Duke vëzhguar ngjarjet ndërkombëtare dhe mënyrat e menaxhimit të shumë kompanive, është e pamundur të mos vësh re një mungesë të theksuar urtësie
A jemi sot më të zgjuar se pesë vjet më parë? Duket se po. James Flynn, profesor i shkencave politike në Universitetin e Otago-s, në një studim të njohur mbi Inteligjencën Artificiale, shkruan se Koeficienti i Inteligjencës rritet me rreth 9 pikë në çdo brez. Krahasuar me shekullin e kaluar, Koeficienti i Inteligjencës mesatar i popullsisë është rritur me rreth 30 pikë.
Këtij studimi i shtojmë edhe një të dhënë tjetër interesante. Report Training Industry Research 2019 shkruan se gjatë vitit 2018, kompanitë kanë shpenzuar në total 3,4 miliardë dollarë në programe zhvillimi të leadership-it, i cili thekson një tendencë në rritje të fortë të shpenzimeve.
Por, a mund të pohojmë se rritja e Koeficientit të Inteligjencës përkon me zgjedhje dhe vendime më të mira krahasuar me të kaluarën? Në të njëjtën mënyrë, a mund të hamendësojnë se liderët e kohërave të sotme janë më të mirë se ata të së shkuarës? Me pak fjalë, a e shohim këtë rritje të leadership-it dhe të inteligjencës?
Duke lexuar lajmet në gazetë, statistikat ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha duke hedhur një sy të shpejtë se çfarë ndodh në rrjetet kryesore sociale, dyshojmë se bota është duke shkuar në drejtimin e duhur. Kriza financiare e dekadës së fundit ka rritur pabarazitë sociale, në vende të ndryshme në botë kanë ardhur në pushtet lider joliberalë në krye të lëvizjeve populiste, po përhapen ndjenja të intolerancës racore dhe fetare (shpesh këto ushqehen nga fenomeni i fake news) dhe ndërkohë jemi përballë një krize klimatike shqetësuese, së cilës askush nuk i kushton vërtet rëndësi.
Edhe brenda kompanive nuk shihen ndikime pozitive. Jeta mesatare e kompanive është përgjysmuar krahasuar me vitet ’90. Sondazhe ndërkombëtare mbi klimën organizative tregojnë një pakënaqësi të vazhdueshme të punonjësve karshi kompanive, duke regjistruar nivele mosangazhimi drastike.
Robert J, Sternberg, profesor i Human Development në Cornell University dhe autor i librit “The Cambridge Handbook of Wisdom” (2019), duket se i ka idetë e qarta për shkaqet që kanë çuar në këtë situatë. «The world is not suffering from a lack of intelligence or leadership, it is suffering greatly from a lack of wisdom» (Bota nuk vuan nga mungesa e inteligjencës apo leadership-it, por më shumë nga mungesa e urtësisë).
Flitet për urtësi që nga kohërat e Sokratit, por kërkimet akademike në fushën e psikologjisë, sociologjisë, filozofisë dhe antropologjisë janë kryesisht të kohërave të sotme. Përkufizimi i urtësisë që del nga këto studime është veçanërisht interesant: konsiderohet si arti i arritjes së një të mire të përgjithshme duke gjetur një ekuilibër mes interesave të ndryshme dhe kohërave (ndikimi në afat të shkurtër dhe në afat të gjatë) duke e vendosur veprimin/vendimin brenda një konteksti (duke e kuptuar, duke e përshtatur dhe duke e formësuar atë me kalimin e kohës).
Ka tre aspekte që e bëjnë konceptin e urtësisë veçanërisht interesant për botën e sotme:
1)Fokusimi tek “e mira e përgjithshme”; 2) Përfaqëson aftësinë për të menaxhuar me efikasitet trade-off (në afat të shkurtër dhe të gjatë, interesat personale, të grupit përkatës dhe të komunitetit më gjerësisht); 3) Është thellësisht i rrënjosur në kontekstin në të cilin vepron. Urtësia nuk sjell me vete modele të veprimit ose protokolle të standardizuara për lloje të ndryshme problemesh.
Përkundrazi, përfaqëson aftësinë për të kuptuar karakterin specifik të vendeve, personave dhe momenteve të veçanta, duke lejuar identifikimin dhe vendimin më efikas për të mirën e përgjithshme.
Duke vëzhguar ngjarjet ndërkombëtare dhe mënyrën e veprimit të kompanive, është e pamundur të mos vësh re një mungesë të theksuar urtësie. Fiton egoizmi dhe lokalizmi, arritja e objektivave në një afat të shkurtër, krijimi i armiqve të jashtëm si një mënyrë identiteti, narcizizmi i egos që vë në qendër interesin individual dhe logjikën e fitores me çdo kusht.
Urtësia ka qenë gjithnjë një element i rëndësishëm për njerëzimin, por sot jemi përballë një situate më të vështirë. Në kohërat e kaluara ne mund të mbështeteshim “te burrat e mençur”, figura legjendare dhe të rralla që jepnin këshilla dhe drejtonin të tjerët. Sot, e gjithë kjo nuk është më e mjaftueshme. Bota sot është fort e ndërlidhur dhe e ndërvarur. Ky kompleksitet e çon çdo individ (sipas shkallëve të tij të përgjegjësisë) të përballet në vazhdimësi me trade-off, të papritura, situata të paqarta dhe paradokse. Zgjedhjet e tij mund të kenë efekte sistemike për të gjithë komunitetin në të cilin vepron. Marrëzia dhe zgjedhjet individuale dritëshkurtra, në të gjitha nivelet, mund të shënojnë fillimin e pasojave jo vetëm lokale (afër vendimmarrësit) por edhe botërore.
Për t’u përballur me këtë kontekst, Koeficienti i Inteligjencës nuk është i mjaftueshëm. Ashtu siç nuk është e mjaftueshme qasja tradicionale te leadership-i. Lideri karizmatik, që tregon rrugën që duhet ndjekur, krijon ndjekës dhe u jep qartësi të tjerëve, mund të sjellë ulje të mendimit kritik, të origjinalitetit dhe të prirjes së njerëzve për të kuptuar terrenin nëpër të cilin po lëvizin. Leadership-i mund të rritet në kurriz të mençurisë.
Nëse duam të vazhdojmë të flasim dhe të investojmë në leadership është e nevojshme të rishikojmë konceptet nga themeli.
Ka shumë hapa për t’u bërë në këtë drejtim. I pari është edukimi i gjeneratave të reja. Siç thekson Sternberg «the greatest problem today is not reading or math – it is the failure to teach students to think wisely and well» (problemi më i madh sot nuk është leximi apo matematika – është paaftësia për t’u mësuar studentëve të mendojnë me urtësi).
*Alessandro Cravera – Partner i Newton Spa
Burimi: Il Sole 24 Ore