/PRNewswire via COMTEX/ — Aksioneri i shumicës i Vetro Energy, z. Rezart Taci, konfirmoi në 22 nëntor se grupi i tij ka finalizuar financimin dhe investimin e kapitalit prej 850 milionë euro, në një marrëveshje për të privatizuar rezervat shqiptare të naftës, përmes blerjes së kompanisë shtetërore Albpetrol. Vetro Energy është aktualisht në negociata me qeverinë e Shqipërisë për të blerë 100% të aksioneve të Albpetrol. Kur të përfundojë, kjo marrëveshje do të jetë një nga transaksionet më të mëdha të koorporatave në historinë e Ballkanit. Në madhësi, marrëveshja është ekuivalente me rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.
Z. Taci konfirmoi se diskutimet me qeverinë shqiptare janë në një fazë të avancuar, duke komentuar se “unë kam besim se marrëveshja për blerjen e aksioneve me qeverinë shqiptare për blerjen e Albpetrol do të përfundojë me sukses shumë shpejt, duke qenë se ne jemi të prirur të ecim përpara me këtë projekt dhe të investojmë në të ardhmen e Shqippërisë. Është arritur një progres i konsiderueshëm mes dy palëve, por ka ende shumë punë përpara nga të dyja palët.” Vetro Energy do të sigurojë të gjitha aktivet mbi tokë të Albpetrol dhe të drejtën të eksplorojë dhe zhvillojë gazin dhe naftën në territorin shqiptar.
Vetro Energy planifikon të krijojë të vetmen platformw të integruar të gazit dhe naftës në Shqipëri, që do t’u shërbejë tregjeve lokale, rajonale dhe ndërkombëtare të energjisë dhe do të vendosë në Shqipëri një nyje ndërkombëtare energjie të Europës Juglindore. Me mundësitë e eksplorimit në tokë dhe det dhe zhvillimeve në rrjetet e transmetimit të gazit, Vetro Energy do të investojë në teknologji, mjedis dhe komunitetet përreth. Si rrjedhojë e marrëveshjes, Shqipëria dhe një herë do të arrijë të plotësojë nevojat e veta për naftë, duke eliminuar nevojën për importe. Vetëm Patos-Marinza është fusha naftëmbajtëse tokësore më e madhe në Europën kontinentale, me 169 milionë fuçi rezerva të vërtetuara.
Vetro Energy është një konsorcium i YPO (grupi Taci) dhe Silk Road Equity.
Albpetrol është kompania e naftës dhe e gazit në Shqipëri, që aktualisht është në zotërim të qeverisë shqiptare, me qendër në Patos. Aksioneri i vetëm është Ministria e Ekonomisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.