Me siguri, nuk do ta ngrohë edhe aq zemrën e tifozëve, ashtu si blerja e një lojtari kalibër, por vendimi i Inter dhe Milan për të ndërtuar një stadium të ri në vend të stadiumit historik ‘Meazza’ (stadiumi ‘Giuseppe Meazza’ njihet ndryshe dhe si stadiumi ‘San Siro’) mund t’u sjellë përfitime të mëdha dy klubeve milaneze.
Risia
Pas një serie të gjatë thathethemesh dhe përgënjeshtrimesh, presidenti i Milan, Paolo Scaroni, dhe ai i Inter, Alessandro Antonello, njoftuan se do të ndërtojnë “një stadium të ri ‘San Siro’, pranë të vjetrit. Në impiantin e ri do të zhvillohen edhe Lojërat Olimpike dimërore në vitin 2026 (stadiumi ‘Giuseppe Meazza’ është në pronësi të komunës). Ndërkohë janë derdhur rreth 600 – 700 milionë euro për këtë impiant, punimet për të cilin kanë afat 3 vjet.
Por vendimi i bërë publik nga Inter dhe Milan ngjalli menjëherë pakënaqësi në fushën e sportit dhe në politikën italiane. “San Siro nuk preket, përfaqëson historinë e futbollit milanez” – thonë analistë të ndryshëm. Sipas Movimento 5 Stelle (Lëvizjes 5 yjet), Milan dhe Inter kanë bërë “propozimin më të keq të mundshëm”, ndërkohë që është kërkuar të mbahet një seancë në Këshillin Komunal me drejtuesit e Inter dhe Milan.
Projekti
Në pritje të detajeve të reja, që për momentin nuk janë publikuar, qëndrojmë te fjalët që kanë qarkulluar javët e kaluara. Inxhinierët e angazhuar nga dy shoqëritë thonë se bëhet fjalë për një impiant me 60 mijë vende (në linjë me atë çka dikton UEFA për zhvillimin e finaleve të kompeticioneve europiane – më pak vende se stadiumi i tanishëm “Meazza”, 80 mijë vende). Impianti i ri do të jetë pranë atij të vjetër i cili do të vijojë të quhet “San Siro” (emri i zonës ku ndodhet) dhe do të ketë edhe hapësira tregtare me hyrje të veçantë për të dy klubet.
Arsye biznesi dhe jo vetëm
Pas kësaj zgjedhje, që gjatë kohës kanë lënë pas hipotezën alternative të ristrukturimit, është vetëdija që stadiumi ‘Giuseppe Meazza’ – që megjithatë mbetet një nga stadiumet më të bukur në Itali – nuk është në gjendje t’i përgjigjet evolucionit të konkurrencës. Hapësirat e rritjes sa i përket të ardhurave janë të mëdha në impiantet ku mund të zhvillohen ndeshje futbollit 365 ditë të vitit. Nuk është një rastësi që në dhjetë vitet e fundit, në të gjithë botën, kanë filluar të ndërtohen 495 stadiume të reja (dhe në dy raste nga tre kanë përfunduar) nga të cilat 240 stadiume lidhen me futbollin.
Çfarë ndryshon për Milan dhe Inter
Pasja e një stadiumi te ri në pronësi ishte thelbi i rilindjes së Juventus pas skandalit Calciopoli që e zbriti klubin bardhezi në Serinë B. Në sezonin 2010 – 2011, sezoni i fundit i luajtur në Stadio Olimpico, Juventus fitoi pak më shumë se 10 milionë euro nga shitja e biletave. Por që në vitin e parë të impiantit të ri, të ardhurat u rritën në 33 milionë euro, ndërsa në sezonin 2014 / 15, në 51 milionë euro. Në bilancin e sezonit 2017/18, të ardhurat ishin 56 milionë euro, një shifër pesë herë më e lartë se ajo në fillim, por një tendencë në rritje që ngadalësohet ndjeshëm.
Inter dhe Milan e nisin nga 40 milionë euro secila, por kanë hapësira të mëdha për ta kaluar rezultatin e bardhezinjve, së pari, sepse impianti i ri do të ketë 61 mijë vende krahasuar me 41 mijë vende të stadiumit në Torino, por edhe sepse do të jetë një stadium në pronësi të tyre, që do t’u mundësojë rritje të ardhurash nga shitja e biletave. Por ne rritjen e të ardhurave do të ndikojnë edhe aktivitetet tregtare rreth stadiumit.
Për të dhënë një shembull, çdo vit, Barcelona fiton nga shitja e biletave rreth 160 milionë euro, kurse Real Madrid 145 milionë euro. Inter dhe Milan, nga ana tjetër, fitojnë rreth 40 milionë euro secila.
Përgjysmimi i hendekut në harkun e tre viteve do të thotë të kesh në dispozicion jo më pak se 60 milionë euro të ardhura çdo vit. Pa marrë parasysh ndikimin në drejtim të merchandising dhe shfrytëzimit të të drejtave që lidhen me impiantin e ri.
Përse do të ndërtohet një stadium i ri
1.Ristrukturimi do të kushtonte shumë, rreth 300 – 400 milionë euro
2.Në stadiumin e ri do të përfshihen në brendësi edhe aktivitete me pagesë si restorante dhe dyqane merchandising që do të rrisin të ardhurat
3.Një stadium i ri në pronësi do të ishte në linjë me standardet botërore
Burimi: Forbes Italia