“Me sytë tek IPARD II, presim të ketë ndikim te tregu”

20/11/2018 3:42 PM 0 komente

Flet Fatos Pogoni, Pogoni sh.p.k

 

Programi IPARD II shihet nga operatorët e tregut të mekanikës bujqësore si një shpresë për të ndryshuar dinamikën e zhvillimit të tij. Nëse aplikimet do të bëhen drejt nga ana e fermerëve dhe planet e tyre do të miratohen, në finale do të ketë edhe integrim të pajisjeve të reja.

Fatos Pogoni, administrator i Pogoni sh.p.k, pjesë e bizneseve shqiptare në Panairin EIMA 2018 shprehet se pas krijimit të një lloj përvoje me IPARD Like dhe disa programe të ngjashme, faza e re ku do të hyjë vendi me IPARD II është vendimtare. Thjesht duhet të krijohen kushtet e duhura, të informohen fermerët dhe të qartësohen procedurat në mënyrë që procesi të avancojë, duke sjellë përfitim për gjithë zinxhirin dhe ekonominë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se më 30 nëntor hapet thirrja e parë për aplikimet në programin IPARD II. A prisni të ketë ndryshime në sektor, falë këtij programi?

IPARD-Like, pra faza e parë e IPARD-it që shërbeu edhe si formë teksti, ishte ai që bëri që ne si tregtarë të mjeteve bujqësore të kthenim sytë nga mjetet e reja. Ne e nisëm operimin në vitin 2000 dhe deri në 2004 importonim mjete të përdorur nga Japonia, Greqia dhe Italia. Kur ka nisur IPARD-Like kemi nisur të shesim traktorin e parë të ri apo pompat dhe plugjet që përdoren në bujqësi. Duke pasur parasysh që me IPARD-Like ka pasur shumë më pak para në dispozicion por që ne arritëm të kishim zhvillime në treg, presim më shumë nga IPARD II, sepse sot kemi edhe përvojën.

Dua të sjell në vëmendje edhe programin SARED, i cili i dha një tjetër hov sektorit. Sektori ka një lloj zhvillimi të ngadaltë, por po ecim përpara dhe këtë mund ta vlerësojmë edhe me faktin që kemi kaluar nga mjetet e lira tek traktorët gjermanë dhe italianë. Kemi pasur mundësi të ecim dhe të fusim teknologjinë e përparuar, por jo të fundit, sepse tregu shqiptar ka probleme të shumta, ka konkurrencë të madhe dhe parcelizim të lartë që e kufizojnë.

Sot ka nevojë për rregullim të tij në gjithë zinxhirin, por këtë e bën konsumatori. Duhet të funksionojë i gjithë sistemi, në mënyrë që fermeri të vijë me përvojën, informacionin dhe nevojën për të kërkuar atë që i përshtatet dhe këtë ia sugjeron agronomi apo tekniku. Të gjitha janë hallka që duhet të funksionojnë. Fitimet në sektor janë të vogla dhe në shumë raste kërkesa mbetet edhe peng i procedurave të ndërlikuara që kemi ne në aspektin ligjor siç është për shembull rasti i TVSH-së.

Mund të na jepni disa detaje më shumë rreth kësaj çështje që lidhet me TVSH-në te mjetet bujqësore?

Në fakt, ne kemi marrë një angazhim nga ana e institucioneve që do të zgjidhet ky ngërç që ka nisur prej 5 vitesh lidhur me TVSH-në tek mjetet bujqësore. Në shkurt të vitit 2013 është miratuar ligji i TVSH-së dhe në dhjetor 2014, qeveria, Rama e rikaloi dhe ku specifikohej se fermerëve iu lejonte importimin e mjeteve bujqësore pa paguar TVSH, duke paraqitur disa dokumente, por flasim për import, mall të futur në doganë dhe të blerë nga jashtë, por specifikisht nga fermerët.

Ndërsa fjala tregtar që na përfshin ne të tjerëve që jemi kompani shitje, na ka detyruar që të importojmë duke paguar TVSH dhe t’ia shesim fermerit me TVSH-në që detyrohemi të paguajmë. Deri diku, diskriminohemi ne si tregtarë shqiptarë, pasi fermeri e ble nga jashtë. Kompanitë në këto kushte kanë gjetur si zgjidhje alternative hapjen e kompanive të tjera në vende fqinje si në Kosovë dhe Maqedoni, pikërisht për të shmangur këtë pjesë diskriminuese që parashikon kuadri ynë i ligjit. Ne shpresojmë që kjo të korrigjohet në mënyrë që edhe vetë shteti shqiptar të përfitojë në arkën e tij të ardhura që deri më sot i kanë përfituar fqinjët përfshirë edhe Greqinë.

Për t’ju kthyer dhe një herë IPARD II, çfarë mendoni se duhet të kihet parasysh apo ku duhet të vihet theksi, duke qenë se është lakuar shpesh pjesa që përthithja e fondeve është e vështirë?

Unë kam marrë pjesë në shumë takime informuese që zhvillohen për këtë program, thjesht për të marrë informacionin dhe për t’ua transmetuar fermerëve atë pjesë që është e nevojshme. Ne si treg i makinerive bujqësore mund të përfitojmë nga programi vetëm kur fermeri ka fituar dhe ka nënshkruar kontratën, por që fermeri të arrijë në këtë pikë, është një rrugë e gjatë informimi. Përtej aspekteve të tjera, ajo që shoh unë si problematikë është certifikata e tokës.

Ne si vend nuk mund t’i diktojmë Komunitetit Europian që ai të heqë dorë nga kriteri i certifikatës së tokës. Ky do të jetë problem i madh dhe i vetmi që shohim, pasi çdo gjë tjetër tek IPARD është e zgjidhshme edhe kur fermerët nuk kanë pjesën e tyre të financimit. Ka sot një bashkëpunim me sektorin bankar dhe fonde të vëna në dispozicion, që e lehtësojnë këtë kriter kurse pjesa që lidhet me certifikatën e tokës është e paqartë. Duket sikur ka një lloj konfuzioni edhe te vetë institucionet për këtë pjesë. Shohim që ka një lloj skepticizmi dhe shqetësimi, por nëse të gjithë palët angazhohemi për të mbështetur fermerët dhe për të krijuar grupe pune, ndoshta kjo mund të jetë më produktive. Duhet t’ju gjendemi pranë sepse është e vetmja mënyrë për të thithur aplikime. Sot, situata në terren tregon se fermerët nuk kanë asgjë të qartë vetëm përmes promovimit që është bërë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

Kjo lidhet disi edhe me precedentët e mëparshëm që mund të jenë krijuar nga skema kombëtare. Pastaj IPARD flet për vlera të larta që, deri diku, shihen me hije dyshimi nga ana e fermerëve, plus dhe kohëzgjatja për përmbylljen e procedurave mund të ketë ndikimin e saj, në mënyrën sesi shihet program. Në finale, në e shohim IPARD si levën që mund të ndryshojë situatën në bujqësinë shqiptare dhe me ndikim të rëndësishëm në ekonomi. Nëse kjo nuk ndodh, fermerët tanë do të rrinë te rutina e tyre e mbijetesës dhe nuk duhet ta shohim këtë sektor si diçka për mbijetesë, por për të fituar. Ndaj edhe theksi duhet të vihet te zgjidhja e ngërçit me atë kushtin e vërtetimit të pronësisë. Tek dokumentacioni i nevojshëm për aplikim thuhet që duhet të paraqitet certifikatë pronësie nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ose vërtetim pronësie, lëshuar nga ZRPV.

Vërtetimi i pronësisë është për zonat e paazhurnuara dhe programet për këto zona kanë lejuar një vërtetim që lëshohej nga bashkia, pra zyra kadastrale e qarkut, e shoqëruar me një hartë nga një topograf i licencuar. Ky dokument ka vlejtur si dokument që vërteton se (X) fermer ka (X) tokë. Ne kemi sugjeruar që për çdo dokument që kërkohet, të lëshohet një format tip nga institucionet, në mënyrë që të ketë sa më pak mundësi për konfuzion dhe që fermerët dhe konsulentët të dinë se ku të orientohen.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of