Pandemia COVID-19 ka qenë dhe vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t’u kontrolluar dhe për t’u menaxhuar. Por disa udhëheqës aktualë dhe ish-liderë botërorë kanë bërë pak përpjekje për ta menaxhuar situatën siç duhet në vendin e tyre, qoftë duke minimizuar ashpërsinë e pandemisë, duke mos marrë parasysh shkencën, apo duke injoruar masat si distancimi social dhe vendosja e maskave.
Të gjithë liderët në këtë listë bënë të paktën një nga gabimet e mësipërme, por kishte edhe nga ata që fatkeqësisht gabuan thuajse në gjithçka, dhe rrjedhimisht pasojat ishin fatale.
1.Narendra Modi/ Indi
Sumit Ganguly, Universiteti i Indianas
India është epiqendra e re e pandemisë globale, me rreth 400,000 raste të reja në ditë (deri në maj 2021). Edhe pse mjaft e zymtë si situatë, këto shifra nuk pasqyrojnë tmerrin e vërtetë që po ndodh atje. Pacientët me COVID-19 po vdesin në spitale sepse mjekët nuk kanë oksigjen për t’i dhënë dhe as ilaçe. Të sëmurët largohen nga klinikat sepse nuk gjejnë shtretër bosh.
Shumë indianë fajësojnë një burrë të vetëm për tragjedinë e vendit: Kryeministrin Narendra Modi.
Në janar 2021, Modi deklaroi në një forum global se India kishte “shpëtuar njerëzimin… duke e kufizuar koronavirusin në mënyrë efektive”. Në mars, Ministri i tij i Shëndetësisë deklaroi se pandemisë po i vinte fundi. COVID-19 në të vërtetë po fitonte forcë në Indi dhe në të gjithë botën – por qeveria e tij nuk bëri asnjë përgatitje për t’u përballuar me situatën, siç ishte edhe shfaqja e një varianti të ri më vdekjeprurës dhe më ngjitës COVID-19. Pothuajse asnjë nuk mbante maskë. Modi së bashku me anëtarë nga partia e tij zhvilluan tubime të shpeshta përpara zgjedhjeve të prillit. Modi lejoi gjithashtu zhvillimin e një festivali fetar ku morën pjesë një numër shumë i lartë personash dhe që sipas zyrtarëve të shëndetit publik tani besojnë se ky ka qenë një gabim shumë i rëndë. Ndërsa Modi foli mbi sukseset e tij vitin e kaluar, India, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë, dërgoi mbi 10 milionë doza vaksinash në vendet fqinje. Megjithatë, vetëm 1.9% e 1.3 miliardë banorëve të Indisë janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 deri në fillim të këtij muaji.
2.Jair Bolsonaro/ Brazil
Elize Massard da Fonseca, Fundação Getulio Vargas dhe Scott L. Greer, Universiteti i Miçiganit
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, jo vetëm që dështoi t’i përgjigjej COVID-19 – që ai e konsideron si një “grip të thjeshtë”, por ai e përkeqësoi krizën në Brazil. Bolsonaro përdori kompetencat e tij kushtetuese për të ndërhyrë në çështjet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, të tilla si protokollet klinike, zbulimi i të dhënave dhe prokurimi i vaksinave. Ai pengoi përpjekjet e qeverisë për të promovuar distancën sociale dhe përdori fuqinë e tij për të lejuar që shumë biznese të qëndrojnë të hapura, duke përfshirë llixhat dhe palestrat. Bolsonaro gjithashtu promovoi në mënyrë agresive ilaçe të paprovuara, veçanërisht hidroksiklorokinën, për të trajtuar pacientët me COVID-19.
Bolsonaro ka fajësuar qeveritë e shtetit brazilian, Kinën dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë për krizën COVID-19 dhe kurrë nuk ka marrë përgjegjësinë për keqmenaxhimin e saj në vendit e tij.
Keqmenaxhimi pandemik i Bolsonaros krijoi konflikt brenda qeverisë së tij. Brazili ndërroi katër Ministra të Shëndetësisë në më pak se një vit. Në Brazil u përhapën edhe disa variante të reja të reja të koronavirusit, përfshirë variantin P.1, i cili është më ngjitës. Shkalla e transmetimit COVID-19 në Brazil më në fund ka filluar të bjerë, por situata është ende shqetësuese.
3.Alexander Lukashenko/ Bjellorusi
Elizabeth J. King dhe Scott L. Greer, Universiteti i Miçiganit
Fatkeqësisht, shumë vende rreth botës i janë përgjigjur COVID-19 me politika jo të përshtatshme. Sidoqoftë, liderët më të këqij të pandemisë janë ata që zgjodhën të mos merrnin asnjë masë ndaj saj.
Aleksander Lukashenko, udhëheqësi shumëvjeçar autoritar i Bjellorusisë, nuk e ka pranuar kurrë kërcënimin e COVID-19. Në fillim të pandemisë, ndërsa vendet e tjera po zbatonin bllokimet, Lukashenko vendosi të mos zbatojë ndonjë masë kufizuese për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Në vend të kësaj, ai pretendoi se virusi mund të parandalohej duke pirë vodka, duke shkuar në sauna dhe duke punuar në fusha.
Pasi u infektua vetë me Covid-19, në verën e 2020, Lukashenko pohoi se virusi nuk përbënte një kërcënim serioz, dhe që pas këtij momenti e në vazhdim ai nuk e mbajti asnjëherë maskën, gjë kjo që sipas tij përforconte imazhin e burrit të fortë të shtetit. Bjellorusia sapo ka filluar përpjekjet e vaksinimit, por Lukashenko thotë se ai nuk do të vaksinohet. Aktualisht, më pak se 3% e bjellorusëve janë vaksinuar kundër COVID-19.
4.Donald Trump/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Dorothy Chin, Universiteti i Kalifornisë, Los Anxhelos
Edhe pse mandati i Trump ka përfunduar, keqmenaxhimi i pandemisë gjatë qeverisjes së tij vazhdon të ketë pasoja shkatërruese afatgjata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve me ngjyrë.
Mohimi i hershëm i Trump i pandemisë, përhapja aktive e keqinformimit në lidhje me mbajtjen e maskave e dëmtuan jashtë mase shtetin amerikan në tërësi – por rezultati ishte shumë më i keq për disa grupe sesa të tjerët, si ato të njerëzve me ngjyrë si afrikano-amerikanët dhe latino-amerikanët. Norma e vdekshmërisë tek ky komunitet ishte 2.4 herë më e lartë në krahasim me atë të të bardhëve.
Edhe shkalla e papunësisë është gjithashtu joproporcionale. Gjatë periudhës më të keqe të pandemisë në Amerikë, niveli i papunësisë u rrit në 17.6% për Latino Amerikanët, 16.8% për Afrikano-Amerikanët dhe 15% për Aziatiko-Amerikanët, krahasuar me 12.4% për Amerikanët e Bardhë.
Këto hendeqe dërrmuese rritën pabarazitë ekzistuese të tilla si varfëria, cilësia e shkollimit, etj dhe ka shumë mundësi të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë edhe për pak kohë. Për shembull, ndërsa ekonomia e përgjithshme e Sh.B.A-së tregon shenja të rimëkëmbjes, grupet e pakicave të lartpërmendura nuk kanë bërë të njëjtin progres.
Administrata Trump e mbështeti që në fillimin zhvillimin e vaksinës kundër virusit, një arritje që pak udhëheqës botërorë mund ta pretendojnë, por retorika e dezinformimit dhe anti-shkencës që ai transmetoi vazhdon ende sot t’i kompromentojë përpjekjet e Amerikës për të larguar virusin. Sondazhet e fundit sugjerojnë se 24% të të gjithë amerikanëve dhe 41% të republikanëve nuk do të vaksinohen.
5.Andrés Manuel López Obrador/ Meksikë
Salvador Vázquez del Mercado, Centro de Investigación y Docencia Económicas
Me 9.2% të pacientëve të saj COVID-19 që vdesin nga virusi, Meksika ka normën më të lartë të vdekshmërisë në botë. Vlerësimet e fundit tregojnë se numri i vdekjeve ka arritur në 617,000, pothuajse në të njëjtin nivel me Sh.B.A-në dhe Indinë. Një kombinim faktorësh kontribuuan në shpërthimet e zgjatura, ekstreme të COVID-19 në Meksikë. Dhe lidershipi jo i duhur ishte një prej tyre.
Gjatë gjithë pandemisë, Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador u përpoq të minimizonte rëndësinë e situatës në Meksikë. Në fillim, ai i rezistoi thirrjeve për të miratuar një bllokim mbarëkombëtar dhe vazhdoi mbajtjen e tubimeve në të gjithë vendin para se, Meksika të mbyllej për dy muaj (në fillim të marsit 2020). Ai shpesh refuzonte të mbante maskë.
Ekspertët u shprehën se buxhetet e spitaleve ishin të pamjaftueshme për të përballuar situatën e rëndë.
Edhe para shpërthimit të pandemisë, politika e kursimit ekstrem fiskal të López Obrador, në fuqi që nga viti 2018, e kishte bërë trajtimin e një krize shëndetësore shumë më të vështirë, duke kufizuar ndjeshëm ndihmën financiare COVID-19 në dispozicion të qytetarëve dhe bizneseve.
Kjo, nga ana tjetër, përkeqësoi goditjen ekonomike të shkaktuar nga pandemia në Meksikë, duke rritur nevojën për ta mbajtur ekonominë të hapur gjatë gjithë vitit të kaluar, në valën e dytë të egër të dimrit, nga e cila Meksika sapo ka filluar të dalë. Përfundimisht, një bllokim tjetër u bë i pashmangshëm. Meksika u mbyll përsëri në dhjetor të 2020.
Sot, mbajtja e maskave është rritur dhe Meksika ka vaksinuar plotësisht 10% të popullsisë së saj, krahasuar me 1% në Guatemalën fqinje. Gjërat po përmirësohen, por Meksika ka një rrugë të gjata drejt rimëkëmbjes./US News