Gjatë aktivitetit “ Albania Oil, Gas and Energy 2015” ministri i energjisë Gjiknuri deklaroi ekzistencën e 13 blloqeve të lira nafte, duhe shtuar edhe ftesën ndaj kompanive të kësaj fushe për shfrytëzimin e tyre, sipas standardeve të duhura dhe transparente.
Në një material të detajuar, MEI bën të ditur vendndodhjen e këtyre blloqeve, në tokë dhe në det, si më poshtë:
1. Blloqet e lira në tokë
a. Blloku A: shtrihet në veri-perëndim të vendit, me sipërfaqe 1090 km2. poroziteti luhatet nga 2–5% Studimet gjeologo-gjeofizike të kryera në këtë rajon e vlerësojnë atë me interes për kërkimin e naftës dhe gazit, veçanërisht në strukturat karbonatike të zonave tektonike Jonike dhe Kruja, që ndodhen nën mbihypje, si dhe në shtresat ranore brënda depozitimeve të Miocenit. Në këtë bllok, edhe pse pusi Juban-1 i shpuar nga Petromanas nuk vërtetoi naftëmbajtje, ekzistojnë një sërë strukturash dhe mundësish më në perëndim për gjetjen e naftës dhe gazit. Për kërkimin e mëtejshëm në këtë bllok është e nevojshme kryerja e punimeve sizmike me zgjidhshmëri të lartë për evidentimin dhe përgatitjen e strukturave me interes për naftëgazmbajtje.
b. Blloku B: shtrihet në pjesën perëndimore të vendit tonë. Ka një sipërfaqe prej 776 km2. Nisur nga punimet sizmike të kryera, puset e shpuar dhe stili tektonik i vërtetuar më në jug, në këtë bllok prognozohet struktura e Gjuricës Perëndimore, si dhe ngritjet e Gjuricës dhe Rinasit.
c. Blloku C: shtrihet në pjesën veriore të ultësirës pranë Adriatikut. Ka një sipërfaqe rreth 900 km2. Pusi i kërkimit Peza 1, u ndal në thellësinë 5200 m, pasi nuk arriti objektin karbonatik. Në këtë pus janë evidentuar shenja gazi gjatë shpimit.
* Blloqet e lira në tokë nga raundi i dytë evidentuan edhe 8 blloqe të tjera të pasura me naftë apo gaz.
2. Blloqet e lira në det:
a. Blloku verior i Rodonit
Përfaqëson pjesën më veriore detare. Në perëndim kufizohet me kufirin ndërkombëtar midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, në lindje kufizohet me Blloqet A dhe B në tokë, ndërsa në Jug nga blloku i Durrësit. Në këtë bllok janë evidentuar prospekti i Drinit (i përbërë nga Drini-1, 2 dhe 3) për naftë dhe strukturat A dhe B për gaz. Rezervuari mendohet të jetë furnizuar nga karbonatet platformike të zonës Kruja, ndërsa si mbulesë shërbejnë shtresat argjilore të Miocenit të Sipërm dhe prerja argjilore e Pliocenit.
Hartat e blloqeve të përmendura më lart, janë më poshtë:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.