Kompanitë e sigurimeve paguan 6.8 miliardë lekë ose rreth 59 milionë euro dëme vitin e kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se dëmet e paguara nga siguruesit shënuan një rritje të lehtë me 2.4% krahasuar me vitin 2021.
Rritja e dëmeve erdhi kryesisht nga tregu i Jo-Jetës dhe nga rritja e dëmeve direkte të paguara nga kompanitë e sigurimit për klientët e tyre për dëmet e shkaktuara nga palët e treta, sipas parashikimeve të ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Struktura e dëmeve vazhdon të dominohet nga pagesat e kryera nga shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, që vitin e kaluar paguan direkt 6.25 miliardë lekë, 3.1% më shumë krahasuar me vitin 2021. Kjo shumë përbën 91.5% të dëmeve të tregut të sigurimeve.
Megjithatë, nëse llogarisim edhe dëmet e paguara nëpërmjet Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, pesha e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës arrin në 95.7% të totalit.
Duke qenë se tregu i sigurimeve në Shqipëri dominohet nga sigurimet e detyrueshme motorike, kjo reflektohet qartë edhe në strukturën e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës.
Dëmet nga produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik vitin e kaluar arritën vlerën e 3.72 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 14.8%. Ato përbënin 59.6% totalit të dëmeve të paguara në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës, nga 53.5% që kishin qenë për vitin 2021.
Rritja e dëmeve nga sigurimet e detyrueshme motorike u ndikua sidomos nga produkti i sigurimit të brendshëm MTPL dhe nga dëmet e lidhura me policat Kufitare, ndërsa dëmet nga Kartoni Jeshil pësuan një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin paraardhës.
Rritje të ndjeshme shënuan edhe dëmet në sigruimin nga zjarri dhe forcat e tjera të natyrës, që arritën në 1.11 miliardë lekë, 25.3% më shumë krahasuar me vitin 2021. Pesha e tyre specifike u rrit në 17.8%, nga 14.7% që kishte qenë një vit më parë.
Një rritje të fortë vitin e kaluar shënuan edhe dëmet motorike të paguara si sigurues të drejtëpërdrejtë nga kompanitë e sigurimit.
Kjo kategori dëmesh u rrit me 451% krahasuar me një vit më parë dhe është e lidhur parashikimet e ligjit të ri për sigurimet e detyrueshme motorike.
Ndërkohë, dëmet e paguara nga siguruesit e Jetës vitin e kaluar ranë në 292 milionë lekë, 13.7% më pak krahasuar me një vit më parë. Pesha e tyre specifike zbriti në 4.3% të totalit, nga 5.1% që kishte qenë në vitin 2021.
Kompanitë e sigurimit të Jetës patën pësuar një rritje të shpenzimeve për dëmeve gjatë vitit 2021, zhvillim që reflektoi sidomos shtimin e vdekjeve për shkak të pandemisë së Covid-19. Gjatë vitit 2022 efekti i faktorit Covid është tejkaluar dhe dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit të jetës kanë rënë përsëri./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
30-40% e demeve te paguara jane deme fiktive, nje menyre qe siguruesit e perdorin per evazion fiskal.