Vlerat perëndimore po ndryshojnë vazhdimisht nga ato të pjesës tjetër të botës. Parimet e njerëzve duhej të përputheshin, ndërsa vendet bëheshin më të pasura. Çfarë ndodhi?
Në vitin 1981, mbi 40% e popullsisë së botës jetonte në varfëri të skajshme. Por rritja ekonomike po fillonte të përshpejtohej në vendet në zhvillim.
Atë vit, Ron Inglehart, profesor në Universitetin e Miçiganit, organizoi një ekip anketues mbarëbotëror për të vënë në provë teorinë se, ndërsa fermerët fshatarë i shpëtojnë varfërisë, ata fillojnë të mendojnë dhe të sillen ndryshe, njëlloj siç kishin bërë njerëzit në të kaluarën kur u bënë pjesë e klasës së mesme, shkruan The Economist.
Ata mund t’i japin përparësi më të madhe arsimit, zgjerimit të njohurive të fëmijëve të tyre. Mund t’i japin më shumë peshë përvojës dhe arsyetimit dhe më pak librave fetarë ose autoritetit të mbretërve.
Dhe mendohej se ndoshta këto mënyra të reja, këto vlera themelore, me kalimin e kohës do të bëheshin të përbotshme. Inglehart mendonte se çështje të tilla mund të viheshin në provë, duke bërë pyetje që nxirrnin në pah vlerat morale, si:
“Sa e rëndësishme është feja në jetën tuaj?”; “A do të ishit të lumtur po të jetonit pranë një të huaji?” dhe “A mund t’i zini besë shumicës së njerëzve?”
Dyzet vite më vonë, vetëm 8% e popullsisë së botës është ende në varfëri të skajshme; sipas disa matjeve, më shumë se gjysma llogariten si klasë e mesme.
Anketa e Vlerave Botërore (WVS), e krijuar nga Inglehart, tashmë është bërë rrjeti më i madh kërkimor për çështjet shoqërore në botë. Pak a shumë çdo pesë vjet, studiuesit e saj shkojnë në terren, duke marrë në pyetje pothuajse 130,000 njerëz në 90 shtete.
Megjithatë, vala e fundit e rezultateve, që mbulon vitet 2017-’22, nuk e miraton plotësisht idenë se njerëzit fillojnë të kenë vlera të ngjashme morale, ndërsa ata pasurohen.
Në fakt, duket se po zgjerohen dallimet midis mënyrës sesi mendojnë njerëzit në pjesë të ndryshme të botës.
Inglehart (i cili vdiq në vitin 2021), argumentoi se siguria – ose më saktë, pasiguria – është faktori kryesor që ndikon në mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe çfarë vlerësojnë.
Në një botë të pasigurt, ku fëmijët janë më të rrezikuar nga sëmundjet ose të korrat mund të prishen brenda natës nga thatësira, familja është shpesh mbrojtja e vetme kundër fatkeqësive, ndërsa kishat, xhamitë ose tempujt, janë ofruesit kryesorë të ngushëllimit apo shpjegimit.
Por ndërsa rritet pasuria, ulet edhe pasiguria. Kështu që, sipas kësaj logjike, në një mjedis më të qëndrueshëm, njerëzit mund të mendojnë më shumë për veten e tyre.
Inglehart mendonte se ky proces ndodh në dy forma paksa të ndryshme. Ai shpiku mënyra për të matur secilën.
Nëse marrim hartën e nxjerrë nga grupi i sondazheve që përfundon në vitin 1998, në disa mënyra, ajo duket e ngjashme me të sotmen.
Në të dyja periudhat, si sot edhe atëherë, europianët protestantë janë më laikët dhe më individualistët. Europianët katolikë kanë pikëpamje të ngjashme, megjithëse më pak të forta.
Në vendet islamike dhe afrikane, feja dhe familja kanë shumë ndikim. Ato që anketa WVS i quan vende “konfuciane”, duke përfshirë Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, janë një përzierje e të dyjave.
Në këto vende, njerëzit i mbështesin vlerat laike po aq fort sa europianët. Ata pajtohen me deklarata si “aty ku feja dhe shkenca bien ndesh, feja ka gjithmonë të drejtë”. Por nuk janë aq tolerantë sa kombet perëndimore ndaj homoseksualëve dhe pakicave të tjera.
Para dy dekadash, një grup shtetesh ndërthurën bindjet fetare me mbështetjen për individualizmin dhe lirinë e shprehjes, duke përzier kështu vlerat tradicionale dhe moderne.
Këto vende përfshinin Amerikën, Irlandën dhe disa shtete të Amerikës Latine, si Venezuela. Në skemën e treguar, ata klasifikohen në fund të anës së djathtë.
Shumë vende ortodokse (si Rusia dhe Rumania) treguan të kundërtën: vlera të dobëta fetare, por lidhje të forta “fisnore” ose kolektivizëm. Në skemë, ata u klasifikuan në majë të anës së majtë, si etno-nacionalistë jofetarë.
Nëse shikoni hartën e vitit 1998, do të vini re vende të shpërndara në të katër kuadratet. Përkundrazi, në hartën e vitit 2023, shumica e vendeve janë vetëm në dy kuadrate.
Shumica janë renditur në pjesën e poshtme të majtë, me vlera të forta tradicionale dhe kolektive, dhe në pjesën e sipërme të djathtë, me më shumë vlera laike dhe individualizëm.
Në një pamje të parë, ky ndryshim tregon se njerëzit me të vërtetë mendojnë ndryshe, ndërsa i shpëtojnë varfërisë dhe pasigurisë. Vija diagonale nënkupton se vendet janë ose me vlera tradicionale dhe prirje kolektive, ose me vlera racionale dhe individualiste.
Vendet më të varfra janë kryesisht në njërin skaj dhe ato më të pasura janë kryesisht në skajin tjetër. Me kalimin e kohës, vendet më të varfra do të lëvizin përgjatë diagonales.
Ndoshta. Por, tani për tani, gjetjet e anketës WVS, tregojnë se kjo nuk po ndodh pa pengesa dhe devijime.
Nëse vendet më të varfra do të përputhnin vërtet vlerat e tyre morale me vendet e pasura, atëherë në këto vende të varfra, vlerat duhej të ishin duke ndryshuar më shpejt dhe në ato të pasura, vlerat do të ishin më të ngulitura.
Por sondazhi tregon të kundërtën. Shtetet që tashmë janë më laikë dhe individualistë, po ndryshojnë më shpejt dhe po bëhen edhe më laikë; ndërsa ata që janë më tradicionalë dhe të mbështetur në lidhje të forta fisnore, po ndryshojnë më pak dhe ndonjëherë po bëhen edhe më shumë tradicionalë, jo më pak.
Besimi
Në vitin 1998, 38% e europianëve protestantë dhe 32% e myslimanëve, thanë se mund t’u besonin shumicës së njerëzve.
Deri në vitin 2022, niveli i besimit në Europë është rritur (ku më shumë se gjysma e europianëve thanë se u besonin njerëzve), por ai ka rënë në vendet islamike, ku vetëm 15% e të anketuarve thanë se mund t’u besonin njerëzve.
Në vitin 1998, europianët katolikë dhe amerikanët latinë kishin gjithashtu nivele të krahasueshme besimi.
Deri në vitin 2022, përqindja e europianëve katolikë që thanë se u besonin njerëzve, ishte tri herë më e lartë se ajo e amerikanëve latinë.
Ashtu si mosbesimi ndaj të huajve është një masë vlerash kolektive, po ashtu është edhe mosgatishmëria për të nënshkruar peticione. Kjo për shkak se shoqëritë tradicionale me lidhje të forta, kanë prirjen që të mos besojnë se autoritetet qeverisëse do të veprojnë në interesin e tyre dhe kanë frikë nga hakmarrjet.
Në vitin 2022, gati gjysma e të anketuarve në vendet e Amerikës Latine dhe ato ortodokse, thanë se nuk do të nënshkruanin kurrë një peticion. Në krahasim me vitin 1998, kjo ishte një rritje e madhe në Amerikën Latine dhe një rritje e vogël në vendet ortodokse.
Në të kundërt, numri i europianëve që thanë se nuk do të nënshkruanin kurrë një peticion ra ndjeshëm, duke arritur afërsisht sa gjysma e atyre në pjesën më të madhe të botës.
Europianët po bëhen më individualistë
Në 25 vitet e fundit, matjet kanë treguar se europianët kanë lëvizur gjithnjë e më shumë në drejtim të individualizmit dhe laicitetit më të madh, një përfundim i nxjerrë nga pyetje që lidhen me bindjen e fëmijëve, tolerancën ndaj homoseksualitetit, apo pranimin se “kur feja dhe shkenca janë në kundërshti, feja ka gjithmonë të drejtë”.
Kjo është e vërtetë edhe për Amerikën. Megjithëse amerikanët kanë qenë prej kohësh disi më fetarë se shumica e europianëve, me kalimin e kohës, ata kanë anuar drejt individualizmit dhe laicitetit më të madh, po aq sa edhe europianët.
Për shembull, në vitin 1981, 47% e amerikanëve e përshkruanin veten si jofetarë (duke thënë se Zoti nuk ishte i rëndësishëm në jetën e tyre, se nuk merrnin pjesë në shërbesat e kishës etj.).
Në Suedi, kjo pjesë e popullsisë ishte 58%. Deri në vitin 2022, përqindja në Amerikë ishte rritur me 14 pikë, pothuajse duke arritur atë të Suedisë.
Ndërkohë, në vendet ortodokse, islamike dhe të Amerikës Latine, ka pasur ndryshime më të vogla, ose në disa raste, lëvizje drejt tradicionalizmit dhe kolektivizmit më të madh. Kjo nuk e zhvlerëson idenë se vlerat globale një ditë do të përputhen.
Thjesht tregon se ajo ditë mund të jetë disi larg.
Kini parasysh hendekun
Nga gjetjet ngrihen tri pyetje të tjera. Së pari, për sa kohë mund të zgjerohet ky hendek midis vlerave? Në veçanti, a mund të vazhdojnë vërtet europianët dhe amerikanët të bëhen gjithnjë e më individualistë dhe laikë?
“Njerëzit më pyesin shpesh nëse ka një kufi”, thotë Christian Welzel, profesor në Universitetin Leuphana në Luneburg, Gjermani. “Por unë nuk kam parë ende asnjë shenjë”.
Dr. Welzel ka shfletuar të dhënat e anketës WVS sipas grupmoshës. Ai vëren se në çdo rajon, brezi i ri bëhet më individualist dhe laik se ai i mëparshmi.
Në Europë, hendeku midis të moshuarve dhe të rinjve është veçanërisht i madh dhe shumë herë më i madh se në vendet islamike apo ortodokse. Kjo tregon se animi drejt individualizmit dhe laicitetit do të vazhdojë edhe në brezin e ardhshëm.
Në Amerikë, ka një hendek vlerash midis zonave më fetare dhe atyre më laike të vendit, gjë që teorikisht mund të nënkuptojë se zonat fetare (në jug dhe në qendër të vendit), mund të mos marrin pjesë në lëvizjen drejt laicitetit.
Megjithatë, edhe kjo duket e gabuar. Hendeku midis shteteve më fetare dhe atyre më pak fetare në Amerikë, në fakt nuk ka ndryshuar që nga viti 1981.
Cilido qoftë shkaku i politikës tejet të polarizuar që ka pushtuar sot Amerikën, ai nuk është pasojë e ndonjë ndryshimi thelbësor në atë që njerëzit besojnë në pjesë të ndryshme të vendit.
Së dyti, cilat janë pasojat politike dhe gjeopolitike? Në një nivel të gjerë, vlerat dhe politika janë të lidhura ngushtë. Vlerat tradicionale duket se lidhen më shumë me autokracitë; ndërsa sistemet një njeri-një votë, mishërojnë vlerat individualiste.
Nuk mund të jetë rastësi që gjatë dekadës së fundit, populistët autoritarë kanë pasur rezultate të mira zgjedhore në dy nga rajonet ku ka ndodhur ngadalësimi ose përmbysja e vlerave laike: vendet ortodokse (si Rusia dhe Bjellorusia) dhe ato të Amerikës Latine (Brazili, Nikaragua, Venezuela).
Në vendet ortodokse, të Amerikës Latine dhe ato islamike, mbështetja për demokracinë ka rënë, e matur nga rritja e përqindjes së popullsisë që thotë se do të ishte mirë ose shumë mirë po të kishin një udhëheqës të fortë që nuk ka pse të kufizohet nga parlamenti apo zgjedhjet.
Në të tre rajonet, pjesa e popullsisë me këtë pikëpamje, u rrit me një të tretën deri në dy të tretat midis viteve 1998 dhe 2022. Kjo nuk është aspak një shenjë e mirë për të ardhmen e demokracisë.
Megjithatë, nuk ka një marrëdhënie të thjeshtë midis vlerave dhe politikës, siç tregon edhe shembulli i votuesve fetarë amerikanë. Është e qartë se vazhdimi i përkrahjes për të djathtën tradicionaliste në Europë dhe Amerikë, lidhet me pakënaqësinë ndaj përhapjes së individualizmit.
Por nuk është aq e qartë nëse votuesit kanë ndryshuar dhe janë organizuar në parti më të fuqishme të skajit të djathtë, apo nëse partitë thjesht kanë pasur më tepër sukses se në të kaluarën, për t’ua shitur politikën e tyre votuesve.
Një argument i ngjashëm mund të bëhet për vlerat dhe gjeopolitikën. Mosmarrëveshjet ndërkombëtare për vlerat morale duket se po përhapen. Pothuajse çdo ditë ka përplasje mes qeverive perëndimore dhe joperëndimore për të drejtat e komunitetit LGBT+.
Pasi presidenti Joe Biden kritikoi paraqitjen e një ligji të ashpër në Ugandë kundër homoseksualëve në fillim të këtij viti, kryetarja e Parlamentit të Ugandës, Anita Among, tha:
“Bota perëndimore nuk do të vijë të sundojë Ugandën”.
Dhe kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, kërcënoi se do të bllokonte kërkesën e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n, sepse një burrë në Suedi kishte djegur faqe të Kuranit, ai po shfrytëzonte bindjet e forta fetare të turqve për të fituar popullaritet në vend.
Por për shumë suedezë individualistë, personi që dogji librin, kishte çdo të drejtë për të ushtruar shprehjen e lirë, për sa kohë që i bindej ligjit.
Debati rreth vlerave
Mosmarrëveshjet rreth vlerave janë të pranishme edhe në rivalitetin midis Amerikës dhe Kinës. Udhëheqësit kinezë ankohen pa fund se nuk ekzistojnë “të ashtuquajturat vlera të përbotshme të Perëndimit” (siç shprehet presidenti kinez Xi Jinping), dhe se thirrjet e qeverisë amerikane për vlera të tilla, janë thjesht një perde tymi për një lloj të ri imperializmi. Ish-presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, e quan liberalizmin perëndimor “një sistem vlerash të imponuara”.
Sidoqoftë, shumë nga këto mosmarrëveshje me siguri që do të kishin ndodhur, pavarësisht nga dallimet mbi vlerat.
Kina do ta kishte sfiduar Amerikën për arsye strategjike dhe teknologjike. Turqia mund të ketë bllokuar Suedinë për të marrë koncesione nga NATO.
Presidenti rus Vladimir Putin pretendon se e ka pushtuar Ukrainën sepse vendi po përthithte zakonet europiane të mendimit, që sipas Putinit, kërcënojnë Rusinë.
Por Putini kishte shumë arsye për vendimin e pushtimit, që ishte sa paranojak, aq edhe i përllogaritur. Dallimet në vlera nuk janë false, por ato mund të mos jenë vendimtare. Për qeveritë autoritare, “vlerat” janë një justifikim, si dhe një grup besimesh.
Së treti, çfarë do të thotë e gjithë kjo për argumentet rreth “vlerave të përbotshme”? Anketa WVS tregon se vlerat laike dhe liberale nuk janë më të përbotshme se ato fetare dhe autoritare.
Dy grupet e vlerave qëndrojnë në skajet e kundërta të të njëjtit spektër mendimi; të dyja janë mënyra me të cilat njerëzit përshtaten me rrethanat e tyre, qofshin këto të sigurta apo të pasigurta.
Në këtë kuptim, zoti Xi dhe të tjerët kanë njëfarë të drejte: vlera të tilla nuk janë të përbotshme, por ato nuk janë plotësisht të kushtëzuara nga historia apo kultura politike e një vendi.
Si rregull, me rritjen e pasurisë, rritet jetëgjatësia, bien normat e lindshmërisë, rritet arsimi dhe njerëzit kanë prirjen të anojnë drejt racionalitetit dhe individualizmit.
Zoti Welzel e përshkruan këtë si një zhvendosje të mendësisë nga “përqendrimi në parandalim” (ku shqetësimi kryesor i njerëzve është parandalimi i dëmit dhe humbjeve për veten dhe familjen), në atë që ai e quan “përqendrimi në promovim” (ku njerëzit kërkojnë të shprehin veten dhe të kenë lirinë e zgjedhjes për të vendosur vetë si ta jetojnë jetën).
Megjithatë, anketa WVS zbulon se shpejtësia me të cilën ndodh ky ndryshim, varet nga shtetet. Në disa vende, ajo mund të shkojë në drejtim të kundërt.
Brezat e ndryshëm në përgjithësi përshtaten lehtësisht. Qeveritë ndërhyjnë për t’i ngadalësuar gjërat nëse është në interesin e tyre. Dhe është e qartë se pasurimi nuk është i mjaftueshëm për të shkaktuar ndryshimin e vlerave, sepse vendet që pasurohen, shpesh mund të ndihen më pak të sigurta.
Për të gjitha këto arsye, mënyrat tradicionale të të menduarit vazhdojnë dhe përputhja e vlerave morale që pritet të shoqërojë rritjen ekonomike, nuk ka ndodhur.
Megjithatë, është e vërtetë se siguria ndikon në vlerat morale të njerëzve. Me kalimin e kohës, ka më tepër gjasa që vlerat fetare dhe autoritare të humbasin popullaritetin dhe vlerat laike dhe liberale të bëhen më tërheqëse.
Dhe beteja mbi vlerat luhet midis dy poleve.
Përktheu: Lira Muça