojnë rreth 4 litra lëng frutash në vit për frymë, sasi kjo shumë e vogël krahasuar me shumë vende të tjera, por edhe me mesataren e konsumit në nivel botëror. Sipas vlerësimeve të tregut, niveli i konsumit për frymë është luhatur 5-7 litra.
Të dhënat më të fundit zyrtare konfirmojnë se tregu i lëngjeve të frutave ka shënuar rritje gjatë vitit 2012-2013, rreth 2% më shumë se një vit më parë, por duke shënuar gjithsesi nivele shumë më të ulëta se 4-5 vite më parë.
Prodhimi i lëngjeve të frutave në vitin 2012 arriti në 8.8 milionë tonë, rreth 11% më shumë se një vit më parë, kur ai ishte në nivelet e rreth 8 milionë tonëve.
Një tendencë shumë negative po regjistrojnë importet.
Gjatë vitit 2012-2013 duket se ka pasur edhe një rënie të ndjeshme të importeve, me rreth 35%.
Çmimet e disa lëngjeve frutash u rritën, që konsiderohet edhe si arsyeja kryesore që ka çuar në rënien e importeve gjatë vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, prodhuesit dhe distributorët e këtyre produkteve në Shqipëri konfirmojnë se gjatë vitit 2013 tregu ka shënuar rënie në volumet e shitjeve të tyre, si pasojë e krizës.
Tregu arrin në 1.4 miliardë lekë
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, tregu është ndarë në rreth 70% për prodhimin vendas dhe 30% për import.
Në terma financiarë tregu ka arritur në rreth 1.4 miliardë lekë (1 litër =10 lekë), duke arritur një nga nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Shkaku është rënia e vazhdueshme e importeve, të cilat duket se po zëvendësohen nga prodhimi vendas, i cili konkurron edhe me çmime më të lira.
Sipas të dhënave nga operatorët, në vend ka 10 fabrika të prodhimit të lëngjeve të frutave dhe rreth 5 kompani importuese të këtij produkti.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, gjatë vitit të kaluar janë prodhuar rreth 8.8 milionë litra, rreth 800 mijë më shumë se në vitin 2011.
Importet janë reduktuar në 3.5 milionë tonë gjatë 2012-s. Në vitin 2013, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, ulja ishte edhe më e madhe. Importet e lëngjeve të frutave u reduktuan në 2.3 milionë litra. Importuesja kryesore në Shqipëri, me rreth 60% të totalit, mbetet Italia.
Gjeografia e importeve ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me vitin 2004, kur Greqia ishte një importuese kryesore në vend. Importet nga Greqia ranë pasi kompania “El Al PAKC”, një importuese shqiptare që kishte ekskluzivitetin e markës “Amita”, vendosi të investonte në Shqipëri për prodhimin e këtij lëngu frutash, duke marrë ekskluzivitetin nga kompania mëmë në Greqi. Nga këtu u krijua kompania “Partner Ballkanik”, që është prodhuesja kryesore në vend. “Partner Ballkanik” u krijua në vitin 2005, me qëllim prodhimin dhe shpërndarjen e lëngjeve të frutave “Amita”, me lejen e posaçme të “Coca-Cola Hellenic Bottling Company”, duke u bërë kështu kompania e vetme që ÇHBC i besoi këtë mision. Qendra e saj ndodhet në Libohovë të Gjirokastrës, dhe ka punësuar në të gjithë sektorët e saj momentalisht rreth 60 punonjës, kryesisht nga zonat e afërta.
Bie konsumi
Sipas të dhënave nga operatorët vendas, marka “Amita” zë rreth 70% të tregut të prodhimit vendas. Drejtuesit e kësaj kompanie kanë konfirmuar për “Monitor” se gjatë vitit 2013-2014, tregu i lëngjeve të frutave ka shënuar rënie, duke reflektuar efektet negative të krizës. Sipas operatorëve, gjatë vitit 2013, dy fabrika të prodhimit të lëngjeve të frutave janë mbyllur ndërkohë që nuk janë disponibël të dhëna zyrtare nga Ministria e Bujqësisë për të konfirmuar ecurinë e prodhuesve vendas.
Është evident fakti, se me gjithë rënien e shpejtë të importeve, rritja e prodhimit ka qenë shumë më e moderuar duke iu përshtatur edhe uljes së kërkesës. Kjo ka çuar në rënien e tregut total të lëngjeve të frutave.
Ndërkohë, këtë verë nuk pritet të kushtojë më shtrenjtë nëse do të freskoheni me pije apo lëngje frutash. Prodhuesit saktësojnë se kostot e prodhimit e ambalazhit janë rritur, por nuk kanë planifikuar t’i kalojnë ato te çmimi i produktit përfundimtar. Arsyeja kryesore duket të jetë konkurrenca relativisht e fortë në treg.
Për katër vite me radhë (deri në 2011), çmimi i lëngjeve ka shënuar vetëm rritje. Sipas prodhuesve vendas, rritja e çmimit ishte pasojë e koniunkturave të tregut dhe e nevojës për të përmirësuar cilësinë e prodhimit. Çmimi nuk ka qenë problem për këta prodhues, të cilët, gjithsesi, kanë rritur shitjet e tyre.
Sipas të dhënave nga shoqatat përfaqësuese të agroindustrisë, Shqipëria numëron 12 fabrika (shumica e tyre me përmasa të vogla) të prodhimit të lëngjeve të frutave dhe 8 kompani importuese të këtij produkti. Përfaqësuesit e agroindustrisë tregojnë se prodhuesit kanë rritur kapacitetet e shfrytëzimit të industrisë, duke konkurruar importin, ndryshe nga çfarë po ndodh me pijet freskuese.
Konsumi mesatar i lëngjeve të frutave për frymë në disa vende (litër/frymë)
Kanada 53
SHBA 44
Gjermani 39
Austri 37
Itali 14
Shqipëri 4-6
Konsumi mesatar botëror 30 litra/frymë
Burimi: FAO dhe MBUMK
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.