Flet Alban Zusi, president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare
Rritja e pagës minimale dhe mungesa e politikave mbështetëse nga shteti janë faktorët kryesorë që do të ndikojnë në uljen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare. Alban Zusi, president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, tha në intervistën për “Monitor” se në pandemi, industrialisti shqiptar nuk u mbështet me nisma nga shteti, ndryshe nga bizneset e rajonit dhe Europës.
Për këtë arsye, produktet shqiptare nuk ishin avantazh për ekonominë. Zusi nënvizon se edhe tregu me Kosovën është tërësisht i paralizuar nga tarifat administrative dhe për zhbllokimin e situatës është i domosdoshëm dialogu për lehtësimin e tregtisë.
Si e parashikoni ecurinë e konkurrueshmërisë së eksporteve për vitin 2021?
Kjo është një pyetje e vështirë, sepse nga pandemia janë disa të panjohura dhe ecuria është në varësi të situatës epidemiologjike. Megjithatë, janë disa aspekte pozitive që po ndodhin te sipërmarrja për shkak të Covid-19, ku bizneset po bëhen më invoativë, po përpiqen që të ndryshojnë dhe të nxjerrin gjëra të reja për t’u përshtatur me tregun.
Duke qenë se ne jemi disi më të papërkrahurit nga politikat ndihmëse, krahasuar si me bizneset në Europë edhe ato në rajon, gjithsesi kemi dalë më të fortë, pasi duke qenë të detyruar t’i bëjmë të gjitha gjërat vetë, kjo edhe do të na dëmtojë, por dhe do të na forcojë nga ana tjetër.
Së dyti, nëse do të kishim më tepër përkrahje në aspektin ekonomik, pra nëse politika do të fillojë të krijojë struktura, për të marrë opinione në funksion të biznesit, pa diskutim që ne mund t’i kthejmë në oportunitet rrethanat në të cilat gjendemi, të favorizuar më së shumti nga pozicioni gjeografik, prodhimet bujqësore dhe turizmi.
Së treti, nëse ne përpiqemi të ndërtojmë një dialog me vendet e rajonit për lehtësimin e tregtisë, veçanërisht me Kosovën, mundemi përsëri të kemi një gjallërim ekonomik në të dy vendet, sepse praktikisht ky treg është i paralizuar nga procedurat administrative dhe tarifat pa kuptim që ekzistojnë mes tyre. Parashikoj se do të ketë një lloj rritje te bizneset e bujqësisë, bizneset e materialeve të ndërtimet po ashtu, për arsye të zhvillimit të programeve të rindërtimit.
Për bizneset fason, në qoftë se do të mbështeten nga shteti me prokurimet publike, mund të kenë ndonjë rritje, ose tek e fundit do të mbeten te veshjet e modës. Nëse ky sektor do të vazhdojë shitjet në tregjet tradicionale, sepse të paktën edhe 6-mujori i parë i vitit 2021 nuk do të ketë treg për këto produkte, atëherë situata do të jetë e vështirë. Ndërsa për sa i përket zhvillimit të turizmit, edhe për 2021 do të vijojë të mbetet në pjesën e turizmit vendas dhe me rritjen e mëtejshme të turizmit të Kosovës.
Si do të jetë ecuria e industrisë ushqimore në vitin 2021?
Industria ushqimore për vitin 2021 pritet të rritet, pasi kërkesa në tregun e brendshëm është shtuar. Përveç kësaj, edhe mbështetja nga AZHBR-ja është e lartë me kontrata të lidhura për investime me vlerë 60 milionë euro, që do të bëhen efektive për 2021. Kontratat e lidhura në vitin 2020 që do të zhvillohen këtë vit, do të rrisin prodhimin dhe eksportet, dhe me shumë gjasa do të ulin nivelin e importeve të produkteve bujqësore.
Çfarë ndryshimesh do të sjellë rritja e pagës minimale nga 1 janari i 2021?
Rritja e pagës minimale do të heqë nga qarkullimi afro 1 milion euro në muaj, sepse shkon në formën e taksave në shtet. Në momentin që shkojnë në shtet kanë ikur nga tregu, nuk janë më në qarkullim ato para që do të ishin në duart e disa qindra apo mijëra njerëzve.
Këto para, që do të shkojnë në arkën e shtetit, pritet të përfundojnë në tenderë pa eficiencë dhe efektivitet, por mund të ikin edhe jashtë shtetit nëpërmjet këtyre prokurimeve. Mendoj se rritja e pagës minimale do të zvogëlojë fuqinë konsumatore, do të ulë edhe më shumë fuqinë konkurruese të bizneseve, sepse një pjesë e sipërmarrjes që mbajnë njerëzit më pak të kualifikuar, të cilët mund të merrnin edhe poshtë asaj page, do të kenë kosto të shtuar, si rrjedhojë, do të kenë pak më tepër vështirësi në treg.
Nga rritja e pagës minimale konsumatorit do t’i mungojnë 13 milionë euro në vit, sepse këto para, nëse do të ishin në duar të bizneseve dhe të njerëzve, do të qarkullonin disa herë në ekonomi, ndërsa duke u futur në arkën e shtetit kanë efekt shtimi shumë herë më të vogël. Është fakt i njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, se paratë që futen në arkën e shtetit, efektin e shtimit e kanë më të ulët sesa kur qarkullojnë në duart e biznesit. Ky do jetë impakti kryesor, do të ketë rënie të fuqisë blerëse në treg të konsumatorit.
Po me fermerin, kultivuesin kryesor të produkteve bujqësore, çfarë pritet të ndodhë në vitin 2021?
Fermeri i thjeshtë, do të jetë i tërhequr “për veshësh” nga industrialistët, që do të vazhdojnë të fuqizojnë dhe mbajnë në treg fermerët. Kjo kategori është e lidhur ngushtësisht me industrialistët dhe grumbulluesit në fazë investimesh, nga stimuli që u jepet nga fondet e AZHBR-së, IPARD-it dhe ato të brendshme, do të kërkojnë më shumë lëndë të parë. Për këtë arsye, do të vazhdojë ta mbajë me ngarkesë fermerin. Mendoj se kjo pjesë e ekonomisë do të funksionojnë normalisht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.