Intervistë me z. Henri Çili, president i Universitetit Europian të Tiranës
Duke qenë se një pjesë e mirë e universiteteve private patën vështirësi në bilancet e tyre financiare, përgjatë viteve 2011-2013, kohë kur nisi mbyllja dhe pezullimi i disa licencave, Universiteti Europian i Tiranës ka pasur rritje të qëndrueshme të të ardhurave, por edhe të fitimit të para tatimit dhe të fitimit vjetor neto. Si mendoni, universitetet mund të trajtohen si koncept biznesi apo në kontekstin ku të rinjtë mund të gjejnë një shkollë ku mund të fitojnë një të ardhme më të mirë?
Unë mendoj se ka një keqkuptim shumë të madh dhe ju që jeni gazetare ekonomie dhe një intervistuese e specializuar ekonomie, në mënyrën si e ndërtoni pyetjen. Pas çdo sipërmarrje, publike ose private, shtetërore apo jofitimprurëse ka një logjikë ekonomike. Është një shprehje e famshme kundër logjikave etatiste ose logjikave që nënkupton pyetja juaj: “Supë falas nuk ka, varet kush e paguan supën”. Në këtë kuptim, edhe universiteti shtetëror është një biznes, pavarësisht se ai ka kosto të fshehura, madje shumë më të mëdha se të universitetit privat, por logjika e funksionimit shtetëror dhe fshehja e kostove të vërteta sesa i kushton shoqërisë universiteti shtetëror është një problem shumë i madh, është një debat shumë i gjerë. Por le t’i kthehemi pyetjes. Universiteti, shkollimi është një shërbim publik. Ai ofrohet nga operatorë shtetërorë, privatë ose jo fitimprurës, por ai funksionon dhe si shërbim. Është një shërbim publik, sepse të jep dije, përgatit specialistë, bën kërkim shkencor, debaton për politikat publike dhe për çështjet e vendit dhe si i tillë, ka një funksion tërësisht publik. Sigurisht që pas kësaj ka një mekanizëm ekonomik, i cili shërben për ta mbajtur, për ta çuar përpara dhe për ta rritur këtë sistem.
Duke iu referuar përvojës në botë, mjafton të jap 2 argumente, 2 nga renditjet më prestigjioze ndërkombëtare për arsimin janë Times Higher Education dhe renditja Shangai. Në të dy këto renditje, 90 ose 95% e universiteteve janë të sistemit anglosakson. Janë private ose private jofitimprurëse, pra nuk janë shtetërore në kuptimin e një institucioni shtetëror, siç jemi mësuar ne ta shohim në Shqipëri apo siç është në Europën Kontinentale. Kjo dëshmi e pakontestueshme ndërkombëtarisht tregon që sistemi privat është shumë më eficient për të siguruar një diplomë më të mirë, një diplomë që siguron të ardhura më të mira, një edukim më të mirë, një kujdes më të mirë dhe një shërbim arsimor më të mirë.
Pa dashur t’iu ndërpres, thatë që është një pyetje etatiste. Në fakt pyetja kishte një koncept liberal në thelb. Tregu zgjedh më të mirin, por ndonjëherë dhe deformohet. Puna është si mund ta mbrojmë studentin, një shtresë e cila ekonomikisht nuk është dhe më e pasura në çdo shoqëri?
Sektori privat ka sjellë një trend, por ne nuk kemi një treg të edukimit të lartë. Qeveria, në mënyrë të sforcuar, të gjitha qeveritë, kanë mbajtur monopolin e arsimit të lartë, rreth 90% e tregut mbahet e bllokuar me çmimet dhe tarifat dhe ka një rezistencë të jashtëzakonshme për të krijuar tregun e edukimit të lartë me specifikat përkatëse, por gjithsesi është një treg. Unë mendoj se studentët dhe prindërit që kanë investuar në universitetet private në Shqipëri ia kanë vlejtur plotësisht me investimin e tyre, në universitetet serioze flas, jo ata që s’kanë dashur të marrin një diplomë, sepse ka pasur prindër dhe studentë që nuk e duan një diplomë të tillë. Të gjithë të tjerët kanë mundësi që të gjejnë një shërbim shumë më të mirë, shumë më të diversifikuar, shumë më cilësor në universitetet private në Shqipëri. Unë njoh të paktën 5 ose 6 prej tyre, mund të ketë dhe të tjerë siç është Universiteti i Nju Jorkut, Universiteti Luarasi, Polis, Marin Barleti, Akademia Marubi, TBU, Zoja e Këshillit të Mirë, Epoka që janë shumë cilësorë dhe dinjitozë për historinë 15-vjeçare të arsimit të lartë në Shqipëri.
Përse e ka bllokuar tregun shteti dhe e ka bërë monopol? A është i lirë një student që të përzgjedhë më të mirën për veten, qoftë edhe duke sakrifikuar për të paguar, nëse ai është i ndërgjegjshëm, që gjen një punë më të mirë dhe ka një rrogë me të ardhura më të mëdha?
Shteti e ka bllokuar tregun, sepse nuk lejon që universitetet shtetërore të liberalizojnë çmimet dhe tarifat dhe të krijohet një konkurrencë e vërtetë. Nuk ka konkurrencë dhe ka monopol kur qeveria mban thuajse zero tarifat e studimeve. Janë 10 herë më të vogla. Kanë qenë disa qindra mijë lekë. Janë shumë më pak se kostoja reale. Ajo që doja të thoja është se tregu i arsimit të lartë është i bllokuar, sepse 90% e tij zotërohet nga shteti dhe është një treg i subvencionuar, pra nuk është një treg i lirë. Një treg i edukimit të lartë do të ishte i tillë që qeveria të jepte bursa për degë ose kategori të caktuara, siç dhe parashikon reforma tashmë. Ose studentët e arsimit të lartë dhe institucionet e arsimit të lartë të takoheshin lirshëm në treg sipas kërkesës dhe ofertës për të krijuar një treg të edukimit të lartë. Ka një përpjekje pozitive nga reforma që do ende 2-3 vjet të zbatohet për të shkuar sipas modelit anglosakson, ku edukimi kushton, sepse dihet edukimi i mirë kushton edhe më shumë. Ku askush nuk duhet të mbetet jashtë shkollës, por bursën ose financimin e studimeve do ta marrin ato kategori studentësh që e meritojnë, ato kategori studentësh që kanë realisht vështirësi dhe sidomos në ato degë që tregu nuk i subvencionon. P.sh., unë jam dakord që të subvencionohen 90% e kuotave dhe bursave për Gjeologji, por s’ka asnjë arsye të kemi mijëra e mijëra kuota për ekonomik, juridik, IT, financë etj., etj., të cilat janë të kërkuara nga tregu dhe e nxjerrin veten në treg. Pra politikat publike duhen të ndryshojnë thelbësisht në këtë drejtim dhe të bëhen anglosaksone.
Universiteti që ka numrin më të lartë të studentëve do të marrë dhe subvencionet më të mëdha si rezultat i ligjit për reformën në arsimin e lartë. Pse ai që ka më shumë numër studentësh dhe jo ai që ka cilësinë më të mirë?
Mekanizmi i ri i financimit që do të futet në fuqi pas vitit 2018 është shumë më i ndërlikuar sesa kaq. Ai mbështetet mbi disa parime dhe ekuilibrohet mbi disa parime ku në parim, numri është një nga elementët. Indikatorët e performancës janë shumë më të përpunuar. Ne do të presim aplikimin e skemës së re të financimit për dy ose tre vjet.
A vazhdon të jetë një problem gjetja e stafit cilësor të cilët japin leksione në universitetet private?
Ne s’duhet të harrojmë që, që nga viti ’57 ka ekzistuar një monopol i plotë i universiteteve shtetërore për titujt dhe gradat. Më në fund, ky monopol ka marrë fund. Sepse të paktën 5 universitete private, përfshi dhe Universitetin Europian të Tiranës, kanë cikle doktorale. Universiteti Marin Barleti, Universiteti Polis, Universiteti Albanian University. Duke filluar nga ky vit, të paktën 3 universitete, kanë të drejtën të japin titujt dhe gradat. Universiteti Polis, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti i New York-ut e kanë të drejtën të japin titujt dhe gradat. Ky monopol është kapërcyer. Monopoli i titujve dhe i gradave ishte një nga monopolet më të ndyra në Shqipëri që tashmë ka marrë fund, kjo falë faktit që në vitin 2011, Kryeministri Berisha pati guximin të liberalizonte ciklin e tretë të studimeve dhe në vitin 2015, ligji i ri parashikon që Universitetet me mbi 10 vjet punë dhe që kanë Këshillin përkatës dhe numrin e caktuar të Profesorëve dhe të atyre me tituj doktorë, të mund t’i japin vetë titujt dhe gradat. Tashmë universitetet private janë të shkëputur nga vartësia (në thonjëza) e Universiteteve shtetërore për dhënien e titujve dhe gradave.
A keni të dhëna se sa është numri i studentëve të Universitetit Europian që kanë gjetur një punë dhe cili ka qenë niveli i pagës që ata kanë gjetur?
Ne kemi statistika të detajuara në lidhje me këtë në zbatim të programit të universitetit, sipas standardeve perëndimore, që të ndjekim ecurinë me studentët tanë, 6 dhe 12 muaj pas diplomimit. Tregu i punës në Shqipëri ka shumë defekte, dhe ne kemi brezin e shtatë të diplomuarve dhe di që janë shumë mirë të pozicionuar në tregun e punës. Dhe janë në një avancim të vazhdueshëm. Megjithatë, të dhënat profesionale të këtij studimi që do ta aplikojmë dhe do ta publikojmë për herë të parë do të dalin në fund të nëntorit. Por dua të them se treguesit cilësorë janë jashtëzakonisht pozitivë. Megjithatë, me këtë indeks, ne do të përballemi duke filluar nga ky nëntor ku ne do të mbajmë statistika të sakta për studentët tanë çdo vit. Ne indeksin e suksesit e kemi jo më shumë se 35% të atyre që vijnë. Pra, n.q.s. ne regjistrojmë 100 studentë në vit të parë, brenda 3 vitesh diplomohen vetëm 35 prej tyre. Pra, kemi cilësi shumë të lartë, kjo edhe në titujt, si doktoraturë, etj.
Së fundmi, ju keni shpallur riorganizimin e grupit, ku keni përqendruar të gjitha aktivitetet tuaja në një grup arsimor të vetëm që quhet Iniciativa Europiane për Edukim. Çfarë nënkupton kjo?
Duke filluar nga ky vit, ne kemi kaluar në konsulencën paraprake të Deloitte & Touche për bilancin e vitit 2015 dhe në konsulencë finale për 2016; sugjerimi i parë nga kjo konsulencë është krijimi i një holding-u, i cili do të kishte tipar mbledhjen e të gjitha aktiviteteve në një të vetme, ndërkohë që më parë ato ishin të shpërndara në aktivitete të ndryshme e në mënyra të ndryshme dhe përqendrimi i grupit po vazhdon. Në këtë kuptim IEE, e cila është tashmë pronarja e UET, është tërhequr nga të gjitha aktivitetet e tjera, duke i shitur aktivitetet e natyrave të tjera dhe është përqendruar totalisht në fushën e edukimit duke u fokusuar tek UET-i, Kolegji Europian i Tiranës, i cili do të hapet së shpejti brenda këtij viti si aktivitet ekonomik, te një firmë konsulence, në traditën e shkollave më të mira perëndimore, p.sh., modeli London School of Economics, që quhet UET Enterprise Consulting, si dhe të gjitha aktivitetet tona jofitimprurëse si qendra dhe fondacioni që janë të përmbledhura në kuadrin e Institutit Europian Pashko, lançimi i të cilit do të bëhet në dhjetor, me rastin e ngjarjeve të dhjetorit. Të gjitha pasuritë imobiliare dhe kapitalet e tjera janë të mbledhura në këtë grup të ri dhe financimin e kampusit të ri në Sauk, projekt-idenë e të cilit e ka bërë Bashkim Zahaj, që do të bëhet kryesisht nga të drejtat pasurore mbi asetet që tashmë grupi ka, (godina B e vendndodhjes aktuale) dhe do të përmbushi gati 75% të kostos.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.