Mehmeti: Qeverisë i mungon vizioni për arsimin

21/09/2019 10:08 PM 0 komente

Eksperti i politikave arsimore, Ndriçim Mehmeti, thotë se sistemi arsimor në vend vuan nga mungesa e financimeve, një vizion i qartë dhe politizimi i sektorit. Pasojat janë një arsim që nuk ka lidhje me tregun e punës

 

Viti i ri shkollor po afron. Në këndvështrimin tuaj, cilat janë problematikat më të mprehta të këtij viti, si në logjistikë ashtu edhe në modelet e mësimdhënies dhe kurrikulave?

Problemi më i madh është mungesa e një vizioni të qartë të Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë për arsimin, zhvillimin e tij, mungesa e fondeve, njerëzve të kualifikuar, një modeli të përshtatshëm për vendin tonë etj. Për të folur më konkretisht, në këtë vit shkollor, kemi mungesë të infrastrukturës shkollore, mjeteve didaktike si dhe një kurrikulë që po zbatohet kuturu. Le të marrim një rast: Nëse tekstet shkollore, do të trashëgohen nga njëri brez tek tjetri, atëherë si do të përmirësohen ato në rast se ka gabime, sa është ndikimi i mësuesit në zgjedhjen e tekstit (që realisht bëhet zero) etj.

Numri i nxënësve edhe këtë vit shkollor është në rënie të theksuar në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, ndërsa numri i mësuesve është i njëjtë, sidomos në zonat rurale, ku rënia e nxënësve është edhe më e madhe. Si duhet të ripërshtatet sistemi ndaj këtyre ndryshimeve demografike?

 Sikundër ju përmenda më lart, problemi më i madh është mungesa e një vizioni të qartë për arsimin ku është dhe ku do të shkojmë, duke marrë në konsideratë zhvillimet ekonomike e sociale të vendit. Duket qartësisht që prej 2014 e në vijim është ulur në mënyrë drastike numri i nxënësve për shkak emigrimi dhe migrimi të brendshëm. MASR dhe qeveria, nuk e ka analizuar këtë situatë dhe për pasojë, nuk janë gati të japin edhe zgjidhjet. Braktisja e arsimit të detyruar, ndodh më së shumti për arsye ekonomike dhe sociale dhe, për mungesë të shpresës se ky vend mund të bëhet. Pra mungojnë programet e zhvillimit ekonomik për të frenuar fenomenin e largimit të popullsisë.

Nga ana tjetër, nisma e MASR për përqendrimin e shkollave përfundoi në një fiasko. Klasat kolektive vijojnë të jenë një problem i madh. Numri i mësuesve ka rënë, po të kemi në konsideratë se në vitin 2013 ishin 38 mijë e diçka më tepër ndërsa sot është pak më shumë se 32 mijë. Na mungon siç përmenda vizioni, politikat ekonomike dhe ato arsimore. P.sh., nuk flitet fare për arsimin profesional, i cili, duhet të jetë prioritar për zhvillimin e agroturizmit, zejeve të ndryshme, bujqësisë, blegtorisë etj.

Shpenzimet për arsimin në raport me PBB pritet të jenë me ulje në periudhën afatmesme sipas tabelës bashkëngjitur. Cilat janë nevojat reale për financime të arsimit shqiptar?

 Shpenzimet për arsimin janë ulur në mënyrë dramatike. Për fat të keq, tani kemi shumë pak investime në infrastrukturë, laboratorë, për zhvillimin profesional të mësuesve e kështu me radhë. Prej vitit 2013, mësuesve u është hequr pagesa e transportit në shkollat e mesme. Prej vitit 2013, nuk kemi më asnjë shpërblim për mësuesit në fund të vitit. Prej vitit 2013, nuk kemi një rritje të qenësishme të pagave të mësuesve, duke ulur ndjeshëm motivimin e tyre për punë.

Premtimi i qeverisë shqiptare, në programin e saj qeveritar 2013-2017, se “do të rriste me 5%, financimin në arsim”, mbeti në letër dhe nuk u realizua kurrë. Ndërsa Europa shpenzon mesatarisht nga 5.1-6% të PBB, për arsimin, ne shpenzojmë vetëm 2.98% të PBB. Kjo shifër flet shumë. Shifrat e shpenzuara nga qeveria shqiptare tregojnë fare qartë se arsimi nuk është një sektor prioritar për të, në rastin më të mirë, pasi nuk dua të besoj se ka një politikë të orientuar për dobësimin e arsimit, çka do të ishte një lajm shumë i keq dhe tragjik.

Pse nuk funksionoi mësimi në internet në shkolla?

Sepse si të gjitha “reformat”, kishte vetëm karakter propagandistik dhe asgjë reale. Nuk kishte një masterplan, se si do të fillonte ky proces, ecuria e tij, plani buxhetor që do të mbështeste këtë projekt etj. Në fakt asnjëra nga këto nuk u mor në konsideratë. Znj. Nikolla e deklaroi si një gjë të jashtëzakonshme këtë të ashtuquajtur projekt, pastaj nuk e përmendi më dhe me ikjen e saj, edhe ato miliona që u harxhuan, shkuan kot.

U hartuan programe dixhitale dhe u shpenzuan sërish para nga taksapaguesit, por më kot, pasi nuk hyjnë në punë për asgjë. Projekti dixhital dështoi me sukses dhe përgjegjësinë, nuk e merr askush. Nuk ka asnjë faturë financiare që shkoi dëm, askush që të marrë të paktën përgjegjësi morale dhe askush nuk thotë pse përfundoi në kosh të plehrave ky projekt, ku janë tablet­-ët që përdorën nxënësit, sa ndikoi në dijet e tyre etj.

Po ashtu ka dështuar plotësisht mbulimi me internet, në të gjitha shkollat e vendit, si dhe aksesi i nxënësve në kompjuterë. Mësimi përmes IT, është në nivelet më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit, si dhe prej vitit 2013, nuk ka thuajse asnjë përtëritje të laboratorë të IT dhe nxënësit e mësuesit pohojnë se shumica e kompjuterëve nuk punojnë, pasi nuk janë mirëmbajtur dhe janë thjesht sa për numër.

Sa përparime janë bërë në lidhjen e sistemit arsimor në vend me nevojat e tregut të punës?

Shumë pak, për të mos thënë aspak. Është një nga të metat më të mëdha. E përmenda edhe më sipër, mungesën e vëmendjes ndaj arsimit profesional. Arsimi profesional, pasi u hallakat nga një ministri në tjetrën ,në mandatin e parë të qeverisë “Rama”, në mandatin e dytë, nuk dihet se ku ka përfunduar. Ne trumbetojmë me të madhe se do të rrisim kapacitetet tona akomoduese në turizëm, por a i kemi përgatitur ne burimet e duhura njerëzore, për këtë sektor që pretendojmë ta rrisim nga dita në ditë?

Ne pretendojmë të rrisim prodhimin e brendshëm dhe eksportin në bujqësi, por i kemi bosh shkollat e agroturizmit. Do të zhvillojmë zejtarinë dhe punën me dorë, por na mungojnë njerëzit e përgatitur për këtë qëllim. Do të hapim aeroporte dhe porte të reja, por kemi shumë pak fuqi pune të kualifikuar. Ne ende nuk kemi një studim, sa janë nevojat e ekonomisë sonë për profesionistë, a përmbushen ato dhe cilat janë masat që duhet të marrim në plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë?

Në kushtet e tanishme, ne rrezikojmë jo vetëm konkurrencën në rajon, por edhe mungesë të theksuar të profesionistëve brenda vendit. Kambanat e alarmit kanë rënë, por për fat të keq në vesh të shurdhët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of